Largimi nga Skënderbeu, rrëfehet Agostineli: Ju tregoj ku gabova

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

agostinelliAndrea Agostineli ka zgjidhur në mënyrë konsensuale kontratën që e lidh me klubin korçar, duke i dhënë fund aventurës me kampionët në fuqi.

Ish-trajneri i Skënderbeut, në një rrëfim për “Panorama Sport”, tregon pse erdhi situata deri këtu, në një kohë që pranon edhe gabimin që ka bërë në verën e vitit të kaluar, duke mos vlerësuar si duhet gjendjen që ekipi kishte në krahasim me një sezon më parë.Për këto, por jo vetëm, italiani foli pa doreza. Gazeta mëson se ai ka marrë 3 rroga paradhënie nga Skënderbeu, që do të thotë 18 mijë euro dhe prishje e kontratës me konsensusin e palëve.

Agostineli, keni mbyllur bashkëpunimin me Skënderbeun. Ju shkarkuan apo gjetët konsensus?

Po, është e vërtetë, zyrtarisht nuk jam më trajner i Skënderbeut dhe një gjë të tillë klubi e ka bërë publike. Ka qenë një zgjidhje kontrate në mënyrë konsensuale nga të dyja palët. Pati dëshirë nga të dyja palët. Pra, gjithçka u arrit dhe u bë ndryshimi i trajnerit.

OK, por ju gjithmonë keni thënë se nuk do të dorëhiqeni. Çfarë ju bindi të pranonit zgjidhjen e kontratës?

Jam menduar gjithë këto ditë dhe ndoshta ky ishte momenti më i përshtatshëm për të ndaluar. Gjithashtu, ishte një mënyrë për të falënderuar sërish presidentin Takaj, që më besoi drejtimin e ekipit në verë. Ndërkaq, doja të falënderoja edhe gjithë shqiptarët me të cilët kam punuar dhe kam pasur marrëdhënie shumë të mira. Më kanë bërë vërtet të ndihem si në shtëpinë time. Besoj se kam treguar diçka të mirë në Shqipëri dhe kam lënë shenjën time për kaq sa kam punuar. Unë personalisht ruaj kujtime mjaft të mira nga ky vend i mrekullueshëm.

Keni ndonjë peng nga eksperienca juaj me Skënderbeun?

Fillimisht do të uroj të gjithë lojtarët dhe stafin me të cilët kam punuar për bashkëpunimin e mirë që kemi pasur së bashku. Pengu im i vetëm është se në verë duhej të kisha vënë re me shumë kujdes se ndoshta ekipi im nuk ishte i të njëjtës cilësi me Skënderbeun e sezonit të kaluar. Megjithatë, kështu ndodhi.

Mos ndoshta grupi i lojtarëve që kishit në dispozicion nuk ju përgjigj si duhet?

Jo, nuk mund ta them një gjë të tillë. Isha mjaft i bindur se ekipi im më ndiqte dhe tani mendoj se më ka ndjekur gjithmonë. Por, futbolli ndonjëherë është i keq. Një penallti e humbur, dëmtimi i lojtarëve kyç dhe gjithçka merr tjetër rrjedhë.

Është folur për një raport jo të mirë mes jush dhe drejtorit sportiv, Haris Fakiç. Si është e vërteta?

Jo, nuk ka pasur asgjë të tillë mes nesh. Gjithçka ka qenë mirë te Skënderbeu, nuk ka pasur asnjë çështje problematike, më besoni.

Ndeshja kundër Partizanit duket se vulosi largimin tuaj. E pranoni këtë?

Sigurisht, ajo i dha fund gjithçkaje. Besoj se, nëse do të kishim fituar, do të isha ende në krye të Skënderbeut. Ju të gjithë e patë ndeshjen dhe e dini që futbolli i tillë është.

Më parë keni thënë se ekipi nuk ishte kaq i fortë sa vitin e kaluar. Mos ndoshta dështuat edhe në merkato?

Shikoni, merkatoja në futboll ka gjithmonë rrezikun e gabimeve. Ndonjëherë të ndodh që të bësh goditje të mira, ndonjëherë gabon totalisht në zgjedhje. Ndodh gjithkund, jo vetëm te Skënderbeu.

Lojtarët që u afruan ishin të gjithë zgjedhjet tuaja apo jo?

Unë ekipin e gjeta gati dhe kam kërkuar me ngulm që të kem sulmuesin Reza Karimi në ekip, por për probleme burokratike nuk u bë e mundur që ta kisha në dispozicion.

Me këtë do të thoni që përgjegjësia nuk ka qenë e gjitha e juaja?

Jo, nuk dua të them këtë. Unë sigurisht që mund të kisha bërë më shumë. Por, e përsëris, me siguri që Skënderbeu i këtij sezoni nuk ishte aq i fortë sa ai i vitit të kaluar.

Tani është Ilir Daja në krye të Skënderbeut. Mendoni se mund t’ia dalë?

Është një trajner mjaft i mirë dhe unë e vlerësoj shumë. Një profesionist i mirë dhe jam i sigurt që do ia dalë mbanë.

Tani që nuk jeni më pjesë e Skënderbeut, kush mund ta fitojë titullin?

Do të jetë një luftë më e fortë se sezonin e kaluar. Do të luftojnë tre ekipe, ndryshe nga Skënderbeu dhe Partizani që ishin të dyja vetëm një sezon më parë.

Po në fund, kush do të fitojë?

Besoj se, nëse Skënderbeu do të godasë si duhet në merkato me dy-tre lojtarë që bëjnë diferencën, mund të mbrojë titullin pa dyshim.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *