Zyrtarët e korruptuar, kush dorëzon pasuritë e krimit shpëton nga burgu

6 Janar 2017, 09:03Kronika TEMA

Kushdo që do të akuzohet nga Prokuroria e Posaçme, Prokuroria e Përgjithshme dhe degët e saj, për një  tepër penale për të cilën ligji parashikon një dënim jo më të lartë se 15 vjet burgim, mund t’i shpëtojë dënimit me kushtin që të dorëzojë pasuritë e krimit dhe të korrupsionit.

Ky është pakti i ri që u ofrohet kryesisht zyrtarëve të përfshirë në praktika korruptive, por edhe njerëzve të krimit dhe drogës, vepra penale për të cilën do të akuzohen, nuk duhet të dënohet më shumë se 15 vjet burg.

Marrëveshja parashikohet në projektligjin për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, hartuar nga misionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Tiranë, përkatësisht OPDAT dhe EURALIUS, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe ekspertët e nivelit të lartë.

Marrëveshja, e cila përmban 8 pika që duhet të pranohen dhe zbatohen nga i pandehuri, nxit të akuzuarit që të bashkëpunojnë me organin e akuzës, duke përfituar ulje dënimi deri në lirim të plotë. Një nga 8 pikat parashikon konfiskimin e mjeteve të produkteve të veprës penale, pra të pasurive dhe parave të pista.

Po ashtu, marrëveshja parashikon deklarimin e pohimit të fajësisë nga ana e të pandehurit, pëlqimin me shkrim për masën e shpërblimit të dëmit nga i pandehuri, shumën e shpenzimeve procedurale, përshkrimin e qartë të faktit penal për të cilin akuzohet i pandehuri etj.

Rregullat e tjera

Projektligji për disa ndryshime në Kodin e Procedurës Penale parashikon gjithashtu që nga çasti i regjistrimit të emrit të personit që i atribuohet vepra penale deri kur të mos ketë filluar shqyrtimi gjyqësor, prokurori, i pandehuri, ose përfaqësuesi i tij i posaçëm mund të propozojnë arritjen e një marrëveshjeje mbi kushtet për pranimin e fajësisë dhe për caktimin e dënimit.

“Në bisedimet për arritjen e marrëveshjes prania e mbrojtësit të të pandehurit është e detyrueshme. Arritja e marrëveshjes lejohet për veprat penale për të cilat ligji parashikon një dënim në maksimum jo më të lartë se 15 vjet burgim. Ky kufizim nuk gjen zbatim në rastin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Marrëveshja bëhet me shkrim.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, prokurori njofton viktimën duke i dërguar kopje të saj. Marrëveshja me kusht për pranimin e pjesshëm të akuzave është e papranueshme”, thuhet në nenin 406/d të projektligjit.

Varianti i parë

Në një variant të mëparshëm të projektligjit, të viti 2014, marrëveshja parashikohej pa kufizime sa i takon masës së dënimit për veprën penale, për të cilën do të akuzohej I pandehuri. Po ashtu, varianti i parë parashikonte 6 kushte për marrëveshjen, duke përfshirë të gjitha veprat penale të parashikuara të parashikuar në Kodin Penal. Por siç duket, ekspertët kanë vendosur një kufizim në variantin e fundit, duke përjashtuar nga marrëveshja të akuzuarit për krime të rënda.

8 pikat e marrëveshjes me të akuzuarin

Përshkrimin e qartë të faktit penal për të cilin akuzohet i pandehuri dhe cilësimin e tij juridik;

Deklarimin e pohimit të fajësisë nga ana e të pandehurit;

Llojin dhe masën e dënimit penal kryesor, si dhe llojin e modalitetet e ekzekutimit të dënimeve plotësuese, për të cilat palët kanë rënë dakord;

Disponimet për provat materiale dhe sendet që i përkasin veprës penale, si dhe për konfiskimin e pasurive e produkteve të veprës penale, sipas nenit 36 të Kodit Penal;

Në rastin kur është legjitimuar paditësi civil, pëlqimin e tij me shkrim për masën e shpërblimit të dëmit nga i pandehuri;

Shumën e shpenzimeve procedurale;

Çdo kusht tjetër për të cilin prokurori dhe i pandehuri kanë rënë dakord;

Nënshkrimet e palëve dhe të mbrojtësit.

Kapitulli për marrëveshjen në Kodin e ri të Procedurës Penale

Neni 406/dh

Shqyrtimi nga gjykata

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje