Europa ime: Liria në rrezik

8 Janar 2017, 12:47Blog TEMA

Me ardhjen në Berlin në vitet nëntëdhjetë, Anila Wilms provoi për herë të parë shijen e lirisë individuale. Për të, liria e femrës është një nga vlerat më të larta të qytetërimit, për të cilat ja vlen të luftohet.

Kur në ditët e para të tetorit 1994 zbrita nga avioni dhe vura këmbën në Berlin, me diplomën e Universitetit të Tiranës në xhep dhe me një ëndërr të çmendur për t’u bërë intelektuale në hapësirën gjermanike, e ndjeja që kjo do të më kushtonte sakrificë e transformim. E megjithatë llojin dhe përmasat e transformimit nuk mund t’i merrja dot me mend.

Në radhë të parë, të ftohtin. Në Mesdhe ishte ende mot fundvere, në Berlin kishte zënë ngrica. Ishte një ajër i ftohtë e i thatë që të priste brinjët. Ishte Era e Lindjes, siç ma sqaruan që ditën e parë, ajo era e pamëshirshme e stepës dimërore, që mbyt aromat, vyshk ngjyrat dhe asgjëson modën me anë të xhupave, pulovrave, shalleve e çizmeve. Asaj i dilej vetëm me soba me qymyr, më të mëdhatë që kisha parë në jetën time.

Por në Berlin gjeta diçka kaq të çmueshme, saqë qeshë lumturisht e gatshme ta duroj të ftohtin me gjithë mundimet e tij: Për herë të parë në jetën time mund të lëvizja lirisht në një qytet pas rënies së errësirës. Askush s’e kthente kokën kur i kaloja pranë, asnjeri nuk më qepej nga pas. S’kishte fjalë të ndyra, vështrime të paturpshme, kërcënime ose lloj-lloj ngacmimesh prej meshkujve në rrugë. Nuk trembesha as në mes të natës në metro ose me biçikletë nëpër parkun Tiergarten. Burrat me pushtet – policë, nëpunësa, profesorë – nuk më binin në qafë. Askush nuk merrej me thashetheme dhe nuk përhapte shpifje mbi „nderin” dhe „moralin” tim. Çudi e madhe. Krejt e kundërta e përvojës sime në Shqipërinë komuniste e pas komuniste të viteve ’80-’90, ku për vajzat si unë s’kishte prehje përveçse në katër muret e shtëpisë ose në rrethin e ngushtë të miqve.

Jeta nën koracë

Që në moshë të vogël vajzat ishin të detyruara të mësonin një numër marifetesh për të mbijetuar në këtë ambient kaq armiqësor: veshje që s’bie në sy, pamje të vrazhdë e të vrenjtur, dredhi dhe shmangie pafund, tinëzi e fshehtësi, sepse kudo ka kurthe, në çdo kthesë ka rreziqe! Kurrë mos u hap, kurrë mos u rrëfe, moho çdo akuzë me vendosmërinë më të madhe! Ishte e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar deri diku shtypjes së mashkullimit, dominimit të tij të pamëshirshëm fizik e psiqik, ndryshe i quajtur edhe patriarkalizëm. Mes meshkujve dhe femrave gjëmonte një luftë e paprerë, rraskapitëse. Në këto kushte nuk shpalosej dot potenciali krijues i askujt. Ishte një botë deprimuese, ishte shëmti dhe mërzi e pafund.

Më e mira e botëve

Për ne gratë, kjo është më e mira botë nga të gjitha. Dhe në një shoqëri ku gratë ndjehen mirë dhe lëvizin lirisht, të gjithë të tjerët ndjehen mirë. Arsyeja përse Perëndimi tërheq si magnet rininë e vendeve patriarkale është në thelb gjithmonë po e njëjta: liria e grave dhe respektimi i parimit femëror.

Vitaliteti i grave e zbukuron botën, e shndërron në një vend të larmishëm, të çelët, marramendës,  – fantazia, zelli, përpikëria, takti, mprehtësia, hijeshia, besnikëria, gazmendi e ngrohtësia e motrave, nënave, shoqeve. Afërditat, Athinat, Amazonat, Mariat e Magdalenat: këtu të gjitha kanë mundësinë të jetojnë në përputhje me karakteret e tyre, të zhvillojnë talentet, t’i vënë vetes qëllime të larta, të punojnë për t’i arritur ato, ta mbushin jetën me kuptim.

Kohët e fundit në Gjermani janë shtuar lajmet mbi sulmet dhe dhunimet ndaj grave. Këto lajme janë të gjëmshme për mua. Unë e di nga përvoja se çfarë rreziku na kërcënon në rast se gratë detyrohen të ruhen, të mbrohen e të tërhiqen. Ajo lloj jete nuk ka më vlerë. Jo vetëm për gratë, por për gjithë pjestarët e shoqërisë.

Si mbrohet liria e grave në këto kushte? Kjo do jetë një nga çështjet qendrore të viteve të ardhshëm, një çështje politike, mbarëshoqërore. Një shoqëri që nuk është në gjendje të mbrojë kulturën e saj me anë të ligjit dhe autoritetit shtetëror, rrezikon të humbasë identitetin, të rrëzohet e të zhduket.

Tri breza më parë gratë i fituan të drejtat e tyre në barrikada. Sot unë jam prapë gati të ngremë barrikadat, nëse rrezikohet liria e grave, një nga arritjet më të mëdha të qytetërimit perëndimor./dw

6 komente në “Europa ime: Liria në rrezik”

  1. tfgs1 says:

    per Hanemet me ”axiristo mouni” nuk na the gje…………………

  2. i mallngjyeri says:

    keshtu jane korraket ske cben ,nqs edhe ti je korrake,do vuash ky ishte fati yt.pune korrakesh v.k.

  3. Toma says:

    Eh cme humbe kohen moj tru laraske qe nuk paske kuptuar gje hic nga atdheu. Ngrohe bythen me qymyr gjerman se mire je.

  4. kusari says:

    e mer e !
    t ishe per barrikada,i kishe ngrejt n shqipni ti,e jo t ikje si ke ik nga syt kembet.

  5. zefi says:

    te ishe vertete e lire nuk do te shkruaje neper gazeta
    shkoni nga nuk shkoni ju dhe shisni ekperiencen tuaj per kushedi
    ke patur lirine te djegesh pasionet dhe kaq
    kur pasioni mbaroi u ndjeve e lire

  6. zefi says:

    te ishe vertete e lire nuk do te shkruaje neper gazeta
    shkoni nga nuk shkoni ju dhe shisni ekperiencen tuaj per kushedi
    ke patur lirine te djegesh pasionet dhe kaq
    kur pasioni mbaroi u ndjeve e lire
    dhe crendesi ka kjo?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje