Hotelet në Shqipëri gëlojnë nga informaliteti dhe mungesa e standardeve

8 Janar 2017, 09:33Ekonomia TEMA

Aktualisht nuk ka të dhëna zyrtare të sakta mbi hotelet e regjistruara dhe mbi kapacitetet e shtretërve. Sipas statistikave të grumbulluara për vitin 2012 nga Zyra e Shërbimit Turistik, kapaciteti i akomodimit përbëhet nga 27.716 shtretër, në 670 hotele. Ky kapacitet duket se nuk është i saktë, sipas një vlerësimi që ka bërë Ministria e Ekonomisë në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Turizmit.

Kapaciteti i hoteleve dominohet nga hotele të vogla. Mbi 80% e hoteleve të regjistruara kanë më pak se 20 dhoma dhe vetëm 7% kanë më shumë se 40 dhoma.

Vetëm 30 hotele janë klasifikuar zyrtarisht (kategorizimi me yje) dhe nga këto vetëm 3 hotele janë klasifikuar me 5 yje. Vetëm dy hotele në Tiranë menaxhohen nga shoqëri ndërkombëtare; Hotel Rogner dhe Hotel Sheraton. Duke iu referuar vendndodhjes së tyre, 80% e hoteleve ndodhen në zonat bregdetare dhe liqenore (Velipojë, Shëngjin, Durrës, Kavajë, Vlorë, Sarandë, Pogradec), 10% e hoteleve, në Tiranë dhe 10% në zona të tjera. Shumë struktura akomodimi, veçanërisht në zonat bregdetare, menaxhohen si biznese familjare, ku dhomat u ofrohen tregjeve të turistit vendas dhe atij të pavarur. Këto karakteristika nuk janë të favorshme për të kënaqur tregun turistik të huaj. Oferta e akomodimit në zonat rurale që u shërben turistëve të natyrës është zhvilluar në mënyrë modeste. Në zonat natyrore malore janë ngritur shumë pak hotele dhe një numër i kufizuar bujtinash. Vlerësimi për vitin 2012 ishte rreth 150 bujtina në zona si Thethi, Kelmendi, Tropoja dhe Voskopoja.

Numri i kampingjeve (të regjistruar) kohët e fundit në Shqipëri është rreth 20; veçanërisht në zonat natyrore paraqitet një mundësi e mirë për të krijuar shumëllojshmëri të produktit të akomodimit. Një numër i zgjedhur kampingjesh janë mbështetur nga projekti GIZ-ADAC (Klubi Automobilistik Gjerman) për t’u ofruar në tregun europian të kampingut.

Të gjitha llojet e strukturave të akomodimit dhe të ofertave të turizmit në natyrë, si dhe sektori i turizmit rural kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin e produktit.

Pjesa më e madhe e ofertës së produktit të akomodimit është shumë poshtë standardeve ndërkombëtare të funksionimit dhe ofron jo mjaftueshëm cilësi të lartë krahasuar me standardet ndërkombëtare.

Nga viti 2008, klasifikimi i strukturave të akomodimit nuk është më i detyrueshëm me ligj.

Një numër hotelesh kanë vendosur vetë standardin e klasifikimit me yje, sipas vlerësimit të tyre personal.

Që prej vitit 2010, një skemë e certifikimit të cilësisë bazuar në kujdesin për klientin, të quajtur “Authentic Albania” (Shqipëria Autentike), i është ofruar hoteleve për pjesëmarrje mbi bazë vullnetare. Zbatimi i Projektit është mbështetur nga USAID, në bashkëpunim me ATA (Shoqata Shqiptare e Turizmit). Deri tani janë certifikuar 63 hotele.

 Kapaciteti i akomodimit, 92% në informalitet 

Sipas vlerësimeve të qeverisë, kapaciteti i shtretërve në strukturat akomoduese të ligjshme dhe të riregjistruara përfaqëson vetëm rreth 7,4% kundrejt 92,6% të kapacitetit të shtretërve që i përket kapacitetit të akomodimit informal dhe të paregjistruar.

Tregu i paregjistruar (informal) i dhomave dhe apartamenteve, të cilat jepen me qira, është një pjesë e konsiderueshme e ofertës në zonat bregdetare. Nuk ka regjistrim të dhomave dhe apartamenteve private, të cilat jepen me qira nga pronarët e banesave në destinacionet, si dhe për shtëpitë e dyta.

Gjendja e apartamenteve dhe dhomave private me qira kryesisht është e përqendruar në destinacione bregdetare, si Durrës, Shkëmbi i Kavajës, Golem, Vlorë dhe Sarandë. Kapaciteti akomodues i paregjistruar jo vetëm që përfaqëson një nivel “shumë të lartë” informaliteti në tregun e akomodimit turistik dhe shmang pagimin e taksave vendore për qeveritë vendore, por ajo përbën edhe një konkurrencë të pandershme në tregun e akomodimit.

Gjithashtu, standardet e tyre nuk kontrollohen fare. Referuar kapacitetit të shtretërve të regjistruar në zonat bregdetare dhe një numri të vlerësuar të mbërritjeve të turistëve të huaj, si dhe kërkesës së brendshme për pushime në plazh në periudhën korrik – gusht 2012, është kalkuluar se për të akomoduar këtë numër turistësh në zonën bregdetare, nevojitet një kapacitet total prej rreth 254.400 shtretërish./ Monitor

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje