I ftohti polar, solidariteti dhe akuzat nga oxhaku i shtëpisë

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

radaNga Ardit Rada

Kushtet atmosferike të motit dhe përhapja e një virusi gripal nuk i ka shpëtuar vëmendjes së Partisë Demokratike për t’i kthyer në kauza opozitare.

Kanë qenë fillimisht një sërë opozitarësh që ankoheshin se ku do t’i linin fëmijët pas 4 janarit, e më pas disa deputetë të PD që propozuan shtyrjen e ditës së fillimit të mësimit deri më datë 16. Kësisoj, opozita u mundua të gjente në acarin e këtij fillimviti jo vetëm një kauzë sezonale, por edhe ‘hilenë’ e qeverisë përmes vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit.

E dila e sotme ka shënuar në Shqipëri edhe temperaturat më të ulëta, ndërsa kryeqyteti është gëdhirë si kurrë më parë në minus 6 gradë, temperatura këto që vijojnë gjatë tërë ditës. Për herë të parë krahas motit të papritur, solidariteti i Bashkisë së Tiranë, Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera ka qenë i pashoq referuar strehimit të të pastrehëve dhe gatishmërisë.

Megjithatë, Lulzim Basha nuk ka nguruar që fundjavën ta shfrytëzojë për një deklaratë në internet, shpërndarë mediave mesditën e së dielës. Ai hedh tezën se sistemi arsimor e ka shtyrë nisjen e tij jo për shkak të gripit, por për arsyen se në shkollat e vendit mungon ngrohja. Akuza e Bashës vijon edhe më tej duke u përpjekur të cytë pak nga të gjitha; arsimi, shëndetësia, tenderat e të tilla formulime që vetëm një politikan që s’ka bërë asgjë për Shqipërinë mund t’i thurë buzë oxhakut të shtëpisë luksoze.

Qytetarët dhe aq më pak qeveria nuk kanë asnjë detyrim moral t’i shpjegohen Partisë Demokratike për të ftohtin, për gripin apo t’i kujtojne Lulzim Bashës se sot partia e tij drejton 16 bashki të vendit. Kjo për aq kohë sa PD nuk është pjesë e solidaritetit.

Në rastin ideal, drejtuesi i opozitës duhet të dilte me një hartë në dorë dhe të thoshte se në 16 bashkitë e tij nuk duhet pezulluar mësimi sepse çerdhet, kopshtet dhe shkollat kanë ngrohje. Sepse është pikërisht përgjegjësi e pushtetit lokal infrastruktura e arsimit parashkollor, kompetencë kjo që u fuqizua pas reformës administrativo-territoriale.

Në rastin ideal, kryetari i SHQUP-it denoncon me foto dhe video sesi Edi Rama me të ardhur në pushtet shkuli sobat dhe kondicionerët nga shkollat, nëse PD kishte vendosur ndonjëherë të tillë. Dhe në rastin normal, Lulzim Basha i pari merr rrugët drejt bastioneve të tij në veri, mbathur me çizme dhe kapuç prej leshi në kokë. Takon banorët, u bën thirrje bizneseve pranë tij për ndihma, u tërheq veshin bashkive të djathta që prej vitesh refuzojnë të marrin pjesë në takimet e Shtabeve të Emergjencave në Qark e të tjera si këto.

E vërteta është që kryesisht Shqipëria e Mesme u gjet e papërgatitur para të ftohtit dhe se shumica e çerdheve, kopshteve apo shkollave nuk kanë as ngrohje për dimër dhe as ftohje për behar. Banalja është se ai që sot drejton gishtin për 300 milionë euro koncensione në Shëndetësi, po shtrëngon me dorën tjetër lekët e ngrohjes së munguar për fëmijët. /JavaNews

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “I ftohti polar, solidariteti dhe akuzat nga oxhaku i shtëpisë”

  1. Skifter says:

    Eshte gjynah me sulmu PD ne diten e saj me te zeze

  2. Sheila says:

    Bravo, si gjithmone thumbues dhe i sakte.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *