Genc Tomori: Bëjmë sërish kërkesë për të luajtur në “Selman Stërmasi”

10 Janar 2017, 14:13Sport TEMA

Drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Genc Tomori, ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit të Tiranës, Refik Halili, që, sipas tij, ka pasur një pakt me Korabit dhe të kuqve, që ata të kthehen të luajnë në “Selman Stërmasi”.

Si drejtor i Partizanit, kam qenë unë personi që jam marr me çështjen e stadiumit. Nuk më vjen mirë ta them, por drejtorin e Korabit edhe po ta takoj në rrugë nuk e njoh, jo më të jem ulur apo takuar me atë për të rënë dakord për atë version që dha presidenti i Tiranës. Pra, me Korabin nuk kemi pasur asnjë lidhje dhe Ridi (Refik Halili) më njeh mirë.

Ndaj dua të sqaroj edhe një herë se nuk ka asnjë pakt mes Partizanit dhe Korabit, që dibranët të largoheshin nga “Selman Stërmasi” dhe që të luanim ne në atë stadium. Nuk ka asnjë marrëveshje dhe, po e ripërsëris, madje më vjen turp të them, që drejtorin e Korabit as si fytyrë nuk e njoh po ta takoj në rrugë.

Drejtuesit e Korabit kanë punën e tyre dhe ata i dinë arsyet pse vendosën që të largoheshin nga ‘Selman Stërmasi’, ndaj Partizani nuk ka ndërhyrë në këtë mes. Për këtë çështje flas me kompetencë, pasi jam personi që jam marrë direkt me bisedimet, ndërsa presidenti Demi ka qenë shumë larg problemit që po flasim. Kjo është thjesht një hipotezë apo arsyetim i Tiranës, pasi ne nuk kemi asnjë lidhje me atë që ka deklaruar presidenti Halili.

Besoj se ata që e kanë informuar Halilin, ia kanë dhënë gabim informacionin, pasi ne nuk jemi përfshirë në vendimin që ka marrë Korabi për largimin nga “Selman Stërmasi”. Ridit dua t’i them me sinqeritetin më të madh se Partizani nuk ka asnjë lidhje në largimin e dibranëve nga stadiumi.

Ne mbetemi sërish të hapur dhe dëshira jonë është që të rikthemi të luajmë në kryeqytet, kështu që do të kërkojmë sërish që ndeshjet brenda t’i luajmë në ‘Selman Stërmasi’ deri sa të ndërtojmë stadiumin tonë. Shpresoj që në vijim, drejtuesit e Tiranës ta marrin në konsideratë kërkesën tonë për të luajtur ndeshjet brenda në kryeqytet”, u shpreh drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Genc Tomori, për “Panorama Sport”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje