Skandal në SHISH me dosjet e Sigurimit, dokumente të zhdukura, të dëmtuara dhe të painventarizuara. Nis verifikimi

10 Janar 2017, 09:13Kronika TEMA

Me hyrjen e muajit të parë të këtij fillimviti ka nisur seriozisht puna për zbulimin e spiunëve të ish-Sigurimit të Shtetit. Autoriteti për Informimin e Dosjeve të Sigurimit ka nisur grumbullimin e materialeve nëpër institucionet e vendit, por, ashtu siç parashikohej, ky proces do të shoqërohet me shumë probleme, që do të pengojnë edhe zbulimin e vërtetë të spiunëve të Sigurimit.

Anëtarët e Autoritetit kanë konstatuar se dhjetëra dokumente në Shërbimin Informativ të Shtetit rezultojnë të dëmtuara, të zhdukura dhe të painventarizuara.

Ata kanë mbërritur aty për të parë situatën dhe gjendjen e dosjeve dhe janë përballur me një skandal. Shumë dosje janë nëpër kuti dhe të dëmtuar nga kushtet e ambientit, ndërsa ka shumë nga ato për të cilat nuk dihet e çfarë përmbajnë.

Ndërkohë dyshimet janë se ka pasur dhe shumë dokumente që janë asgjësuar. Asgjësimi i tyre ka ardhur nga politikanët, të cilët janë kujdesur që gjatë këtyre ditëve të zhduken ato dosje shumë të rrezikshme dhe shumë të rëndësishme, që do të cenonin karrierën e tyre politike shkruan “SOT”. Por, edhe ato dosje që ekzistojnë në SHISH janë të painventarizuara; nuk dihet se një x dosje kujt i përket, ngjarja që e shoqëron atë dosje dhe periudha. Atëherë, puna e anëtarëve të Autoritetit do të përqendrohet vetëm te dosjet e painventarizuara në SHISH, ndërsa dosjet në Ministrinë e Brendshme janë të gjitha të arkivuara. Kështu, sipas burimeve, inventarizimi i dosjeve që nga viti 1992, do të bëhet nga një grup specialistësh, të cilët do të asistojnë në këtë proces.

Do të vijnë edhe specialistë nga Gjermania që do të japin kontributin e tyre në inventarizimin e dosjeve. Në këtë proces do të jenë të pranishëm edhe anëtarët e Autoritetit. Më tej do të bëhet një bilanc se sa dosje ndodhen nëpër institucione të ndryshme dhe sa dosje janë gjithsej për t’u shqyrtuar nga Autoriteti. Dosjet si në SHISH, në Ministrinë e Brendshme dhe në institucione të tjera ndodhen të mbyllura në kuti kartoni, të cilat do të hapen në prani të specialistëve që do bëjnë inventarizimin dhe anëtarëve të Autoritetit. Autoriteti, në bazë të vendimit 45, 4 korrik të vitit 2015, u ka dërguar një shkresë titullarëve të institucionit, që të grumbullojnë dosjet dhe t’ia vënë në dispozicion Autoritetit për shqyrtim.

Institucionet grumbullojnë dosjet

Dosjet janë të shpërndara në institucione të ndryshme, si Ministria e Mbrojtjes, ajo e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave si edhe Shërbimi Informativ Shtetëror. Brenda janarit, këto institucione duhet të kenë dorëzuar te Autoriteti të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Sipas ligjit, në bashkëpunim mes Autoritetit dhe këtyre institucioneve do të koordinohet puna për depozitimin e dosjeve në vendin ku do të bëhet grumbullimi, që është ish-Shkolla e Bashkuar, pasi deri atëherë do të ketë përfunduar rikonstruksioni i godinës. Aktualisht, Autoriteti po punon në një nga ambientet e Gardës së Republikës.

Gjatë transportit, dosjet e Sigurimit do të monitorohen dhe do jenë nën mbikëqyrjen e një sigurie të lartë. Materialet do të zhvendosen me automjete dhe gjatë transportit, i cili mund të zgjasë më shumë se një ditë, një nga anëtarët do të jetë prezent. Pra, do të jenë vetë anëtarët e Autoritetit që do të ruajnë dosjet nga ndonjë manipulim i mundshëm, apo humbja, zhdukja e tyre gjatë transportit.

1 komente në “Skandal në SHISH me dosjet e Sigurimit, dokumente të zhdukura, të dëmtuara dhe të painventarizuara. Nis verifikimi”

  1. Blablabla says:

    Per gjendjen e dosjeve ne SH I SH pyesni Fatos Klosin qe del perdite ne TV, si ish I pari drejtor pas Gazidedes. Ky qe flet per gjithcka, perse nuk u muar me dosjet apo dhe ky rregulloi dosjet e miqve te vet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje