“Dekriminalizimin”, si po e banalizojnë

12 Janar 2017, 20:34Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Tre kokat e prera të zyrtarëve prej dekriminalizimit i kanë dhënë pak qetësi relative politikës dhe ambasadorëve të huaj të akredituar në Shqipëri, për të treguar se ekziston një frymë e mirë tashmë që Reforma në Drejtësi po merr jetë. Po përveç viktimave të saj, që janë braktisur menjëherë, e veç avokatëve që tashmë po përpiqen të marrin përgjigje prej instancave më eprore të Drejtësisë, të tjerët thjesht presin. KQZ-ja pa pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese ka vendosur për mandatimet e reja në vend të dekriminalizuarve, pa pritur të mbaronin argumentet ligjore! Gjithsesi, rrugëtimi i tre të dëbuarve prej pushtetit ligjvënës dhe atij lokal ka marrë me sa duket udhë pa kthim për t’i dhënë mundësi alibive të rradhës së politikës shqiptare.

Për të ardhur keq është se në realitet, dekriminalizimi, i trumbetuar nga partitë kundër njëra-tjetrës ka treguar sesa pak vlerësohen të Drejtat e Njeriut në vend. Zëri i instancave që përfaqësojnë këto të fundit ka qenë i mekët dhe me ekuivoke, përveç pak zërave të jurisprudencës që e kanë kontestuar hapur. Logjika e thjeshtë e di se të ashtuquajturit kriminelë nuk mbahen dot larg politikës dhe zgjedhjeve shqiptare sepse ata janë pikat fokale, ku derdhet vëmendja dhe kërkohet ndihma kryesore për fushatat. Për këtë të fundit në këto ditë është shprehur edhe presidenti i republikës, por si zakonisht në mënyrën e tij absurde, që ia bën të lexueshme qëllimet, që me fjalitë e para.

Ndërkohë dekriminalizimi në mënyrën sesi është hartuar prek edhe shumë shqiptarë të thjeshtë, pikërisht ata që politika e të Majtëve dhe e të Djathtëve nuk arriti t’u kërkojë kurrë falje. Fatkeqë të dënuar shumë vite më parë për kundravajtje të vogla, të rinj të papjekur por shpesh edhe viktima, qyqarë të dënuar prej kinse përkthyesve, por edhe të dënuar më kot, që ende mbushin burgjet e vendeve fqinje dhe që problematikat e tyre i marrim vesh në ankesa prej të afërmeve, njësoj pa shpresë. Janë pikërisht këta, paçka se shumë syresh janë rehabilituar shumë vite më pas (jo pak kanë ndërtuar jetë modele pas dënimeve), që i kanë përditësuar më së miri jetët e tyre, që ky ligj po i masakron. Ai u merr ëndrrën për të qenë qytetarë të denjë të këtij vendi, që ka aq shumë nevojë për ndihmën e të gjithë qytetarëve të saj. Si për ironi, sapo dikush e ngre zërin për ta, derdhet urrejtja patologjike e militantëve të partive që akuzojnë, të baltosin dhe që mezi presin të bëjnë bujë.

Por dekriminalizimi dhe personat me precedentë të rrezikshëm, mu ata që mund të riciklohen lidhet me reformën e tashme zgjedhore dhe aftësinë sesa do të mundemi për t’i mbajtur realisht larg. Flitet për ata që kanë rekorde kriminale dhe probleme të mëdha morale-etike. Kjo e fundit një utopi e vërtetë.

Ndërkohë që vetë Ligji i Dekriminalizimit. Kështu si është, është i mbushur me intonime me kushtetutën. Juristët këto i shohin që në deklaratat e formularit të dekriminalzimit e me radhë. Dhe, më shqetësues akoma, është forma sesi ligji nuk përputhet me Konventën e të Drejtave të Njeriut. “Thelbi i Ligjit nuk vihet në vijueshmërinë e detyrimeve të të drejtave të parashikuara në Kushtetutë, në kapitujt e përgjithshëm të të drejtave të njeriut dhe me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, është shprehur për median Sokol Hazizaj.

Interferimi i elementëve kriminalë ose me të kaluar kriminale është faj fillimisht i strukturave të partive të mëdha në bazë dhe njësoj fajtor është edhe kryetari i partisë që i emëron. Por më keq se çdo gjë është fakti se persona të tillë, që janë ndihmuar nga politika, sot s’kanë më nevojë të futen në radhët e saj, pasi ata përcjellin individë që varen nga këta dhe që janë më të zotë për të mbrojtur të keqen. Deri më tani me ngricën që ka filluar mes partive aktuale dhe kushtëzimet nuk pritet të ketë zhvillime të mira në Reformën Zgjedhore, porse një gjë duket qartë se revanshi i partive fillon duke u bazuar me këta persona. Kurse aq vonë sa ka filluar punën reforma priten shumë pak ndryshime thelbësore, që gjërat do funksionojnë në kohën e duhur. Ndaj dekriminalizimi ka shumë gjasë të mbesë në shtrate propagande dhe të mos ketë justifikimin e duhur të logjikës juridike. Politikës i intereson amullia për interesat e saj dhe mosarsyetimi. Respekti ndaj arsyes e bën dekriminalizimin që të jetë mos jetë banal, ashtu si ekziston frika se do përfundojë. (Javanews)

1 komente në ““Dekriminalizimin”, si po e banalizojnë”

  1. Te mos i themi derrit daje says:

    O ben andoni, ne te mos pacin paguar per kete artikull, te lutem mos na e neverit duke shkruar per fatin e te kriminalizuarve shqiptare, se atyre su plas bytha per ty. nese mendon qe nuk je si ata, lere tu hase te pakten bytha ne asfalt se deri tani u ka hasur vetem ne pambuk. Ne qofte ndonje i njome nder ta, anih le te shkoje! Do dilja edhe vete vullnetar te me shkeleshin te drejtat mjaft te mirrja me vete ca nga keta morravec qe te mos i shikoj me bota ekraneve tona se jemi bere gazi i saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje