Dokumenti sekret: Trump ishte i sigurtë për fitoren presidenciale në 1996

12 Janar 2017, 19:37Bota TEMA

Afro 30 vite më parë, Donald Trump ka qenë besimplotë se do të fitonte zgjedhjet presidenciale amerikane, si një kandidat i pavarur në vitin 1996. Kjo është zbuluar nga dokumentet e policisë sekrete të periudhës komuniste në Çekosllovaki.

Çekosllovakia ka qenë vendlindja e bashkëshortes së Trump, Ivanës, një modele, atlete dhe biznesmene, e cila u bë më pas nënë e tri fëmijëve me presidentin e zgjedhur, Donald Jr, Ivanka dhe Eric.

Një vit përpara rënies së komunizmit në 1989-n në shumë pjesë të Europës, detajet mbi rikthimin për një vizitë të Ivana Trump në 1988-n në vendlindje u regjistruan në një raport të klasifikuar policor. Raporti i 22 tetorit 1988 pretendon se Trump refuzonte të kandidonte për president në atë vit, pavarësisht presionit të supozuar për ta bërë diçka të tillë, sepse në moshën 42-vjeçare ai mendonte se ishte shumë i ri për një post të tillë. Por raporti sekret thotë se ai synonte të kandidonte në garën presidenciale të vitit 1996 si një kandidat i pavarur, kur ai të ishte plot 50 vjeç.

“Edhe pse dukej si një utopi, Donald Trump kishte besim të madh se do të korrte sukses”, thuhet në raportin e policisë, bazuar në informacionet e një burimi të paspecifikuar që ka folur me babain e Ivana Trump, Milos Zelnicek, rreth vizitës së saj. Gjithsesi, mbetet ende mister se nga vinte “presioni” i pretenduar ndaj tij.

Raporti është interesant sepse në Shtetet e Bashkuara, publiku thuajse nuk ka qenë në dijeni se Trumpi do të konsideronte të garonte për president, deri në një intervistë të vitit 1988 në shfaqjen “The Oprah Winfrey”.

“Nuk do ta përjashtoja në mënyrë kategorike – ka thënë ai atëherë. – Gjithsesi mendoj se do të fitoja, sepse nuk futem asnjëherë në një garë për të humbur”.

Megjithatë, Trumpi nuk ngriti ndonjë komitet eksplorues deri një dekadë më vonë, kur nisi pikërisht tentativën për të siguruar nominimin e Partisë Reformiste në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000. Ai u tërhoq nga ajo përpjekje vetëm 4 muaj më vonë.

Gruaja e parë e Trumpit u lind në vitin 1949 me emrin Ivana Zelnickova në qytetin Gottwaldov të Çekosllovakisë, apo në qytetin e sotëm të Zlinit, emri i të cilit ishte ndryshuar nga komunistët e ardhur në pushtet në vitin 1948. Ajo u martua me Trumpin, bashkëshorti i dytë për të, në vitin 1977. E teksa vijonte udhëtimet e saj mes “perdes së hekurt”, Ivana u bë një objektiv i policisë sekrete çekosllovake, tepër e fuqishme dhe e frikshme, e njohur si “StB”.

Dokumenti sekret për Ivanën nga “StB” ka pasur një numër regjistri, por ai nuk është bërë i ditur. Historianët besojnë se ai është shkatërruar. Por dokumente të tjera nga Arkiva e Shërbimeve të Sigurisë në Pragë, veçanërisht një dokument mbi babain e saj që e vizitonte shpesh vajzën në SHBA, tregon se ata të dy ishin nën mbikëqyrjen e rreptë të spiunëve dhe informatorëve të shtetit. (TCH)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje