Presidenti, një lojë dramatike me të ardhmen

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Presidenti-Bujar-Nishani-Kryeministri-Edi-RamaNga Lorenc Vangjeli

Presidenti i Republikës nuk mund të kishte gjetur vend më të mirë për të shuar kumbimin e frikshëm të këmbanës së alarmit. Nuk mund të kishte gjetur shoqëri më të përshtatshme për ta relativizuar dhe për ta kaluar pothuaj në heshtje mesazhin e tij dramatik tek publiku se sa pritja tradicionale vjetore me gazetarët. Në sallën e presidencës, me nga një gotë verë në dorë, veshur jo me xhinset e profesionit, por me kostume dhe dekolte e shkujdesura pothuaj ceremoniale, gazetarët shqiptarë rezultuan pak të vëmendshëm ndaj fjalës së gjatë të Presidentit. Natyrisht pa faj. “Nëse do të fshehësh diçka, vendose në vendin më të dukshëm!”, këshilla e vjetër duket se fatkeqësisht ka funksionuar në mënyrë perfekte dhe alarmi i Presidentit u dëgjua fare pak. Njëlloj sikur kërkoi të flasë për të mos u dëgjuar. Të trokasë pa pritur të hapet dera. Të mbjellë pa u shqetësuar të korrë.

Në portale u transmetua në stilin pa nerv, ngjyrë e gjak të copy paste-s dhe në shtypin e shkruar të ditës tjetër, gjeti vend vetëm në tre-katër gazeta. Vetëm dy nga to, RD e 55, për arsye ekstraprofesionale, e kishin titull të madh dhe foto të vogël mesazhin tronditës së Presidentit. Zoti Nishani drithëroi përpara gazetarëve pothuaj indiferentë:  “….evidenca serioze tregon se grupe të caktuara të botës së krimit do tentojnë të influencojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare…”.

Çfarë mund të kishte më shumë se kaq që të trondistë gjithkënd? Cili alarm tjetër mund të ishte më i mprehtë? Çfarë do të mund ta shkundte e ta fuste në panik e aksion më shumë se ky zbulim i frikshëm shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe pastaj me rradhë, politikën, ekzekutivin, sistemin e drejtësisë. Çfarë do ta vinte më shpejt në lëvizje edhe vetë pushtetin mediatik, të zgjedhur si spektator e dëshmitar i rradhës së parë të paralajmërimit ogurzi dhe kërcënues?

Çfarë ndodhi pra, që një gjëmim i tillë presidencial kaloi me lehtësinë e ngjalës në duar të palara ende nga vaji i Vitit të Ri dhe përtacisë parazgjedhore?

Ka shumë arsye që e justifikojnë dhe e shpjegojnë këtë histori paradoksale. Disa nga to janë të përqëdruara pikërisht tek kumtuesi, tek Presidenti i Republikës, të tjera tek mënyra e kumtit, vendi i zgjedhur për ta bërë dhe mbi të gjitha, mënyrën e papërshtatshme për t’ju qasur kësaj historie me parashikim.

Zoti Nishani është njeri politik. Asnjëherë nuk e ka fshehur përkatësinë e tij partiake, mërinë ndaj të majtës në pushtet sot e dëshirën për ta nxjerrë në opozitë nesër. Asnjëherë nuk ka përtuar të vetëpërfshihet edhe në kauza që ndajnë politikisht shoqërinë shqiptare, por që i kanë ndenjur shumë ngushtë shpatullave presidenciale dhe identikitit normal që duhet të ketë kreu i shtetit. Edhe i një shteti që shpesh i ngjan një teatri me kukulla të zemëruara.

Që në këtë pikë dhe për këtë shkak, në morinë e mesazheve që jep, Presidenti ynë i Republikës, garanton mosbesimin e të paktës gjysmës së audiencës së tij. Edhe mes komunitetit të medias është e njëjta gjë. Pothuaj gjysma e të ftuarve të së martës, paraprakisht e kishte të ndarë mendjen që Presidentit do t’i pihej vera, por nuk do t’i dëgjohej fjala. Do t’i urohej sukses, por do t’i mirëpritej humbja. Do t’i merrej leja për të pozuar, por do t’i quhej lojë paralajmërimi.

Teorikisht, Presidenti i Republikës nuk është një njeri i zakonshëm. Zoti Nishani e ka humbur këtë shans në presidencën e tij sepse zgjodhi të merret me një mori gjërash të zakonshme, edhe kur ishte fare e panevojshme! Për këtë shkak, edhe kumtet e jashtëzakonshme opinioni ja pret me kutin mosbesues të të rëndomtës.

Lista mund të vazhdonte gjatë dhe një vend të rëndësishëm në të do të zinte edhe fakti që në festa zakonisht nuk dëgjohen këmbanat. Se në Shqipëri, por dhe gjetkë në Ballkan, edhe vakitë, edhe gostitë janë të zhurmshme. Megjithatë. të gjitha këto janë arsye anësore. Thelbi është gjetkë. Tek mënyra e gabuar që zgjodhi vetë Presidenti dhe qasja gjithashtu e gabuar e ndarjes së këtij alarmi dhe përballjes me të. Fjalia e tmerrshme: “….evidenca serioze tregon se grupe të caktuara të botës së krimit do tentojnë të influencojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare…”, është një fjali që mund ta thotë një njeri i zakonshëm. Shumë-shumë një deputet nga ata të rreshtit të pestë e më tutje në parlament. Alarmi presidencial duhej të ishte formuluar tërësisht ndryshe. Minimalisht duhej thënë: “Kam dërguar në prokurori evidenca (prova, në shqip), kam thirrur ministrin e brendshëm, shefin e SHISH-it, kam komunikuar me kryeministrin, kryetarin e kuvendit, kryetarin e opozitës. Kam vënë në dijeni ambasadorët e vendeve partnere, e të tjerë e të tjerë… për provat që kam se bota e krimit do të tentojë të influencojë në zgjedhje. Atdheu është në rrezik, por një hetim serioz dhe gjithëpërfshirës ka nisur me aktorë dhe faktorë vendas dhe të huaj. Ju ftoj dhe ju si gazetarë të bëheni palë në këtë ndeshje me të keqen që rrezikon të ardhmen e vendit!”

Ka apo nuk ka të drejtë Presidenti në atë që thotë, ka apo nuk ka prova serioze për këtë pohim dramatik është tërësisht tjetër gjë. Alarmi për ujkun që do të shqyejë bagëtinë legjislative, i dhënë në një mënyrë të tillë nga kryebariu ynë institucional, nuk ka mbërritur aty ku duhet. Madje duke u shoqëruar me mosbesim edhe është dëmtuar në thelbin e tij.

A ka ndërhyrë krimi në politikën shqiptare? Nuk ishte i nevojshëm ligji i dekriminalizimit për të mësuar këtë të vërtetë që dihej, por për të cilën flitej pak. A ka përfaqësues të krimit në vendimmarrje? Padyshim që po. Madje ata që nuk i prek ligji për dekriminalizim janë shumë më shumë se ata që po ky ligj tenton t’i çojë në shtëpi. A mund të ketë shenja, tentativa dhe përpjekje që krimi do të tentojë sërish të rikalojë rrjetën delikate të ligjit të dekriminalizmit dhe për të hyrë në vendimmarrjen politike? Do të ishte absurde të mendohej e kundërta.

Problemi qëndron tek qasja që bëhet ndaj këtij problemi i cili është krijuar nga politika dhe që mund të zgjidhet vetëm me një moral tjetër në politikë. Edhe tek qasja e Presidentit. Jo me rreshtime partiake. Jo me gëzimin e lig të opozitarit që fërkon duart kur gabon qeverisja dhe anasjelltas, por me shqetësimin politik që një hall i tillë nuk le askënd pa prekur nëse ndodh. Se kjo është një luftë që edhe indiferentin do ta numëronte moralisht si armik. Askush nuk ka imunitet nga kjo lloj e lige. Por gjërat e jashtëzakonshme nuk thuhen në mënyrë të zakonshme. Në koncert nuk flitet për mortin dhe nga morti nuk shkohet direkt në koncert. Nëse ekzistojnë evidencat për tentativat zgjedhore të krimit, siç i quan provat Presidenti Nishani, ato ose bëhen tërësisht publike, dërgohen aty ku duhet e niset një luftë gjithëpërfshirëse me shumë aleatë, ose thjesht ambalazhohen në kuti kartoni ngjyrë bezhë. Dhe merren me vete si suvenire të një kohe të jashtëzakonshme, por fatkeqësisht të çuar dëm. (Javanews)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

5 komente në “Presidenti, një lojë dramatike me të ardhmen”

  1. Peco says:

    Aman o zot, kur do binden keta gazetaret tane, se eshte ndryshe te percjellesh nje mesazh politik ne menyre te drejtperdrejte, pa sterhollime dhe zbukurime letrare dhe ndryshe te besh hartime te tipit qe me teper duan te tregojne sa bukur shkruajne dhe jo sa bukur percjellin mesazhin qe duan te thone. Ky Vangjeli ngordh per te treguar se sa i ditshem dhe sa bukur shkruan. Por ne fund kushdo, qofte edhe fare i vemendshem e ka te veshtire te marre vesh cfare do te thote, pasi ashtu sic thote populli, ky “hapet si vaji ne lakra” dhe ate qe mund dhe duhet ta thote me 5 rreshta e thote me 25, 20 nga te cilet as qe jane fare te nevojshem te jene ne shkrim.

    1. s.h. says:

      Per mua shkrimi jo vetem qe percjell mesazhin, por eshte shkruar qarte dhe bukur ! Nderkohe , ti Peco, reflekto per mesazhin, pastaj merru me stilin e te shkruarit !

  2. Moni says:

    Lorenc, mbase gaboj, por ky deklarim i presidentit a nuk duhet te ishte nje alarm edhe per prokurorine dhe organet e tjera ligjzbatuese? A nuk duhet thirrur urgjent presidenti nga prokurori i pergjithshem?
    Te jape informacion per te dhenat qe ka dhe nese mashtron edhe te denohet per perhapje paniku, ose per fshehje e mostregim krimi, ne mos per bashkepunim ne krim.

  3. loreta says:

    Peco, qenke merzitur nga shkrimi Vangjelit sikur te ishe pjese e organeve te presidentit! Vangjeli ka spjeguar shume bukur dhe shqip, duke u a çuar ne vemendje te gjitheve atyre qe kane mendje se presidenti republikes nuk eshte aty per nxjerre fjale se grupe kriminale jane pergatitur qe te vjedhin zgjedhjet dhe kete te u a thote gazetareve, por po eshte e vertete, te therrase gjithe strukturat shtetrore te specializuara dhe tu a percjelle qe te mbrohemi nga “kjo hata” qe presidenti ka zbuluar. Vangjei thote dhe nje here qe ky nuk eshte as mish e as peshke, por nje kalbesire partiake qe nuk ja vlen ta degjosh fare, ose gezon ata gazetare qe i shkojne per shtat atij si profesorin Gjekmarkaj psh.

  4. populli says:

    Kjo pra eshte opozita e sotme,duke filluar nga presidenti dhe te gjithe me rradhe,qe ishin ne qeverisjen e djeshme,bemat e te cileve,per keq,ky popull nuk i harron kollaj,prandaj cfare do qe thote nuk e beson kush.Zgjedhjet po vijne dhe populli do te tregoje kujt i beson.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *