Mbi 20 zyrtarë dyshohen për krime jashtë vendit, prokuroria i dërgon dosjet Interpolit. Në listë edhe deputetë

prokuroria_e_pergjithshme_2Është më tepër se 20 numri i zyrtarëve mbi të cilët ka hije dyshimi se kanë kryer krime jashtë vendit. Pak ditë më parë, Prokuroria njoftonte se do të merrte shenjat e gishtave për më shumë se 30 zyrtarë, pasi kishte dyshime dhe indicie në lidhje me të shkuarën e tyre. Gjithçka vjen në kuadër të ligjit të dekriminalizimit për të cilin Prokuroria duket se e ka intensifikuar punën e saj. Pasi ka përfunduar procesin e marrjes së shenjave të gishtave, Prokuroria ka vendosur që t’i dërgojë Interpolit dosjet e 20 zyrtarëve. Organi i hetimit dyshon se këta 20 zyrtarë mund të kenë përdorur identitete të ndryshme jashtë vendit dhe kanë kryer vepra penale të shkallëve të ndryshme, ndaj u ka marrë atyre shenjat e gishtërinjve në mënyrë që Interpol më pas të bëjë verifikimet e duhura për të arritur në përfundime të sakta.

Dyshohet se këta zyrtarë kanë përdorur më shumë se një identitet jashtë Shqipërisë ndërkohë kur janë kthyer kanë ndryshuar emrin. Gjithashtu mendohet se në listën e këtyre 20 personave bëjnë pjesë edhe deputetë të Parlamentit të Shqipërisë, mbi të cilët ka hije dyshimi mbi të shkuarën e tyre. Struktura për dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme i ka nisur dosjet e secilit prej 20 zyrtarëve Interpolit dhe është në pritje të përgjigjeve që do të marrë nga ky partner strategjik.

Pas marrjes së përgjigjes nga Interpol, Prokuroria do të ndjekë procedurën standarde që ka ndjekur me rastet e tjera duke kërkuar largimin e zyrtarëve nga postet që mbajnë aktualisht. Sa u përket deputetëve dyshimet janë të shumta, por ende nuk ka emra konkretë të cilët janë nën hetim shkruan ‘sot’. Tashmë precedenti për këta të fundit është krijuar pasi pak javë më parë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve u hoqi mandatin tre zyrtarëve të lartë, dy deputetëve, Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selamit si edhe kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi.

Natyrisht për këtë vendim pati deklarata dhe qëndrime të ndryshme edhe brenda Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, pasi anëtarët e Partisë Demokratike në komision votuan kundër heqjes së mandatit të Dashamir Tahirit. Pas vendimit, Rroshi , Selami dhe Tahiri e ankimuan vendimin e KQZ.

Intensifikimi i hetimeve

Edhe pse ka më tepër se një vit që ka hyrë në fuqi, duket se ligji i dekriminalizimit tani po i jep efektet e tij të para. Prokuroria i ka intensifikuar përpjekjet për zbatimin e ligjit në fjalë dhe kjo shihet në faktin që njësia e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Tiranës do të bëhet me 3 prokurorë, për shkak të rëndësisë që po merr. Bashkë me Petrit Fushën në këtë njësi ka shkuar edhe prokurorja Alma Muça.

Ndërkohë, drejtuese e kësaj njësie do të vazhdojë të jetë Rovena Gashi. Aktualisht Petrit Fusha vazhdon të mbajë dhe postin e kreut të akuzës së kryeqytetit, por në këtë post, ai është i komanduar deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri. Për momentin, nuk ka asnjë informacion për emrin që do të zëvendësojë Petrit Fushaj në krye të Prokurorisë së Tiranës, e cila po heton 5 padi të ngritura ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.

Pak ditë më parë, kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha u fotografua, duke drekuar me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Deri tani efektet më të mëdha ligji i dekriminalizimit i ka pasur në radhët e këshilltarëve bashkiakë. Deri tani numri i këshilltarëve bashkiakë të larguar në të gjithë vendin ka shkuar në 72 dhe mund të rritet më tepër

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *