Turqia nën efektin e frikës

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

turqiNga Andrew Finkel, The Guardian

Burri i fortë i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogani, nuk para kthehet në pozicion mbrojtjeje. Që në daljen e parë publike pas masakrës që ndodhi në atë klub nate në vigjilje të Vitit të Ri, ai e ndiente veten të detyruar që ta refuzonte publikisht se qasja jotolerante e qeverisë së tij ndaj shoqërisë civile mund të kish inkurajuar sulmin që ndodhi, i cili u mor përsipër prej Shtetit Islamik dhe ku humbën jetën plot 39 të vdekur.

Erdogani fliste para një mbledhjeje të zakonshme me përfaqësues të zgjedhur, mundësi si këto ai i përdor rëndom për të shprehur mbështetjen e tij politike ndaj qeverisë.

Sidoqoftë, shoku i shkaktuar prej sulmit vetëm sa e ka polarizuar edhe më tej shoqërinë tashmë të përçarë. Ndërkohë që askush nuk mendon se është vetë qeveria përgjegjëse, ajo akuzohet se ka krijuar një atmosferë fanatizmi fetar, i cili mund tëçojë deri edhe në vrasje.

Askush nuk duhet të ndihet i detyruar që të ketë të njëjtën mënyrë jetese, – u shpreh Erdogani, duke shtuar se, nëse ekziston dikush që ka jetuar nën trysninë për të jetuar një jetë të huaj për të, ka qenë “ky vëllai juaj”, duke pasur parasysh veten.

Natyrisht, ngjitja e Erdoganit që nga rruga deri në një pallat presidencial që arkitektët thonë të ketë kushtuar deri në 1.5 miliardë dollarë, është e jashtëzakonshme. Në vitin 1998 ai largohet nga detyra e tij si kryebashkiak i Stambollit, duke u arrestuar madje për recitimin e vargjeve të një poezie të mirënjohur me frymë nacionaliste, veprim të cilin prokuroi e cilësoi si “nxitje për dhunë dhe urrejtje fetare”.

Sidoqoftë, pengesa edhe më të mëdha mund të ketë në të ardhmen. Nuk se është më e nevojshme që të rendisim këtu vështirësitë me të cilat po përballet Turqia e Erdoganit. Një luftë civile përgjatë kufirit me Sirinë ka çuar në një hyrje të gati tre milionë refugjatësh. Ekonomia që dikur ishte aq e bujshme, tanimë ka filluar tëçalojë. Në vitin 2015 – për të tërhequr votat e nacionalistëve – qeveria u dha fund përpjekjeve të saj për të siguruar një marrëveshje me separatistët kurdë. Por mbi të gjitha janë sulmet terroriste që vijnë njëri pas tjetrit.

Të enjten e shkuar një tjetër sulm terrorist nisi të ndërmerrej në një gjykatë në qytetin e Izmirit, në Egje, duke lënë dy të vdekur dhe dy persona të ndaluar, të cilët mendohet se ishin militantë kurdë. Një tjetër sulm me predhë në komisariatin e policisë në një qytet kurd në Jug-Lindje të vendit, edhe ky në vigjilje të Vitit të Ri, por ishte aq i zakonshëm, saqë nuk u ndie nevoja që të bëhej publik.

Ndërkohë që, krejt ndryshe, vrasja makabre në klubin e natës “Reina” vështirë të harrohet prej shoqërisë turke. Nga shansi apo nga plani i mirëmenduar, vrasësi, i cili po e agravon edhe më ndarjen mes “neve dhe atyre” në shoqërinë turke. Pavarësisht garancisë që përpiqet të japë presidenti, shumë turq ndihen që mënyra e tyre e jetesës është tashmë nën rrethim.

“Deri kur, deri kur të ndahemi të gjithë në copa-copa? – shprehej pronari i një restoranti të njohur në Stamboll, i cili, si shumë të tjerë në opinionin publik, dëshiron të mbetet anonim.

Reina ndodhet nën hijen e urës së parë të Bosforit, të cilën ju mund ta kujtoni fare mirë nga imazhet e urës së bllokuar prej tankeve natën e tentativës për grusht shteti. Që prej asaj dite Turqia ka qenë nën gjendjen e jashtëzakonshme për të pastruar vendin nga ajo që politikanët atje e quajtë si infiltrim terrorist brenda shtetit. Qeveria akuzon ndjekësit e Fethullah Gylenit, një predikues mysliman, i cili jeton në ekzil të vetëzgjedhur në Pensilvani.

Ndërkohë që ende nuk është nxjerrë dot asnjë figurë e qartë përgjegjëse, nga radhët e nëpunësve civilë janë shkarkuar plot 120.000 vetë dhe një e treta e tyre gjenden të ndaluar prej policisë, përfshi këtu edhe dy anëtarë të gjykatës kushtetuese.

Menjëherë pas sulmit te Reina, shumë njerëz kanë filluar të dyshojnë se qeveria po merret me armikun e gabuar ose, të paktën, se mos vallë ata që po përndiqen janë ata që duhen besuar. Kjo arriti kulmin kur një nga truprojat e presidencës qëlloi për vdekje mbi ambasadorin rus në Turqi, çka ai e tregoi vetë me bujë se kjo ishte një hakmarrje për Halepin.

Njerëzit e zakonshëm, përfshi këtu edhe mbështetës të qeverisë, dolën rrugëve verën e shkuar për të bindur pjesëmarrësit në grushtin e shtetit që të heqin dorë. Madje edhe kundërshtarët e qeverisë ishin të nervozuar se si ishte e mundur që kishte njerëz që mendonin se ti mund të marrësh kontrollin e një vendi të G20-ës vetëm duke zaptuar një stacion televiziv, ndërkohë që aeroporti i Stambollit ishte i hapur për fluturime.

Por, nëse vendi do të kthehej shpejt drejt normales, tashmë ekziston një normale e re, kur presidenti është shumë më i fortë, por vendi që ai drejton është dobësuar ndjeshëm. Një prej frikërave që njerëzit ndajnë me njëri-tjetrin është se Erdogani tanimë mbështetet te mbështetësit e tyre kryesorë dhe ka hequr dorë prej pretendimit për t’u bërë “lideri i mbarë kombit”.

“Turqia nuk mendon më në terma të së majtës dhe të së djathtës, por në ato të sekularizmit dhe islamizmit,” – shprehet Aishe Onxhy, profesore emeritus e Sociologjisë në universitetin “Sabanxhë” të Stambollit.

Kreu i Drejtorisë për çështjet Fetar të Turqisë, institucion ky i financuar drejtpërsëdrejti nga shteti ndërmorri një fushatë ku demonizonte festimin e Vitit të ri dhe shtypi gumëzhiu me pamje babagjyshësh të linçuar – ekuivalenti turk i Santa Klausit. Kur një shkolle gjermane në Stamboll iu kërkua me forcë që të anulonte aktivitetet e saj festive, e përditshmja Die ëelt u përgjigj me një karikaturë të Erdoganit, ku ai paraqitej si Grinçi që rrëmbeu Krishtlindjet.

Për një gazetë turke, të bënte të njëjtën gjë do të ishte një akt i jashtëzakonshëm guximi. Duke nënvizuar shqetësimet e sekularistëve, mund të themi se qeveria është e gatshme që ta cilësojë si kriminal çdo kundërshtim ndaj saj. Të paktën 140 gazetarë dhe shkrimtarë gjenden sot pas hekurave, në një situatë spastrimesh në radhët e shtypit që prej tentativës për grusht shteti. “Kushtet e burgjeve janë të tmerrshme dhe deri më tani nuk është paraqitur asnjë provë kundër shumë prej atyre që mbahen të ndaluar, qoftë ata për të cilët dihet publikisht, qoftë për ata që janë ndaluar e kjo është mbajtur e fshehtë,” – shprehet Katie Morris, drejtoresha për Evropën dhe Azinë Qendrore për Artikullin 19, që shërben si zyrë avokatie për lirinë e shprehjes.

Duke pasur shumë pak ose fare shpresë te drejtësia në vend, nuk është fakt surprizues që shumë prej viktimave po aplikojnë nëpër gjykatat evropiane për të drejtat e njeriut, – shprehet Morris-i. Një prej tyre, shkrimtari Ahmet Alltan, ka akuzuar qeverinë se nuk ka arrestuar ata që u përfshinë në grushtin e shtetit, por ata që u përpoqën të zbulonin se çfarë ndodhi me të vërtetë. Ai vetë u arrestua vetëm katër muaj më parë, por, siç shprehet avokatët e tij, ai nuk është përballur ende me asnjë akuzë.

Poende nuk dihet nëse rrëzimi i këtyre çështjeve nga ana evropiane do të ketë ndofarë ndikimi. Kur Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) – në hapjen e së cilës ndihmoi edhe vetë Erdogani –  erdhi në pushtet në fillim të viteve 2000, ajo e pati shpallur veten si jetësuesen e një politike islame që do të ishte e ngrohtë për të gjithë. Se në vend që ta largonte vendin edhe më prej perëndimit, ajo do ta bënte vendin më demokratik, më evropian dhe më të përshtatshëm për të luajtur rolin e një lidershipi të moderuar në arenën ndërkombëtare.

Tanimë kanë kaluar plot pesëmbëdhjetë vjet dhe Turqia është më e izoluar se kurrë. Kjo është pjesërisht e tillë edhe për shkak të luhatjeve në Siri. Në fillim Turqia ishte kundështare e paepur e Rusisë, sepse kjo e fundit mbështeste presidentin Bashar el-Asad, edhe pse po përballej me një embargo ekonomike. Madje deri atje, sa që një F-16 turke rrëzoi një avion luftarak rus në kufirin e saj. Tani ajo debaton me Shtetet e Bashkuara për mungesë të mbështetjes nga ajri në Siri, ndërkohë që trupat turke përpiqen të kontrollojnë bazat e Shtetit Islamik para se atje të mbërrijnë kurdët sirianë. Pas një jave tensionesh diplomatike, Turqia kërcënoi se do t’i nxirrte forcat e NATO-s prej bazës ajrore kryesore në Mesdhe, atë të Inxhirlikut.

Një shkelje në ngritje e të drejtave të njeriut e ka dobësuar ndjeshëm reputacionin ndërkombëtar të vendit dhe e ka zhbërë edhe simpatinë që Turqia mund të fitonte si një vend i sapodalë nga një përpjekje për grusht shteti. Dhe, ndërkohë që influenca e saj zbehet, brenda kanë filluar të lulëzojnë gjithfarë teorish komploti dhe koniukturash të fshehta, ku gjithkush gjen diçka për të akuzuar kë të dojë.

Një e përditshme proqeveritare e sajoi një fotomontazh ku e paraqiste atentatorin e sulmit në klubin e natës në krah të presidentit Barack Obama.

Moti i ftohtë dhe kufizimet në furnizimin me gaz natyror të Turqisë shkaktuan ndërprerje të vazhdueshme të energjisë në fund të 2016, mirëpo shumë shekullaristë turq zgjodhën të besonin se shpjegimi i kësaj nuk është tjetër, veçse një orvatje e qeverisë për të sabotuar festimet e mundshme të Vitit të Ri. Megjithatë, të premten ministri i energjië (njëherazi edhe dhëndërr i presidentit Erdogan) sqaroi se ndërprerja e energjisë elektrikëështë shkaktuar prej disa sulmesh kibernetike me origjinë Shtetet e Bashkuara. Ndryshe nga Rusia, tek e cila mbështetet tashmë presidenti Erdogan, Turqia nuk ka rezerva natyrare në naftë apo gaz natyror, të cilat të mund t’i përdorë për të ruajtur besnikërinë e mbështetësve të vet. Deri më tani, AKP-ja e qetëson veten duke u mbështetur te besueshmëria e publikut dhe ndërtimi i tuneleve, urave dhe një aeroporti të tretë në Stamboll, për të mbajtur besnikët e saj të gëzuar dhe për të lubrifikuar ekonominë. Qendrat tregtare kanë qenë simbolet e regjimit të tij, po aq sa edhe xhamitë.

Tanimë rrugët janë thuajse bosh. Edhe përpara masakrës së Reinas, lira ishte në rrezik. Inflacioni është në rritje, rritja ekonomike e ngadalësuar dhe tregjet po ndiejnë shumë vështirësi prej normave të interesit. “Këto janë kohët kur investitorët presin për një përgjigje të fortë politike, mirëpo mjedisi politik nuk duket se do ta mundësojë dot diçka të tillë,” – thotë Murat Yçer, ekonomist këshillues pranë Global Source Partners.

Që prej grushtit të shtetit, Turqi gjendet nën një formë të gjendjes së jashtëzakonshme që qeveria mund të qeverisë vetëm nëpërmjet dekreteve presidenciale. Ndërsa tani presidenti po ushtron trysni për një varg ndryshimesh kushtetuese që do ta bënin këtë lloj qeverisjeje të përhershme.

“Një sistem demokratik presidencial ka të mirat dhe problemet e veta – sepse ky mund të bëhej një regjim nga një dorë e vetme,” – thotë Ergun Ozbudun, profesor i të drejtës kushtetuese, i cili ka qenë këshillues i Erdoganit gjatë ndryshimeve kushtetuese në 2007, kur ky i fundit ishte kryeministër.

Sado i zënë ngusht të jetë Erdogani, shumë pak presin se ai do të hedhë hapa mbrapa. “Ju mund të mos e pëlqeni diçka, por ajo mund të jetë e mirë për ju dhe ju mund ta doni diçka, ndërkohë që ajo është e keqe për ju,” – u shpreh ai në mesazhin e urimit për Vitin e Ri – duke dashur të tregojë se njerëzit mund ta shohin autoritarizmin aktual si diçka të hidhur, por me kalimin e kohës ata kanë për ta shijuar atë ndryshe.

https://www.theguardian.com/world/2017/jan/07/turkey-fear-as-crackdown-follows-terror-attack-istanbul-new-years-eve

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *