Dy kapadainj, Putini dhe Erdogan, provojnë miqësinë

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

putin erdoganNga Daniel Pipes

Vrasja në 19 dhjetor, në Ankara, e ambasadorit rus në Turqi, Andrey Karlov, ngre disa çështje të mëdha gjeopolitike: Ky akt i dhunshëm, a do të thyejë marrëdhëniet mes dy vendeve, a do të izolojë Turqinë, apo – ndryshe nga çfarë thotë intuita – do të përmirësojë lidhjet e tyre? Dhe a do të ndikojë kjo vrasje në Lindjen e Mesme e në botën përtej?

Turqit dhe rusët kanë një histori të gjatë dhe të ndërlikuar që fillon me pushtimin otoman të Kostandinopojës, më 1453 dhe me ëndrrën ruse që ta pushtojë atë mbrapsh për t’ia kthyer Krishtërimit Ortodoks. Të dy shtetet luftuan 12 luftra madhore në tre shekuj e gjysëm, ndërmjet 1568 dhe 1918, por patën një fllad marrëdhëniesh të mira, nën udhëheqjen e Ataturkut dhe Leninit, deri sa Stalini përkeqësoi gjithshka. Marrëdhëniet u përmirësuan thelbësisht në 1991 me shpërbërjen e Bashkimit Sovietik, pastaj ranë përtokë (2015) dhe u rimëkëmbën (2016).

Përgjithësisht, rusët kanë pasur epërsi. Kanë fituar luftra, kanë pushtuar më shumë tokë, dhe kanë përfituar më shumë nga traktatet. Turqit e kanë kuptuar prej shumë kohësh nevojën për ndihmë nga Perëndimi për të përballuar Rusinë: prandaj, siguruan mbështetjen e një koalicioni të katër fuqive, në mesin e shekullit të 19, të Bllokut Qendror në Luftën e Parë Botërore, dhe të Organizatës së Aleancës të Atlantikut Verior (NATO) gjatë dhe pas Luftës së Ftohtë.

Frika nga Moska ka ndikuar te turqit në mënyra shumë më të thella, duke i shtyrë ata ngadalë drejt tipareve perëndimore; prej gjithë myslimanëve, turqit kanë qenë më të hapurit ndaj ndikimit perëndimor, që nga pirja e verës te ndërtimi i demokracisë. Një turk, Kemal Ataturku, jo rastësisht, shquhet si myslimani perëndimorizues me më shumë ndikim.

Këto zakone shekullore qendruan përgjithësisht në fuqi derisa presidenti autoritar islamist i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, vendosi në Nëntor 2015 që të rrëzojë një avion luftarak rus me akuzën se shkeli hapësirën ajtore turke. Cilado që të ketë qenë arsyeja e tij – mbase hakmarrje për rrëzimin e një aeroplani të ngjashëm turk nga forcat siriane në 2012 – ky akt kapriçioz njëkohësisht inatosi Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe ftohu udhëheqësit e NATO-s. E thënë me termat e oborrit të shkollës, kapadaiu i vogël gaboi duke iu hakërruar kapadaiut të madh.

Erdogani me kalimin e kohës e kuptoi gabimin që kishte bërë dhe në qershor 2016, e gëlltiti krenarinë e tij të fryrë, dhe i kërkoi falje Putinit, duke e vizituar përunjësisht në Rusi, dhe duke u tërhequr pjesërisht nga ato politika turke në Siri që bien ndesh me ato të Putinit. Pa treguar ndonjë ngrohtësi apo besim te Erdogani, udhëheqësi rus u mjaftua me këto lëshime dhe rifilloi bashkëpunimin me të.

Pastaj erdhi të hënën e kaluar, vrasja e ambasadorit rus në një ekspozitë arti, imagjino se ku ndodhi, një ngjarje e bërë koma edhe më e tmerrshme nga videoja me rezolucion të lartë që filmoi dhunën. Vrasësi, Mevlyt Mert Altëntash, 22 vjeç, deklaroi hapur pikëpamjet dhe synimin e tij, me zë të lartë, përpara se të vritej edhe vetë nga plumbat, “Ne jemi ata që i bindemi thirrjes për xhihad! Allahu Akbar! Mos e haroni Halepin! Mos e harroni Sirinë!” Duke imagjinuar që kur dikush lëshon parrulla me zë të lartë kur vret dikë dhe pastaj vritet, është duke bërtitur të vërtetën Altëntashi ishte një xhihadist sunit që po shfrynte kundër ndihmës ushtarake ruse në Siri për armiqtë e xhihadistëve të tjerë sunitë.

Siç e kanë zakon, autoritetet turke vrapuan të shpallin Altënashin, agjent të armikut të tyre për vdekje, lëvizjes Hizmet të Fethullah Gylenit. Dikur aleatë të ngushtë, Gylen dhe Erdoğan janë bërë armiq për vdekje, në konkurrencë për pushtet, në 2011. Qysh atëhere, Erdogani është munduar ta shtypë Gylenin dhe miliona ndjekësit e tij duke ua vënë fajin për çdo problem. Duke fajësuar Gylenin për Altëntashin, ai ushqeu atë narrativë lodhur dhe nga ana tjetër i bëri shenjë Moskës se Republika e Turqisë e sheh vrasësin si armikun e tyre të përbashkët. Putini u përgjigj me të njëjtën monedhë, duke ia vënë “terrorizmit” fajin për vrasjen dhe duke e çliruar Erdoganin me shokë nga përgjegjësia.

Vërtet, në kontrast ironik me dëshirën e dukshme të Altëntashit, akti i tij i dhunës, i afroi në vend që t’i largonte dy qeverisësit me dorë të fortë; një analizë e “Chicago Tribune” vinte në dukje se: “Rusia po korr fryte duke pretenduar se po paguan çmim të rëndë ngaqë po lufton terrorizmin, ndërkohë që Turqia, e turpëruar nga paaftësia për të siguruar ambasadorin, po shton koordinimin me Rusinë në Sirinë fqinje”.

Pavarësisht nga këto, marrëdhëniet mes dy shteteve mbeten të mbushura me tension: Armiqtë historikë nuk i harrojnë inatet. Kapadainjtë nuk mund të ndërtojnë një marrëdhënie të qendrueshme. Si kundërshtarë në luftën civile të Sirisë, ata nuk mund të sheshojnë synimet e tyre të kundërta. Strukturalisht, Ankaraja ka nevojë për NATO-n; kështu që fjalët se do t’i bashkohet Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, përgjigjia ruso-kineze ndaj NATOs, duket se kanë qenë thjesht broçkulla për t’u bërë presion Perëndimorëve.

Vrasja e Karlovit nënvizon se si turqit sa më shumë vetizolohen dhe dalin nga binarët, ky vend 75 milionësh mund të bëhet një burim kryesor trazirash. Ndonëse ende anëtare e NATO-s, Turqia e Erdoganit, tani është në rivalitet me Iranin khomeinist për titullin e regjimit më të rrezikshëm të Lindjes së Mesme.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *