INTERVISTA/ Andi Bushati: Basha do ta paguajë shtrenjtë që nuk u nda nga Berisha. Pse jam kritik me Ramën e Veliajn dhe pse u prisha me Aleksandër Frangajn

bushatiTemA

Analisti i njohur Andi Bushati, në një intervistë për gazetën “TemA” flet mbi lirinë e medias në vend dhe marrëdhënien e saj me pushtetin.

Ai u shpreh se televizionet kryesore kanë harruar misionin për të cilin kanë marrë licencën kombëtare, duke e shkëmbyer atë me ndërtim pallatesh apo kioskash.

I pyetur për marrëdhënien me pronarin e televizionit Klan, Aleksandër Frangaj dhe administratorin e UET Henri Çili, analisti tregon se këto dy figura, sipas tij të përbuzura, nuk mund të merren kurrë si modele për fëmijët.

Bushati gjykon të mirat dhe defektet e qeverisë duke vendosur theksin tek kanabizimi i vendit si dhe i sponsorizimit të të inkriminuarve në politikë.

Ai gjithashtu paralajmëron koston e lartë në zgjedhje që do të paguajë Lulzim Basha për mos shkëputjen nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Bushat, këto ditë ka pasur një debat të fortë mbi lirinë e medias, duke u nisur nga rasti i Shkullakut dhe Lelës. Nuk mendoni se është pak i ekzagjeruar ky debat për “kapjen” e mediave, kur sot më shumë se kurdo, informacioni mund të depërtojë ngado online dhe në rrjetet sociale, të cilat janë vështirë të kontrolluara nga pushteti?

Po është e vërtetë që shumë njerëz mund ta mendojnë kështu. Në kohën e Facebook-ut asgjë nuk mund të mbahet e fshehtë. Por, unë mendoj se ky është një vështrim i thjeshtëzuar. Sepse debati për kapjen e mediave është shumë më kompleks.

Ju ka shkuar ndonjëherë në mendje se Top Channel, apo Klan nuk janë vetëm prona të familjeve Hoxha apo Frangaj, por pasuri publike. Shteti shqiptar i ka pajisur ata me licenca kombëtare dhe ato pak frekuenca, për të informuar publikun dhe jo për të bërë pallate apo ngritur kioska.

Pra, në këtë kuptim, nëse këto pasuri kombëtare shfrytëzohen nga pronarët të cilët i shërbejnë pushtetarëve për të rrëmbyer të tjera pasuri publike, këtu kemi mendoj unë një problem. Këto televizione të kthyera në biznes familjar janë një vjedhje e pronës publike, dhe një përçudnim i frikshëm i demokracisë.

Së dyti vërtet sot kemi një boom të rrjeteve sociale dhe të mediave që gëlojnë në rrjet. Por këto të fundit, po aq sa janë një hapësirë e paimagjinueshme lirie, po aq janë edhe shpërndarëse të “fake news”, atyre lajmeve të rreme (aq shumë të debatuara edhe në një demokraci shumë të zhvilluar si ajo në ShBA gjatë zgjedhjeve të fundit) që nëse nuk kalojnë nga filtri i mediave serioze, bëjnë që të mbretërojnë gënjeshtra të frikshme.

Prandaj, kur në raste si ky yni, kur kryeministri kap mediat dhe televizionet kryesore, pasqyrimi i gënjeshtërt i realitetit mbërrin në përmasa shqetësuese. Tele-qeverisja është krejtësisht në drejtim të kundërt me problemet e njerëzve. Ky debat ka shkaktuar një përplasje me Henri Çilin, që ju konsideron si një sahanlëpirës, mosmirënjohës e xheloz ndaj pronarëve të mediave si ai dhe Aleksandër Frangaj, çfarë mund të na thoni për këtë?

Nuk besoj se ka njeri me mendje të shëndoshë, që ka zili modelet e Çilit apo Frangajt në jetë. Nuk besoj se ekziston ndokush, normal, që i sheh ata si modele se si mund te edukojë fëmijët e tij. Unë vetë nuk kam qenë ndonjëherë i pasur, por nëse do të më ndodhte në jetë (nuk shpresoj) mendoj se do ta kisha një mburojë më tepër për krenarinë dhe integritetin tim. Ndaj unë i përbuz ata njerëz që shkëmbejnë krenarinë me pasurinë dhe s’kam si të jem xheloz për diçka që e përbuz.

Meqë jemi te Frangaj, ju keni punuar gjatë për të dhe keni qenë edhe miq. Çfarë ndodhi mes jush?

Po është e vërtetë që kemi punuar gjatë bashkë, por miq nuk kemi qenë asnjë ditë të vetme, pavarësisht nga rrethi i përbashkët. Na ndan një botë e tërë, në formim, qëllime, botëkuptim për jetën, ambicie për ku duam të arrijmë. Për disa kohë këto u përputhën, kur bashkëpunuam te Koha Jonë, fillimisht unë si gazetar dhe ai si drejtues, më pas si themelues të Klan… Por vokacionet e ndryshme vijnë e bëhen më të theksuara me kohën. Deri sa erdhi një ditë e ai më tha se emisioni që unë bëja, “Zonë e ndaluar” i prishte biznesin e tij me politikanët. Dhe kështu unë u largova nga Klan para zgjedhjeve të vitit 2009.

Si shpjegohet që Frangaj, Fevziu, apo një grup pronarësh e gazetarësh, duket se janë gjithmonë në anën e qeverisë?

E di që ka një keqkuptim të madh për këtë dyshe që unë e njoh shumë mirë, por as që mund të vë një shenjë barazimi mes Frangajt dhe Fevziut. Janë dy botë të ndryshme. Madje as për Frangajn nuk mund të them se ka qenë gjithmonë pro qeverisë. Ka luftuar fort kundër Berishës së parë dhe ka bërë madje dhe burg. Ka bërë betejë kundër Fatos Nanos në vitet 2004- 2005. Fatkeqësia e tij përfundimtare (po të përdor ironikisht shprehjen e Ramës se njeriun e prish sistemi) nisi kur ai u bë pronari i vetëm i TV KLAN, gjë që përkoi me ardhjen e Berishës në pushtet. Që atëherë filloi edhe degradimi i grupit Klan që deri në 2005 ishte një grup me shumë aksionerë dhe shumë plural në qëndrime.

Këto ditë është hapur edhe debati për pasurinë e gazetarëve, nisur nga rasti i Alfred Pezës. A ju duket normale që një grusht gazetarësh paguhen me shifra stratosferike, ndërsa gazetarët e thjeshtë nuk mbyllin dot muajin për shkak të rrogave qesharake?

Unë mendoj se çdo gazetar që merr shifra stratosferike i është larguar misionit të tij. Në një kontekst kur biznesi real i mediave mezi mbahet në këmbë, të pranosh shuma marramendëse do të thotë se po ushqehesh me fonde okulte që e kapërcejnë tregun normal.

A është kthyer ky grup gazetarësh, në një kastë gebelsiane që paguhet për të shtrembëruar realitetin dhe për të bërë propagandë për partitë politike apo politikanë të veçantë?

Shumica po.

Ju jeni ndër kritikët më të ashpër të Edi Ramës. Vërtet çdo gjë e ka bërë gabim Rama dhe është aq i keq?

Pyetje e bukur. Nuk mendoj absolutisht se ka bërë gjithçka gabim. Mendoj se ka bërë mirë që hoqi gardhin nga kryeministria. Mendoj se nuk ka bërë gabim me qëndrimet që ka mbajtur për reformën në drejtësi. Mendoj se nuk ka bërë asnjë gabim në sjelljen me Vuçiçin. Madje më ka ndodhur ta mbroj kur e kanë sulmuar kot së koti se po shet interesat e Kosovës apo se po ndez konflikt me Greqinë…

Por, thënë këto është shumë i keq, për kanabizimin që i ka bërë Shqipërisë, për kriminelët që sponsorizon në politikë, për regjimin kleptokratik që po përforcon dhe për denatyrimin që po i bën ish partisë me demokratike të vendit.

Jo vetëm Ramën, por edhe Veliajn e sulmoni fort në faqen tuaj. Ka shumë njerëz që thonë se ai po bën diçka për Tiranën, ndryshe nga Basha… 

E kam të lehtë ti përgjigjem. E kam dëgjuar këtë refren në kohë të Berishës. Ti i thuaje se me rrugën e kombit po vidhej, ata të përgjigjeshin se kjo qe një vepër madhore e njeriut të punës që po çante malet për të bashkuar shqiptarët. Ti i thuaje se Gërdeci qe një krim shtetëror, ata të thoshin se ai qe një qëllim i lartë për të pastruar vendin nga municionet e komunizmit, në prag të anëtarësimit në NATO. Pra, këtë mitin e njeriut të punës pas të cilit fshihen abuzime të mëdha, instikti im i gazetarit nuk e pranon dot. Prandaj unë nuk mund të duartrokas për Veliajn që shtron apo vizon dy rrugë, para se ti ngre pyetjen: pse gënjeve shqiptarët që u premtove zero ndërtime në Tiranë gjatë fushatës dhe tani po bën një plan plot me kulla për oligarkët? Pse paguan 50 vetë në bashki për të bërë propogandë? Pse fshive nga mediat gjithçka që lidhej me vdekjen makabre të Ardit Gjoklajt? Mendoj se këto janë pikëpyetjet normale që çdo gazetar duhet ti ngrejë. Pastaj për atë “mitin e njeriut të punës”, të mendojnë ato mediat për të cilat folëm më lart.

Nuk është një gjë e fshehtë, që ju jeni mbështetës i Bashës dhe madje thuhet se edhe e këshilloni. Pse mendoni se ai mund të qeverisë më mirë se Rama?

Ja pra që në fund të intervistës keni rene edhe ju viktimë e “fake news”. Po ju përgjigjem direkt. Nuk mendoj se është më i mirë, mendoj që janë njësoj. As që e mendoj se mund ta këshilloj ndonjë ditë, madje as nuk e mbështes, gjë që e tregojnë edhe shkrimet e mia apo përballjet televizive që janë tejet kritike. Unë besoj se ai nuk u nda dot në këto tre vite nga trashëgimia e Berishës dhe për këtë gjë do të paguaj një çmim të lartë në zgjedhje.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...