“Ju rrëfej babain tim Xhevat Hana. Sëmundja e papritur dhe koincidencat me njerëzit e përfshirë në çështjen “Remzi Hoxha””

Albana Hana është vajza e dytë e Xhevat Hanës. Ai ishte baba i katër fëmijëve. Tre vajza dhe një djalë. Prokurori i disa çështjeve të “nxehta” në Shqipëri, ndërroi jetë pesë vite më parë në një spital të Italisë. Sipas analizave ai vdiq nga një “sëmundje e keqe”. Gjithçka ndodhi brenda pak ditësh. Ai nuk pati kohë as të përgatitej për largimin nga kjo botë, pasi përpara se të mbyllte sytë, nuk i tha asnjë fjalë fëmijëve dhe bashkëshortes së tij, të cilët i qëndruan pranë deri në momentet e fundit.

Janari është një muaj i trishtë për familjen Hana. I ka marrë shtyllën e familjes, i ka marr atë të cilën ata e donin dhe e respektonin aq shumë. Fjala e tij në shtëpi ishte ligj. Ai ishte autoritar dhe fjalë pak.

Dy nga fëmijët e tij ndoqën rrugën e drejtësisë, djali dhe vajza e tij Albana, të cilën e takuam paraditen e kësaj të hëne.

Është sa e lehtë aq edhe e vështirë të njohësh prindin nëpërmjet rrëfimit të fëmijës. Aq më tepër kur ai është larguar nga kjo botë në mënyrë të parakohshme. Kujtimet dhe malli përzihen bashkë dhe shpesh ndjen një bllokim që të vjen nga fyti. Nuk të lë të nxjerrësh fjalët. Kjo gjë i ndodhte edhe Albanës në një rrëfim ekskluzive me gazetaren e Dita-s, Entela Resuli.

Babai i saj ka qenë një nga njerëzit më të rëndësishëm të drejtësisë shqiptare. Një emër i pa kompromentuar dhe pse gjatë jetës së tij ka patur shumë çështje të nxehta në dorë.

Shumë e kanë quajtur Xhovani Falkone apo Paolo Borselino. Edhe për sytë e Albanës ai ishte i tillë. I ndershëm dhe i drejt deri në ekstrem.

Albana na tregon se ai ka qenë njeri i sakrificës. Është rritur në një familje të varfër dhe të ndershme në një fshatë të Librazhdit Në klasë të tretë është larguar nga shtëpia ku ka jetuar në konvikte pasi në fshatin ku kishte lindur, nuk kishte shkollë. Ka përfunduar studimet në të gjitha nivelet me rezultate të shkëlqyera.

Drejtësia ishte shkolla që ndoqi dhe që më pas u kthye në mënyrë jetese për të.

-Dukesh sikur i ngjan pak fizikisht, apo jo, e pyes Albanën.

Ul kokën edhe qesh. “Nga fëmijët unë i ngjaj më shumë, edhe në pamje. Kam patur një marrëdhënie të veçantë me babain. Të gjithë fëmijët e kanë këtë, por mua më duket sikur kam qenë më e afërt me të”- tregon vajza e dytë e Xhevat Hanës.

Me tej, ajo thotë se ka një ngjashmëri të theksuar me babain, në mënyrën se si flasin. “Im atë, sa herë që tregonte një histori, e shoqëronte ata me një barsoletë nga pas. Edhe unë kështu e kam, jo më shumë me barsoleta, por me situata filmash. Ai ishte babaxhan. Ndoshta shumë mund të thonë se po flet për babain dhe çdo kush këtë fjali do të thoshte… ndoshta”.

Hana është pjesë e kabinetit të Ministritë të Drejtësisë. Prej me pak së pesë muajsh, punon aty si këshilltare.

Kam përfunduar Shkencat Sociale si fakultet të parë, më pas babai donte shumë që unë të vazhdoja juridikun dhe kështu bëra. Shkolla e dytë që ndoqa ishte për drejtësi. Tani jam duke përfunduar doktoraturën në Gjermani, për drejtësi, duke e ndërthur pak me anën socio-psikologjike, dua t’i mbaj bashkë si investime të miat. Të vazhdoja juridik ka qenë ëndrra e babit”.

Jo vetëm Albana, por edhe vëllai i saj ka përfunduar studimet për Drejtësi.

Duke menduar Xhevat Hanën, prokuror, të bën të mendosh se bazat e dijes në këtë drejtim, Albana mund t’i këtë marr në familje, por babai i saj nuk e ushtronte profesionin brenda mureve të shtëpisë.

Natyra e babit ka qenë që punën e mbante të ndarë nga shtëpia. Ka qenë edhe natyra e profesionit. Por, besoj për të na mbrojtur ne, ai nuk na fliste për çështjet që hetonte dhe kishte në dorë. Na distanconte. Shumë shpesh mendoj se ai nuk gjente shumë persona me të cilët mund të ndante disa gjëra. E kishte të vështirë të gjente të ngjashmit e tij. Natyra njerëzore tundohet, por ai nuk ishte njëri si gjithë të tjerët”.

-Jeni ndjerë ndonjëherë të kërcënuar në familje si pasoj e punës së tij?

Im Atë, gjatë jetës ka patur shumë çështje të vështira dhe është munduar t’i ruaj balancat që ne të mos na prek puna e tij.

Ka patur vetëm dy apo tre momente kur ne jemi ndjerë të kërcënuar dhe të prekur nga puna e tij. Të paktën këto kanë dal në sipërfaqe dhe kaq kemi marr vesh ne. Ka qenë viti 2008 kur çoi në gjyq çështjen e Remzi Hoxhës dhe aty na kanë marr në telefon në shtëpi dhe na kanë kërcënuar. Është ndjerë keq edhe kur mua më kanë hequr nga puna në vitin 2010. Punoja te Ministria e Integrimit dhe për një motiv qesharak më larguan dhe u kuptua që ishte një lloj presioni ndaj babit. Ka qenë edhe një moment më herët kur ka patur në dorë çështjen e Zani Caushit, në vitin 1997-1998 ku edhe atëherë kemi marr telefonata kërcënuese në shtëpi.

 -Xhevat Hana, babai juaj ka qenë një prokuror me influencë, të cilin edhe politikanët e kishin frikë…

Besoj se po, por ashtu dinte ta bënte ai punën. Ai e kishte stil jete. Ai kishte stilin e tij dhe mënyrën e tij se si i bënte gjerat. Për atë detyra ishte detyrë. Ai kërkonte ta çonte deri në fund çështjen. Në jetën e tij ka patur çështje shumë delikate dhe nuk ka marr asnjëherë parasysh, duke thënë; prit se ky është djali i filanit, apo miku i fistekut.

-I njihnit ju në shtëpi “armiqtë” e babait tuaj?

Deri diku po. Disa persona e dinim që nuk e donin apo nuk e kishin qejf. Shumë njerëz nuk ishin shumë dakord me mënyrën se si i shihte ai gjërat, apo se si punonte dhe për këtë arsye edhe nuk e donin.

-Kishte ai probleme me shëndetin?

Kishte. Kishte probleme me dhimbjen e gjunjëve. Ne e kemi shtëpinë afër spitalit dhe mami i thoshte shpesh; po shko njëherë bëji analizat. Ishte pak neglizhent në këtë drejtim.

-Kur e morët vesh ju që ai ishte sëmur?

Në vjeshtën e vitit 2011 ai ka patur shenjat e para serioze. Më pas ka qenë data 12 dhjetor kur ne e shtruam në spital. Ishte një situatë pak e turbullt dhe kaotike. Mjekët na inkurajuan që ta çonim jashtë dhe në fund të dhjetorit ne u nisëm për në Itali.

-Ai vetë e kuptoi sëmundjen që kishte?

Besoj që po. Ne nuk ja thamë asnjëherë. Gjithçka e përjetoi në heshtje. Doktorët në Itali na thanë se doktorët shqiptar kanë bërë një punë të mirë, por kjo sëmundje kështu përfundon. Mjekët e kishin të qartë në kokën e tyre që nuk mund të bëhej dot gjë.

-Ju tha gjë në momentet e fundit…

Asnjë lloj gjëje. Nuk na la asnjë amanet.

 -Janë hedhur dyshime për vdekjen e babait tuaj, për një helmim të mundshëm. Tek ju kur kanë lindur këto dyshime?

Po edhe gjatë sëmundjes, kemi patur dyshime dhe fakti që gjendja e tij agravua shumë shpejt na bënte të dyshonim. Më pas fillon dhe mendon, e duke i analizuar të gjitha, pak të bënë të dyshosh. Koincidencat na bëjnë të dyshojmë më shumë. Por ne kemi një raport mjekësor, dhe është shkenca që flet duke thënë se ai ka vdekur nga sëmundja. Nuk dua tregohem naive këtu, por unë prirem t’i besoj raportit mjekësor. Kanë firmosur gjashtë mjekë në të.

Duke jetuar me atë çdo ditë, ne e dinim që ai kishte probleme, si në sistemin e tretjes edhe me këmbët po ashtu. Doktorët na thonë hiqeni mendjen nga dyshimet. Mjekët italianë pse duhet ta thonë këtë gjë. Vallë ti kenë bërë diçka dhe të ketë shkuar manipulimi deri te mjekësia italiane?! Nuk e di. Mendja ku nuk mund të shkojë!?

-Domethënë ju nuk jeni me idenë se babait tuaj mund t’i kenë bërë gjë, helmuar ndoshta?

Ne nuk e përjashtojmë 100 për qind, por jemi më shumë te pjesa tjetër. Kemi analizat e tij në dorë.

-I keni dëgjuar ju hamendësimet që kanë ardhur nga persona të ndryshëm… çfarë mendoni?

Patjetër që i kemi dëgjuar, por është shumë e thjeshtë të bësh disa llogari kur je jashtë. Llogaria e tyre mund të qëndrojnë pasi ka disa koincidenca në këtë drejtim, me rregull treshi: ishte kjo çështje (Çështja e Remzi Hoxhës); i ka ndodhur edhe disa të tjerëve që kanë lidhje me çështjen; Çështja ishte në fund, dhe me rregull treshi edhe babai im ishte viktimë dhe mund t’i kenë bërë të njëjtën gjë(!). Tani nëse të tjerët kanë ndonjë informacion që ne nuk e dimë, të vijnë e të na e thonë.

-Ti si juriste si mendon?

Për ta hetuar këtë çështje? Jo nuk jam, pasi nuk kam besim.

-Nuk ke besim, ku?

Po në gjithçka. E para e punës njëherë, e çuam në Itali. Mjekët na thanë nuk i kanë bërë gjë, e ka natyrale. Gjashtë mjekë hodhën firmën. Në momentin që ata thonë kështu, çfarë më bën mua të mendoj që, po ta rihap edhe njëherë këtë çështje do e gjej në të vërtet tjetër. Përveçse do na rihapin edhe njëherë plagët, nuk mendoj për ndonjë rezultat tjetër.

– Nuk tundohej ai, pasi si prokuror që ishte duhet të kishte shumë joshje….?

Kishte shumë. Të garantoj që kanë ardhur me çanta me lekë në shtëpinë tonë dhe babi nuk i ka pranuar. Kjo ka ardhur nga ata që sot janë biznesmen të fuqishëm dhe ndoshta sot dalin dhe flasin e japin mend. Ai ishte shumë i qartë në atë që ai donte të bënte. Ai donte drejtësi. Ato çanta që shpesh na përplaseshin të tëra nuk i shihte dhe nuk i merrte në konsideratë. Mendoj se duhet të jetë e rrallë kjo për një njeri. Ai e kishte.

-Kishte ai ndonjë çështje ku ishte përfshirë me mish e shpirt dhe ju e kuptonit këtë gjë, edhe pse nuk fliste në shtëpi…?

Këtë çështjen e Remzi Hoxhës. Ai donte ta çonte deri në fund sepse i dukej një padrejtësi. Ishte zhdukur dhe keqtrajtua një person. Dikush duhet të mbante përgjegjësi. Por nuk mundi dot…

Entela Resuli-DITA

REMOTE_ADDR:[{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/01\/vajza-2-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/01\/vajza-2.jpg","attachment_id":615645},{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/01\/vajza-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/01\/vajza.jpg","attachment_id":615643},{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/01\/vajza-3-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/01\/vajza-3.jpg","attachment_id":615646},{"thumb":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/01\/vajza-1-150x150.jpg","full":"http:\/\/www.gazetatema.net\/wp-content\/uploads\/2017\/01\/vajza-1.jpg","attachment_id":615644}]

2 komente në ““Ju rrëfej babain tim Xhevat Hana. Sëmundja e papritur dhe koincidencat me njerëzit e përfshirë në çështjen “Remzi Hoxha”””

  1. Alban says:

    Nje hero! Nje njeri i ndershem deri ne germe! Respekte me te ndjera per kete njeri te paperlyer!

  2. Ciceroni prej kapertoni says:

    ku ka njerez,ka padrejtesi!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *