Tragjedia e marsit 1997 / Arratisja në Itali e Zhulalit dhe operacioni i Berishës kundër Jugut

16 Janar 2017, 15:46Dossier TEMA

Nënkolonel Hekuran Rapaj

Unë jam një dëshmitar autentik i tragjedisë që ndodhi në pranverë të vitit 1997. Si i tillë po i dëshmoj këto fakte për gazetën ‘DITA’, e cila i është rikthyer 20 vjet më pas asaj tragjedie që pllakosi vendin dhe popullin shqiptar dhe për të cilën nuk është gjendur asnjë fajtor!

Si ushtarak, kam parë se si u shkatërrua ushtria shqiptare dhe pasojat e pariparueshme që solli armatosja e popullsisë.

Të dhënat që sjell në këtë shkrim dhe shifrat janë zyrtare dhe të dokumentuara.

Sa më shumë i largohemi kontaktit me tragjedinë e madhe të shpërbërjes së ushtrisë shqiptare, në pranverën e vitit 1997, aq më shumë në mendjen time feksin dilemat madhore që e çuan ushtrinë atje. Të gjithë shqiptarët dhe veçanërisht oficerët, që jetën e tyre e kanë  lidhur pazgjidhshmërisht me ushtrinë, tashmë janë të ndërgjegjshëm se në Shqipëri ndodhi një tragjedi e madhe, e veçantë në llojin e vet, një fenomen tipik shqiptar, ku politika, populli dhe vetë ushtarakët, shkatërruan dhe sakrifikuan pjellën e vet. Ushtria shqiptare u shpërbë, fatalisht në kushte paqeje.

Në dekadat që lamë pas nuk e kemi parë asnjëherë vendin dhe ushtrinë më keq se sa në javët e para të marsit 1997. Atë tërmet të madh që na çoi në buzë të greminës, e kemi përjetuar me zemër të copëtuar. Fenomenin e vetëshkatërrimit të ushtrisë do ta tipizojmë, duke i vënë emrin “fenomen  shqiptar”. Ajo është vetësakrifikuar në muajt maj – qershor 1924 dhe në prillin e vitit 1939. Por ngjarjet e marsit 1997, për nga pasojat e tyre, kanë mbetur e do të mbeten të ngulitura thellë në mendjet e çdo shqiptari.

Përgjithësisht në përfundim të kësaj situatë shqiptarët kanë qenë nën trysninë e shumë pyetjeve dhe nën efektin e dilemave të mëdha, po thuaj hamletiane.

Çfarë ndodhi me ushtrinë shqiptare në fillim të pranverës së vitit 1997? Si mund të shpjegohet që kjo ushtri me një efektiv prej 28-30 mijë vetësh në shërbimin aktiv të shthurej në një kohë të shkurtër? Si mund të shpjegohet dhe të kuptohet që, një numër shumë i madh deposh u hapën, shkatërruan dhe armët e shumta ranë në duart e popullsisë, kaluan në pronësi private? Vallë kush e shkatërroi dhe e dogji ushtrinë shqiptare?

Në fillim të vitit 1997 Shqipëria filloi të rrokullisej në greminën e thellë të historisë. Nga veprimet politike të papërgjegjshme  ajo po digjej.

Askush nuk e donte më shtetin e vet. Populli filloi të demonstronte. Protestat paqësore janë padyshim rregullatori numër një i demokracisë. E tillë frymëmarrje në Shqipëri filloi që në momentet e para të pluralizmit. Kujtojmë vitin 1991.

Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme

Safet ZHULALI, ish-ministër i Mbrojtjes ka deklaruar se: “Mendimi i Shtabit të Përgjithshëm ishte që nëse Parlamenti do të vendosë, ne jemi të detyruar të zbatojmë ligjin. Por, qe më mirë t’i sugjerohej Presidentit dhe Komandantit që të gjejë zgjidhje politike”.

Kështu populli pranoi të vendosej përballë forcës së qeverisë, ndërkohë që edhe qeveria ishte betuar që të rezistonte me forcë. Skalioni i parë i forcës qe veprimi i policisë. Plumbat e policisë vranë për herë të parë “nënën e dy vajzave të mitura, 24 vjeçaren nga Vlora.” Në Fier ‘’përplaset për vdekje një demonstrues’’. Në Tiranë policia plagos rëndë dy qytetarë demonstrues, ndërsa dy të tjerëve “u bie infarkt nga ndërhyrja e policisë”. Helikopterët filluan të zbresin policët e plagosur. Pjesëtarë të forcave speciale të policisë “dëmtohen në përleshje me demonstruesit e qytetit të Sarandës”.

Ndërsa në qytetin e Vlorës vazhdojnë përleshjet me policinë, në kryeqytet vendoset shtetrrethimi. Studentët, sindikalistët, gazetarët e huaj u rrahën egërsisht në shtypjen e protestës paqësore në stadiumin “Selman Stërmasi.”

Qyteti i Vlorës me rreth 100.000 banorë nxirrte çdo ditë mbi 50 mijë banorë me flamurin kombëtar kundër qeverisë. Vlora protestoi 30 ditë me radhë duke mos patur probleme serioze. Kundërshtitë atje filluan kur forcat e SHIK-ut ndërhynë duke qëlluar me armë. “20 të plagosur, midis të cilëve edhe një gazetar” qe bilanci i ndërhyrjes barbare të policisë në një nga ditët e protestës në qytetin e Vlorës .Tragjedia po mbërthente qytetin bregdetar. Policia në një ditë tjetër të protestës  mori “3 jetë dhe plagosi 140 demonstrues” të tjerë. Shteti tradhtonte vetveten. Shteti filloi mobilizimin e studentëve për të vepruar në radhët e policisë, për ti përdorur kundër kolegëve të vet, studentëve të Vlorës.

‘’Kryekomandanti’’ Sali Berisha e humbi besimin edhe tek uniformat blu. Rrënimi i piramidave bashkoi popullin me policinë. Policët si tërë njerëzit e thjeshtë kërkonin paratë e humbura tek fajdet. Ata filluan të largohen nga rradhët e policisë, por edhe nga vetë qytetet ku shërbenin. Së bashku me familjet e tyre ata largohen nga qyteti i Vlorës, “duke e lënë qytetin 72 orë pa polici dhe rend.”

Kriteri i vetëm dhe i fundit për mercenarizëm qe anëtarësimi “militant i devotshëm i Partisë Demokratike”, madje jo vetëm kaq. Shpesh u fol se shumë roje ushtarë në qytetin e Vlorës nuk dinin të flisnin as shqip! Disa vajza studente të universitetit “Ismail Qemali” kanë dashur të bisedojnë me disa nga rojet ushtarë që ruanin godinën e Prefekturës në Vlorë dhe nuk kanë mundur të komunikojnë dot me ta.” Disa studentë të tjerë kanë pohuar se “ushtarët flisnin gjuhë sllave.” I njëjti fakt ka dalë edhe tek ushtarët që ruanin Bankën e Shtetit në Vlorë. Disa fëmijë duke luajtur u morën ushtarëve kapelet, kurse ata nuk kanë qenë në gjendje të komunikojnë qoftë edhe një fjalë shqip” me fëmijët. Janë këto disa nga dëshmitë e kohës që askush nuk do të kishte dëshirë t’i pranonte. Gjithsesi, ato ditë tragjike në Vlorë u përthyen me dhjetëra lloje dialektesh të importuara nga majat e larta të shtetit, për t’i dhënë qytetit historik ‘’mësimin e kërbaçit’’.

Tensioni i nisur i kishte fijet në duart e Komandantit. Gjithë shqiptarët, politikanët me arsye të shëndoshë, intelektualët, institucionet jo qeveritare, rinia dhe sindikatat, ushtria dhe policia kërkonin dialogun dhe dorëheqjen e qeverisë. Institucionet perëndimore dhe qeveria amerikane kërkonin që ti jepej fund tensionit. “Të fillonte tryeza e bisedimeve në Shqipëri. Është jo vetëm nder, por edhe detyrë e qeverisë që të zbythet para vullnetit të popullit”.

Situata filloi të precipitojë në mënyrë të tillë që qeverisë i doli jashtë kontrollit. Nga 28 shkurti dhe deri me 1 mars 1997 të 40 partitë politike shqiptare kërkuan me këmbëngulje zgjidhje politike. Por Partia në pushtet ofroi “gjendjen e jashtëzakonshme”. Shqipëria u copëtua në dy pjesë. Filloi kronika e ngjarjeve të zeza. Shqipëria në sheshe, në rrugë. Katastrofë dhe gjak.

Ja disa kronika pa koment:

Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Tritan Shehu, mbahet peng nga qytetarët e zemëruar lushnjarë. Ish-deputeti i së majtës Ndre Legisi goditet rëndë në kokë dhe i rrezikohet jeta. Intelektuali Edi Rama, dikur bashkëmitingas me krerët e qeverisë në pushtet rrihet në mënyrë çnjerëzore. Qindra njerëz merren nën përgjegjësi penale, thirren në zyrat e policisë e të hetimeve si organizatorë të mitingjeve të paligjshme duke u dënuar me vite burgimi. Deputetët e PD vendosën të ndryshojnë dispozitat kushtetuese. Ata i japin të drejtë Kryetarit të Shtetit të përdorë ushtrinë për mbrojtjen e rendit. Presidentit i kërkohet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme të paktën në Vlorë me inisiativën e Kryeministrit. Presidenti del në jetën politike me atributet e Komandantit të Përgjithshëm. Shteti nxjerr në rrugë arsenalin e armëve. Të gjitha ndërtesat qeveritare, ministritë, TVSH-ja, përveç rrethimit me polici rrethohen edhe me trupat ushtarake. Komandanti i pyetur nëse do të pranojë këshillat e qeverive të tjera për të mbajtur zgjedhje të reja sa më shpejt që të jetë e mundur, përgjigjet: ”Jo” “Kjo vetëm se do të legjitimitonte bojkotin e opozitës. Zgjedhje të reja do të ketë në vitin  2000”. Ish-Ministri i Jashtëm e përjashtoi mundësinë që Shqipëria të jetë në krizë politike dhe as ekonomike. Asnjë qytet që bënte revoltat nuk e lejonte TVSH-në që të filmonte pasi ajo ishte pjesë e makinës shtetërore të dhunës, ishte policia televizive. Gazeta “The Independent”dhe agjencia e lajmeve Britanike BBC e quante regjimin e Tiranës “The gangster regime”.

Sfida e parë e popullit që përpëlitej nën ethet e sëmura të shtetit filloi me grevën e urisë së studentëve të Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë. “60 studentët” e këtij universiteti ngujohen në një nga dhomat e këtij institucioni.  Nga Shkodra i kërkohej Presidentit të Shqipërisë “të shkonte në Vlorë”, për të biseduar e shtensionuar situatën. Universiteti i Tiranës bojkotoi përfundimisht mësimet. “Nuk e lëmë Vlorën vetëm”(18) qenë thirrjet e tyre rrugëve në kryeqytet. Gjimnazistët e shkollave të mesme braktisën klasat e tyre duke demostruar rrugëve. Vetëm në Tiranë “3 mijë nxënës të shkollave të mesme” marshuan drejt Universitetit të Tiranës, ndërkohë që  “xhupat e zinj” qëllonin pa mëshirë mbi djemtë dhe vajzat 16 vjeçarë.”

“Masakër para Presidencës dhe Kryeministrisë. “Xhupat e zinj” qëllojnë pa mëshirë mbi vajzat dhe djemtë e shkollave të mesme. Grumbullimi i të rinjve 16 vjeçarë kanë rezistuar, por dhuna ka qenë barbare. Janë tërhequr zvarë mbi 30 gjimnazistë që të shtrirë për tokë, janë bërë pre e shkelmave dhe e grushtave”.

Rinia studentore është ngritur e tëra në protestë. “46 studentë” të Universitetit “Eqrem Çabej” në qytetin e Gjirokastrës filluan grevën e urisë. Po këtë mbrëmje, më datën 28 shkurt, një furgon i quajtur i SHIK-ut provokoi studentët e grevës së urisë të Universitetit të Vlorës. Ata ndërhynë për të rrëmbyer studentët. Menjëherë pas kësaj qyteti i Vlorës zbriti në shesh , pranë studentëve. Njerëzit sulmuan selinë e SHIK-ut, duke e djegur atë. Të dy palët, populli dhe qeveria qenë të armatosur. Atë natë “vriten 9 veta, plagosen 30 të tjerë dhe kapen rob disa oficerë të SHIK-ut.”

Një grup intelektualësh të pavarur nga partitë politike i drejtohen forcave të policisë dhe të ushtrisë: “Ndal politikës. Krimi ndjell krimin. U bëjmë thirrje ushtarëve, oficerëve dhe punonjësve të policisë në të gjitha nivelet, të mos kthehen në vegla të dhunës, të një grupi politikanësh kundër popullit, kundër vëllezërve dhe motrave të tyre në fatkeqësi”.

Ndërkohë Thirrja e Forumit për Demokraci drejtuar gjithë efektivave të Forcave të Armatosura të Shqipërisë buçiste: “Kundërshtoni urdhrat kriminale” të urdhëruesve. Nga qyteti i Vlorës 200 nëna intelektuale i kthejnë shpresat e humbura nga përtej oqeanit, nga vendi i demokracisë botërore, SHBA. Ato i drejtohen Hillari Klintonit me thirrjen e fuqishme të nënës në shkretëtirë: “Na ndihmo Amerikë. Kemi humbur gjithçka”.

Edhe inteligjenca e ushtrisë nuk mund të mos përfshihej në këtë katrahurë. Pedagogët e Akademisë së Mbrojtjes, djepi i dijes dhe kulturës së Forcave të Armatosura të Shqipërisë i kërkuan me këmbëngulje “Ministrit të Mbrojtjes dhe Sekretarit të Shtetit” me argumente profesioniste, dhe si ushtarakë të lartë të ushtrisë, “të afrohet zgjidhja politike” duke mos marrë përsipër futjen e ushtrisë në qorrsokakun që përgatitej.

Në mëngjesin  e ditë së parë të pranverës 1997, qeveria dhe Komandanti nuk e dinin se cili qytet ishte nën kontrollin e pushtetit zyrtar. Në pasditet e 1 marsit 1997 Komandanti shpall gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë Shqipërinë. Komandanti i gjendjes së jashtëzakonshme emërohet nga ‘’Njëshi i shtetit’’, gjenerali me katër yje i SHIK-ut, Bashkim Gazidede.

Në datën 3 mars, rizgjidhet Presidenti në një mbledhje parlamenti të mbyllur dhe të rrethuar me tanke. Të gjithë përfaqësuesit diplomatë perëndimorë nuk asistojnë në rizgjedhjen  me ngut të Presidentit të Republikës. Ndërsa Presidenti buzëqeshte në llozhën e parë të Parlamentit tanket dhe autoblindat marshonin drejt qyteteve jugorë. U vendos institucioni i censurës klasike dhe kontrolli i plotë mbi çdo mjet të informimit publik. Vetëm TVSH-ja mori përsipër të transmetonte buletinin dizinformues të policisë së fshehtë shtetërore. Radiot dhe televizionet e huaja shqipfolëse ose thjeshtë të interesuara për çështjen shqiptare, u zhurmuan. Që prej datës 3 mars,  nuk dilte asnjë gazetë tjetër, veç “RD”-së. Korrespodentët shqiptarë të gazetave dhe radiove të huaja, për shkak të terrorit të ushtruar ndaj tyre, u larguan ose u fshehën.

Shqipëria hyri kësisoj për herë të parë pas 50-vjetësh në gjendje lufte, me ftesë të Komandantit, me ligj parlamentar, miratuar nga një grup deputetësh qesharakë, që në sallën e Parlamentit Shqiptar bërtisnin: “ Do t’i shtypim! “Kriza filloi të arrinte maksimumin e kurbës së vet në fillim të pranverës 1997. Më 2 mars 1997 ajo doli jashtë kontrollit, jo vetëm të shtetit. Opozita nuk kishte më influencë. Pas gjendjes së jashtëzakonshme pritej vetëm konfrontimi. Në Shqipërinë e Veriut bëhen përpjekje për organizimin vullnetarë në bazë bajraku për të nisur marshimin drejt Jugut. Planet dështojnë. Populli i këtyre trevave i tha ‘’Jo’’ kapriçove dhe urdhrave të kupolës shtetërore, tashmë të paarsyeshme.

Familja e Presidentit niset për në Itali. Eskorta e veçantë që e priste në anën tjetër të brigjeve të Adriatikut e strehon atë në një vend të fshehtë.  Përhapet një lajm se është arratisur edhe vetë Presidenti. Çuditërisht këtë e besojnë edhe ministrat e Punëve të Jashtme të Këshillit të Europës, të cilët nga ky lajm ndërpresin një mbledhje të posaçme për Shqipërinë. Në një intervistë  për AFP-në. Ai konfirmoi se ‘’nuk do ta braktiste Shqipërinë në çfarëdo rrethane’’ dhe se ‘’nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen.’’

Tirana rrethohet nga të gjitha drejtimet. Një deputet i PD u bëri thirrje të ardhurve nga Veriu i Shqipërisë të përqendruar në Tiranë, të rrëmbejnë armët e të jenë të gatshëm të mbrohen nga vlonjatët. Që prej orës 12.00 të mesditës, populli mbyllej në shtëpi. Tirana ngjante si e vdekur. Shqipëria në pragun e luftës civile. Krismat e armëve mbuluan qytetet e Shqipërisë. Sulmohet burgu i Tiranës nga ku lirohen të gjithë të dënuarit që ishin aty. Lirohet edhe kryetari i partisë opozitare, Fatos Nano,  ardhur pak  ditë më parë nga burgu i Bënçës.

Shkatërrohet ushtria në Jugun e Shqipërisë. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm nuk pranoi të implikojë armët në konfrontimin me popullin. Shtohej vazhdimisht numri i ushtarakëve te cilët nuk pranuan të merrnin komandën për të drejtuar operacionet kundër “rebelëve”. Shkarkohet nga detyra Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerali me katër yje Sheme Kosova, si dhe arrestohen katër oficerë të lartë të garnizonit ushtarak të Vlorës.

Ish-Ministri i Mbrojtjes arratiset me një anije luftarake për në Itali duke kërkuar statusin e azilantit politik. Filloi largimi i të huajve.  Ushtria dhe kryesisht SHIK-u që luajti më aktiv rolin e ushtrisë u vërsulën të tërbuar drejt Jugut të Shqipërisë. Ky veprim revoltoi popullin e pa mbrojtur. Jugu i Shqipërisë u përfshi i tëri në lëvizje popullore. Revoltat popullore nuk kishin më në vetvete një protestë për rrëmbimin e parave. Ajo u shndërrua në lëvizje që kishte kohë që akumulonte pakënaqësi të thellë ndaj klasës politike që e drejtonte.

Dëmet

Në muajin mars vala e shkatërrimeve, vjedhjeve djegieve, dëmtoi rëndë tërë strukturat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Vlerësimet e dëmeve që u evidentuan në kontabilitetin  unik  dhe në regjistrat e armatim-municionit rezultoi  se  kapi vlerën prej 61miliard e 465,5 milion lekë.  Burime të tjera kanë dhënë  të tjera statistika të besueshme. Kështu listat e armatimit, municionit dhe lëndët plasëse të grabitura “llogaritet të jetë mbi 1 miliard  dollarë’’. Këtu nuk janë llogaritur dëmet në teknikë, karburant dhe mjete të logjistikës. Po të krahasosh del se vlera e dëmit financiar të llogaritur është më e madhe se humbjet e parave të të gjithë shqiptarëve në firmat  piramidale.

Dëmet më të mëdha u kryen në shërbimin  e armatim –municionit. Ato kapin shumën prej 50 miliard lekë. Pastaj vjen shërbimi i transportit me shumën lekë 2.3 miliardë, ai i  shërbimit të veshmbathjes me 2.2 miliard lekë, shëndetësia me 1.8 miliardë lekë, ndërlidhja me 1.1 miliard lekë, aviacioni  me  821 milion lekë ,etj(3). Nga kjo tragjedi u dëmtuan aerodromet dhe bazat ushtarako-detare. Garnizonet ushtarake në Gjirokastër, Fier, Vlorë, Korçë, Elbasan, Shkodër, Burrel etj, pothuajse u shkatërruan plotësisht. Shkatërrimi përfshin fjetinat dhe klasat, mensat dhe kuzhinat, lavanteritë dhe truprojet, depot dhe ofiçinat. U vodhën rezervat materiale në përdorim dhe në rezervën e pa prekshme të ushtrisë. Në shërbimin e armatim municionit u morën pothuajse të gjitha armët e këmbësorisë, sasira të mëdha armësh e municionesh të kalibrave të vegjël të artilerisë kundër ajrore dhe kundër tanke, granata dore, lëndë plasëse, etj .

Vlerësimet e bëra nxorën të grabitura rreth 600 mijë armë këmbësorie, kryesisht pushkë dhe automatikë, mitraloza të lehtë dhë të rëndë, mitraloza kundërajrorë dhe granata hedhës, mortaja 60 dhe 82 m/m, topa 75 m/m, etj. U rrëmbyen rreth 15 miliard fishekë këmbësorie përfshi granatat e dorës si dhe 3500 ton municione xheniere e lëndë plasëse. U zhdukën rreth 90% e kapsulave donatore dhe elektrike dhe 60% e fitilit zjarrpërcjellës, etj. U shkatërruan rreth 30 % e sasisë së municioneve të artilerisë së kalibrave 76 dhe 152 m/m duke ju marrë e nxjerrë jashtë përdorimit gëzhojat e duke lënë në vend barutin e tyre.

Të tjera statistika japin 750 mijë pistoleta, pushkë, automatikë dhe mitraloza të llojeve të ndryshme si dhe 1.5 miliard fishekë. Në këtë sasi është përjashtuar armatimi i rëndë, predhat e artilerisë, lëndët plasëse etj. Vetëm në Divizionin e Tiranës dëmi i shkaktuar llogaritet mbi 8 milion dollarë. Inventarët e përgjithshëm në këtë njësi të madhe të ushtrisë së kryeqytetit i mungonin 32.370 armë këmbësorie dhe 213 gryka zjarri me një vlerë të përafërt prej 387.690.000 lekë, 7.463 instrumente nga më të ndryshmet me një vlerë 12.900.000 lekë, 25.360.000 fishekë të ndryshëm, me një vlerë prej 388.980.000 lekë. Të mara së bashku vlera totale në këtë sektor rezultoi 798.480.000 lekë të reja ose 5.4 milion dollarë.

Qyteti i Gramshit është llogaritur që ka patur numrin më të madh të armëve për frymë. Nga shpërthimi i depove mendohet se nga popullsia e këtij qyteti të jenë grabitur afro 100 mijë armë të llojeve të ndryshme dhe sigurisht edhe një sasi municioni.

4 komente në “Tragjedia e marsit 1997 / Arratisja në Itali e Zhulalit dhe operacioni i Berishës kundër Jugut”

  1. NjeQytetarOptimist says:

    Mos bej llogari kot se e votuat 7 vite me pas.. Keshtu njerzish me bisht jemi..

  2. Aleko says:

    E#shte kejo tragjedi e krijuar nga banditi sali berisha qe sot kemi nje ushtri te pa perfillshme dhe serbet dhe greket tallen dhe provokojne sa here duan si ne kosove edhe tek ne.Shpresojne vetem te NATO Por edhe NATO s spo I dihet . kambanat bien per ata qe kane vesh.me kete ushtri qe ka ngelur shqiperia dhe mbare kombi yne eshte I pasigurte se cmund ti vije ne te arthmen.

  3. Bushi says:

    Ja kushe e shte Sali Berisha.Si nuk i vjen turp ketij njeriu (nqs e quan vehten njeri),per te gjitha keto krime qe ka bere? A duhet nje denim kapital per kete kriminel,per kete antishqipetare? Varja ne litar me ceremini ne mese te Tiranes eshte pak.Ai duhet djegur me Acid,t’i bjere mishi copa copa.

  4. Blablabla says:

    Ke shkruar shume e s’ke thene gje o oficer. Se graden nenkolonel as vet se di si e ke marre. Pretendon si deshmitar autentic po ku jane deshmite e tua. Thjeshte rendtje te fakteve qe jane thene sa here.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje