Lidhjet me Sigurimin e Shtetit, Berisha dhe grupi anti­-Basha si do të verifikohen

18 Janar 2017, 08:47Politika TEMA

Lufta sa e nëndheshme aq edhe publike për listën e kandidatëve për deputetë në Partinë Demokratike, ka marrë një kthesë të befasishme. Pesë muaj para zgjedhjeve të 18 Qershorit, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka ndërmarrë një lëvizje, duke vështirësuar rrugën e gardës së vjetër të Partisë Demokratike, për të qenë pjesë e parlamentit të ri, që do të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme.

Si asnjëherë më parë, përfaqësuesit e elitës së vjetër të Partisë Demokratike, të cilët kanë ambicie për të qenë pjesë e listës fituese për kandidatë për deputetë në zgjedhjet e qershorit, duket t’i nënshtrohen një verifikimi të imtësishëm për lidhjet me ish­Sigurimin e Shtetit, me organet e hetuesisë së komunizmit si dhe organet e larta të Partisë së Punës të Shqipërisë, shkruan “shqiptarja.com”.

Edhe pse ka një perceptim, sipas të cilit lista do të caktohet nga Sali Berisha, Lulzim Basha ka lajmëruar ditën e martë një proces lustracioni në Partinë Demokratike.

Komisioni për verifikimin e figurës së kandidatëve për deputetë do të drejtohet nga Halim  Kosova.

Në rrethet politike, prej vitesh, qarkullojnë mbi 100 pseudonime spiunësh të ish-Sigurimit të Shtetit. Pseudonimet lidhen me emrat e figurave të rëndësishme të dy partive kryesore në vend, por deri më tani, vërtetësia e tyre nuk është konfirmuar nga ndonjë autoritet kompetent dhe i besueshëm.

Procedura

Është ka mësuar se një grup ekspertësh në Partinë Demokratike po përgatisin formularët, të cilët do plotësohen nga kandidatët për deputetë.

Sipas burimeve, formulari do të përmbajë elemente dhe pyetje të hollësishme. Pjesë e formularëve, të cilët do të publikohen javën e ardhshme, do të jenë edhe pyetje në lidhje me të shkuarën komuniste.

Ndërkaq, për të verifikuar vërtetësinë e të dhënave në formularë, komisioni për verifikimin e figurës në PD mund t’i kërkojë informacion komisionit për hapjen e dosjeve të ishSigurimit të Shtetit, mbi ekzistencën e informacioneve në dokumente të ish­Sigurimit të Shtetit për kandidatët për deputetë.

Por, meqenëse neni 29 i ligjit për hapjen e dosjeve nuk lë hapësira për verifikimin e kandidatëve për deputetë, me kërkesë të institucioneve, autoriteteve publike dhe subjekteve të tjera, kandidatë për deputetë të Partisë Demokratike pritet t’i drejtohen vetë komisionit për hapjen e dosjeve, për verifikimin e të kaluarës së tyre, në raport me Sigurimin e Shtetit.

Pra, duke nisur që nga ish­kryeministri Sali Berisha dhe i ashtuquajturi grupi anti­Basha, përfshirë Jozefina Topallin, Majlinda Bregun, Astrit Patozin, Ridvan Boden, Genc Rulin etj., duhet të paraqesin certifikatat e pastërtisë.

Neni 30 i ligjit për hapjen e dosjeve parashikon që autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet çdo kërkese të paraqitur nga kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, në lidhje me ekzistencën për ta të informacioneve në dokumente të ish­Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet prej tyre për qëllime të transparencës së figurës, gjatë fushatave elektorale.

Verifikimi

Kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike do të verifikohen nëse kanë qenë bashkëpunëtorë aktivë të ish­Sigurimit të Shtetit, pas mbushjes së moshës 18 vjeç si dhe nëse kanë qenë persona me të dhëna nga ish­Sigurimi i Shtetit për spiunazh.

Po ashtu, kandidatët për deputetë të PD do të verifikohen nëse kanë qenë anëtarë ose kandidatë të Byrosë Politike, anëtarë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtarë të Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetarë të Gjykatës së Lartë, prokurorë të Përgjithshëm, kryetarë të Hetuesisë së Përgjithshme, anëtarë të Këshillit të Ministrave, kryetarë të degëve të punëve të brendshme, anëtarë të Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokurorë, gjyqtarë në procese të posaçme politike, apo punonjës të nivelit të lartë të ish­Sigurimit të Shtetit.

3 përgjigjet e komisionit

Ka qenë ose jo person në ndjekje për spiunazh apo terrorizëm.

Ka qenë ose jo bashkëpunëtor aktiv i ish­Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Figuron ose jo në dokumentet e ish­Sigurimit të Shtetit.

Kategoritë që do verifikohen para emërimit në detyrë

a) President i Republikës;

b) Anëtarë të Këshillit të Ministrave, zëvendësministra, funksionarë politikë, anëtarë të trupës së nivelit të lartë drejtues në administratën shtetërore dhe pozicione të barasvlershme me to;

c) Anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë në gjykatat e prokuroritë e të gjitha niveleve;

ç) Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese;

d) Funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, Gardën e Republikës, oficerë me gradën “Gjeneral” dhe “Kolonel”;

dh) Prefektë;

e) Drejtues dhe punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror, Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes dhe çdo njësie tjetër të inteligjencës;

ë) Drejtues në Policinë e Shtetit deri në nivel qarku dhe komisariati;

f) Drejtues të përfaqësive diplomatike;

g) guvernatorë dhe zëvendësguvernatorë të Bankës së Shqipërisë;

gj) Anëtarë të Akademisë së Shkencave, rektorë, zëvendësrektorë, dekanë, zëvendësdekanë në universitetet publike;

h) Drejtor i Përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorë të Radiotelevizionit Publik Shqiptar;

i) Drejtor dhe Zëvendësdrejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare;

j) Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti apo i zgjedhur nga Kuvendi.

1 komente në “Lidhjet me Sigurimin e Shtetit, Berisha dhe grupi anti­-Basha si do të verifikohen”

  1. shqip says:

    Salii ç’kish per te bere e beri ne kohen e gazidedes. Dosjen e vete e pastroi, te dhenat i zhduku, e keshtu me radhe. Jo Po do priste te vinin keta e ti tregonin dosjet. Nje njeri mostruoz jo domosdoshmerishte eshte enuk. Tani Po doli flamur noka udb-ist, Po ç pune i prish saliut e shkel(q)enit nje qe s’ka tru? Megjithate mendoj qe vetem te aderosh ne nje organizate si shqupi, eshte njesoj ose me keq se te kesh qene spiun.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje