Jo vetëm në SHBA, edhe në Moskë festojnë për Donald Trump

20 Janar 2017, 15:53Bota TEMA

Nga Rusia vazhdojnë sinjalet e afrimit me njeriun që do të jetë shumë shpejt Presidenti i ri i Amerikës. Në ditën kur Donald Trump bën betimin në Capitol Hill, shefi i diplomacisë ruse Sergei Lavrov sqaroi gjatë një konference për shtyp se Moska është e gatshme që të bëjë pjesën e saj për një dialog konstruktiv me Shtetet e Bashkuara.

“I kemi dëgjuar me vëmendje deklaratat paraelektorale të Donald Trumpit, përfshirë ato që kanë të bëjnë me gatishmërinë dhe vendosmërinë për të luftuar së bashku Shtetin Islamik. Rusia dhe Presidenti Putin e kanë përsëritur vazhdimisht se janë gati të lëvizin në rrugën e dialogut me Uashingtonin në një mënyrë konstruktive për të gjetur përgjigjet më të efektshme ndaj kërcënimit të terrorizmit dhe sfidave të tjera të shumta të kohës sonë”, tha kryediplomati rus.

E si për të kremtuar këtë ditë, një dyqan armësh, veshjesh e pajisjesh ushtarake në Moskë, i autorizuar nga Ministria e Mbrojtjes ofroi një ulje speciale prej 10 përqind.

Në vitrinën e dyqanit, krahas këtij njoftimi ku sqarohej se ulja ishte e vlefshme në mënyrë të veçantë për stafin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe të gjithë qytetarët amerikanë, ishte vendosur një fotografi e madhe e Trumpit.

Shumë rusë shpresojnë se me manjatin njujorkez në Shtëpinë e Bardhë, marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit do të përmirësohen.

“Shpresoj që më në fund të rivendosen marrëdhëniet normale mes dy vendeve tona, pa sanksione që nuk i hyjnë në punë askujt”, thotë Irina, një banore e Moskës.

“Të paktën Trumpi është njeri kompetent. Në momentin që do të marrë pushtetin mendoj se do të përpiqet t’i përmirësojë marrëdhëniet me ne”, shton Jakov, një tjetër banor i Moskës.

Vetë miliarderi e ka bërë të qartë në disa raste se pikërisht këtë rrugën kërkon dhe ai të ndjekë, pavarësisht rrebeshit të kritikave se është treguar shumë i etur për të lidhur aleance me Vladimir Putinin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje