Një projekt dhe një model i ri politik

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

sfidaNga Alfred Golloshi

Ky shkrim vjen si një reflektim ndaj shumë pyetjeve, moskuptimeve të miqve, të afërmëve dhe ndaj shumë dashamirësve që duan të kuptojnë. E them që në fillim të radhës se ky shkrim ka në fokus të flas hapur, me pasion, me respekt dhe sinqeritet të gjithë njerëzve, nënshtetas shqiptar që dëshpërimisht po kërkojnë dicka të re në skenën politike dhe shoqërore. Shkurt, ju drejtohem asaj shumice njerëzish që ashtu si unë ndjehen politikisht ‘jetim’ dhe të papërfaqësuar.

Sfida për Shqipërinë shfaqet para qytetarëve dhe për qytetarët si një Projekt i ri Politik i konceptuar nga themeluesit dhe nismëtarët (që po ashtu janë të papërfaqësuar) që të përfaqësoj atë grupim njerez qe sot janë të dëshpëruar, të tradhëtuar dhe që nuk ndihen të perfaqesuar nga partitë tradicionale apo parlamentare. Sfida kërkon të jetësoj dhe të zbatoj këtë projekt-model të ri politik, dhe kjo është sfida e vet Sfidës. A do të jetë ne gjendje ta bëj këtë, si, në ç’mënyrë? Jemi të vetëdijshem qe duket një utopi dhe është abstraksion sepse ne kurrë nuk shkelëm në një rrugë të tillë. Shumë janë (ose duan të jenë) skeptik dhe kjo justifikohet sepse nuk është parë ndonjëherë në këto troje të jetë vënë në praktikë një model i ri politik, i vërtetë dhe “genuine.”

Faik Konica dikur thoshte se “Shqiptarët vdesin për gjëra të vogla, por ata nuk sakrifikojnë dhe nuk dinë të japin jetën për Kauza të mëdha.” E them me bindje që Sfidës nuk i lipsen kaq shumë “më të mençurit dhe më të zgjuarit e vendit”, as demagogët dhe “kokat” vizive dhe televizive, plot e përlot me ide, por që në fakt nuk të çojnë kurrkund. Nuk na duhen ata që duan të kontrollojnë gjithë hapsirën e mendimit dhe jo vetëm. Bindja ime dhe e shumë të tjerëve që mendojnë si unë, është se Sfida më së pari e më së shumti ka nevojë për një tjetër rracë-qytetarësh shqiptar, drejtuesish, mendimtarësh dhe intelektualësh të atillë, që janë gati të qëndrojnë për atë që besojnë, gati të sakrifikojnë edhe vetë jetën e tyre për tu qëndruar besnik parimeve, karakterit, të vërtetës dhe së drejtës.

Sfida për Shqiperine ka si sfidë të vetën të spjegojë dhe qartësojë nenshtetasit dhe votuesit shqiptar Projektin dhe Modelin e Ri politik. Sfida per Shqiperine ka per detyre imediate te bind se Projekti i saj politik është gjithëpërfshirës, shtet-bërës dhe një Model shoqëri-transformues, “i hajrit”, i begatshëm dhe prosperos për të gjithë pa përjashtim, edhe për ata që “vetëdeklarohen” si kundërshtarë të Sfidës.

A do të dështoj Sfida dhe projekti-modeli i saj me të cilin po del përpara të gjithëve? Po, po do të dështojnë si gjithmonë pritjet e gabuara! Sfida nuk ka si qëllim primar, në vetevete dhe të fundit marrjen e pushtetit! As të sigurojë vende pune për anëtaret e votuesit e saj, as të pasuroj funksionarët e saj me fondet publike, as për klientelizmin e koncesione pazarexhinjsh, as të jetësoj kultin e individit dhe të njëshit. Nëse Sfida ushqen këtë model të vjetër shtet-shkaterrues do të dështoj që në gjenezë. Larg qoftë një model i tillë! Pavarësisht numrave dhe votave që mund të marr, qellimi madhor i Sfidës është të trimfojë Projekti dhe Modeli i Ri politik i

propozuar. Fitorja e Sfides është të krijojë bindjen, tu ndriçojë mendjen njerëzve se ky është Projekti i Ri, që na ka munguar deri tani, i duhuri për një politikë të pastër që gjthmonë e kemi pritur dhe tani na ka ardhur në dorë. Ne vijme me bindjen se ky eshte nje rrugëtim politik i gjatë dhe i vështirë, megjithëse Sfida sot është një foshnje politke që sapo ka hedhur hapat e para!

Të nderuar (dhe të tejlodhur) qytetar shqiptar keni tre zgjedhje për të bërë; 1. Ta votoni këtë Sfidë, 2. Të bëheni pjesë e Projektit ose 3. Të bëni indiferentin, ta flakni tutje dhe ta refuzoni.

Sfida ka në thelb të saj të përfaqësojë të dëshpëruarit dhe të zhgënjyerit nga tranzicioni ropatës 26 vjecar. Është lëvizje e hapur e qytetarëve të papërfaqesuar dhe këta tani të ndërgjegjsohen dhe të marrin barën dhe përgjegjesinë e Sfidës si një Projekt ambicioz. Sfida kategorikisht nuk mund të përfaqësojë ata që thjesht dhe vetëm e duan partinë në këmbim të një vendi pune, 2000 lekshi apo një thesi me mjell. Sa e pështirë! Mjaft më kështu! Sfida nuk do të përfaqësojë as atë kategori biznesmenësh apo punëdhnës që e duan Sfidën për favore personale, klientelizëm, ligjthyerje, fshehje taksash etj. Sfida nuk do të bëhet një maskë dhe strofkull që mbron pazarexhinjtë, politikanë të korruptuar dhe moralprishur. Shqipëria jonë nuk ka nevojë për një tjetër parti-monstër shtet-shkaterruese!

Sfida për Shqipërinë do të frymezojë dhe qëndrojë si një Lëvizje për Politikë të Pastër, parimore, konstruktive, paqebërëse, genuine, atëdhedashëse! Sfida vjen me guxim për të prishur mallkimin e një tradite të keqe udhëheqësish dhe të një vijmësie politkanësh të mbrapësht.

Misioni i “Sfida për Shqipërinë” është Për Një Shqipëri që Punon!

Sfida për Shqiperinë kërkon dhe lufton për një Shqipëri ku bëhet drejtësi. Drejtësia është themeli i një shteti. Pa bërë drejtësi në çdo rafsh të jetës dhe në cdo cep të shoqerisë sonë, ky vendi yne dhe njerezit zor se do të gjejne paqe dhe harmoni. Padrejtësia është një Mallkimi i madh! Padrejtësia ështe ulur kembekryq mbi këtë vend dhe duhet çrrenjosur me çdo kusht! Sfida frymëzon dhe kërkon fuqishëm qe per çdo qytetarë shqiptar te behet realitet ëndrra për Barazi përpara ligjit. Zbatimi i Ligjit të jetë njesoj, për të pasurit dhe për të varfërit, për të gjithë paperjashtim. Sfida vjen si një antidot dhe një forcë për të ndryshuar klimën e pandëshkueshmërisë.

Sfida qëndron për një Shqipëri të Barabartë dhe një Vend që ju jep Mundësi të gjithëve. Mundësi për tu arsimuar dhe për të pasur shkolla nga më të mirat dhe të niveleve më të larta. Mundësi punësimi për të gjithë. Lë ta bëjmë Shqipërinë një vend shpresëdhënës, ku individi gjen përmbushje. Është e drejta jonë legjitime të ëndërrojmë dhe ta bëjmë realitet sa më shpejt për veten, për femijet tanë dhe për brezat që do të vijnë.

Mundësi dhe liri në të bërit biznes të mirë dhe mirëfilltë që prodhon, sjell prosperitet dhe gjeneron vende pune që sot janë kaq të nevojshme!

Një miku im, profesor nga Singapori, më mësoi për projektin transformues të Singaporit. Ai më tregoi se Singapori është një ishull i vogël me gjatësi 43 km dhe 23 km gjerësi, pa asnjë burim tokësor dhe nëntoksor, madje edhe ujin e pijshëm e importojnë nga Malajzia dhe e blejnë me cash në dorë. Singapori ishte një vend shumë i prapambetur në 1965 kur fitoi pavarësinë. Brenda 35 vjetëve përjetoi një zhvillim, transformim tërësor dhe një bum ekonomik, arriti nivelet e vendeve të para dhe më të zhvilluara të botës. Ky transformim ndodhi sepse timonin e drejtimit të vendit e morën në dorë disa Etër- Politikanë me integritet dhe vizionar njëkohësisht.

Së fundmi, Sfida për Shqipërinë në substancë është një Bashkim Politik i Qytetarëve të Papërfaqësuar mbi bazën e Parimeve, Vlerave dhe të një Vizioni. Sfida është projektuar si një magnet thithës dhe i parezistueshëm për të sjell së bashku të gjithë ata që kanë në mendje dhe në zemër; ata që dëshirojnë me gjithë shpirt që drejtësia, barazia, integriteti dhe meritokracia të vërshojnë si lumenjë të pandalshëm dhe përmbytës mbi gjithë territorin e Shqipërisë tonë të dashur! Le ta dëgjojnë engjëjt, dreqtë dhe kushdo tjetër! Ti dhe unë nuk jemi më viktima dhe nuk mund të lejojmë më të viktimizohemi! Prandaj, të ftoj me gjithë zemër; Eja, ti i/e dashur qytetar, verior a jugor të bashkohemi! Ti je Sfida, ti e ke vendin këtu! Është koha jote!

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *