Saimir Tahiri: Morëm masa të mos ketë më '21 janar'. Por kemi ende borxh dënimin e urdhëruesve dhe vrasësve

20 Janar 2017, 12:00Kronika TEMA

Një ditë përpara përkujtimit 6 vjetorit të 4 viktimave që humbën jetën në ’21 janar’, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka deklaruar se drejtësia për këtë ngjarje tragjike nuk është vendosur ende.

‘’Drejtësia për ’21 janarin’ nuk është vendosur. Është një nga çështjet themelore ku dallohen shumë qartë të paktën dy gjëra. E para, krimi shtetëror që ka mbetur i pandëshkuar.

E dyta, nevoja për të reformuar sistemin e drejtësisë, duke filluar më së pari me ata gjyqtarë që kanë sanksionuar një krim të dytë lidhur me ata që u vranë në 21 janar’’, tha ministri Tahiri.

Ai theksoi se qeveria ka marrë të gjitha masat që ’21 janari’ të mos përsëritet më në Shqipëri, pavarësisht se cila opozitë proteston.

‘’Kemi miratuar një ligj për armët dhe përdorimin e armëve ku sanksionohet kur ndodh që shteti përdor armët kundër qytetarëve. Kemi miratuar një kuadër ligjor të plotë lidhur me sjelljen e institucioneve kryesisht Policia, Garda e Republikës në raport me qytetarin.

Ka qenë angazhimi ynë i hershëm, shkrirja e Gardës së Republikës dhe është një ligj që miratohet shumë shpejt në Parlament lidhur me transformimin e Gardës, nga një trupë ushtarake në një trup policore që do i përgjigjet rregullave dhe normave standardeve të sjelljes së punonjësve me qytetarin’’ u shpreh ministri i Brendshem.

Duke qëndruar në çështjen e 21 janarit, ministri Tahiri deklaroi se kemi një borxh të dyfishtë ndaj viktimave të 21 janarit dhe familjarëve të tyre.

Kemi një borxh të dyfishtë për të vendosur përpara përgjegjësisë penale dhe për të marrë dënimin e merituar ata që dhanë urdhër dhe ekzekutuan urdhrin për të vrarë në 21 janar. Dhe  nga ana tjetër për të nxjerr përpara përgjegjësisë gjyqtarët që kryhen një krim të dytë me urdhër të po atyre që dhanë urdhër për të ekzekutuar, duke mos dënuar ekzekutuesit në ’21 janar’.

Dhe keni pasur së fundi edhe deklarata publike nga ish-kryeministri, i cili ka marrë përsipër urdhër-dhënien për vrasjet në 21 janar, madje ka kërcënuar se po të vijonte akoma më shumë do vriste. Dhe nuk është habi për mua që pikërisht ata që dalin sot dhe flasin kundër Reformës në Drejtësi, ata që prononcohen kundër Vetting-ut, ata që prononcohen në emër me demek të shoqatave të gjyqtarëve, kundër Reformës në Drejtësi, janë pikërisht ata që kanë dhënë vendime në 21 janar’’, shtoi ndër të tjera ministri Tahiri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje