Strasburgu që mund të rihapë 21 janarin, drejtësia shpresoj të arrijë te Berisha e Basha (dhe një moment fashizmi në gjyq me Ndrea Prendin)

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

kananajIsh-avokati i familjarëve të viktimave të 21 janarit, Andi Kananaj, shprehet besimplotë se Gjykata e Strasburgut ka të gjitha faktet e nevojshme për të rihapur dosjen duke ia kthyer sërish gjykatave shqiptare. Në një intervistë për DITA, Kananaj përshkruan seancat e zhvilluara në Gjykatën e Shkallës së Parë, ku situata në sallën e gjyqit i ngjante celebrimeve fashiste.

“Kur në sallë hyri i pandehuri Ndrea Prendi, kur ata u ngritën në këmbë dhe përshëndetën në mënyrë ushtarake. Pra ishte një moment fashizmi dhe ajo sallë duhej të ndërpritej vetëm për atë fakt, vetëm për mënyrën se si po tregohej solidaritet me njerëzit të cilët ishin të akuzuarit kryesorë për vrasjen.

Nga njëra anë kishte të vrarë, protestues, dhe nga ana tjetër kishte përkrahje maksimale ndaj ushtarakëve të cilët ishin dhe ata fajtorët, të paktën dytësorë të procesit. Kështu që në njëfarë mënyre ai proces ishte i parregullt edhe për formën dhe pamundësinë që kishin të gjitha palët që të paraqisnin kërkesat e tyre”, thekson Kananaj per Dita.

A mendoni se do të vendosen ndonjëherë para drejtësisë ata që urdhëruan vrasjet e 21 janarit?

Kjo është e vështirë për t’u marrë në analizë. Shpresat janë, mundësitë procedurale janë që të rikthehet në gjykim si çështje. Të gjitha faktet që u anashkaluan tek procesi i parë apo nuk u morën parasysh apo u fshehën apo gjithë arsyet që patën në atë kohë, nëse do të rigjykoheshin do të çonin te një vendim i drejtë. Nuk ka asnjë arsye logjike se përse fajtorët e vërtetë të mos vendosen para drejtësisë.

Gjykimi që do të çojë tek drejtësia ngjarjen e 21 janarit është një e mirë publike, që ka të bëjë me thelbin e demokracisë. Duket absurde që pas 25 vjetësh të ripërsërisim se demokracia ka në thelb lirinë e shprehjes. Tubimet janë forma më e lartë e lirisë së shprehjes. Katër të vrarë në mesin e Tiranës në një tubim në emër të demokracisë janë dështimi më i madh i këtyre viteve tranzicion. Duke mos patur fajtorë të vërtetë kemi dhe vazhdimësinë e një tranzicioni pandëshkueshmërie.

Për sa kohë ministër i Brendshëm ka qenë Lulzim Basha dhe ndërkohë dhe ish-kryeministri i asaj kohe vazhdon të jetë në politikë, besoni se vendosja e drejtësisë do të vazhdojë deri tek këta të dy?

Unë vetëm mund të shpresoj tek kokëfortësia e të vërtetës në këtë pikë.

Kryeministri deklaroi dje se de facto qeveria i njeh si krime, por do të pranojë dhe de jure përgjegjësinë për të krijuar mundësinë e rigjykimit të çështjes. Sa shanse ka që Gjykata e Strasburgut ta kthejë çështjen për rigjykim?

Unë do të kujtoj momentin kur familjarët e 21 janarit bënë kërkesën për t’u bërë palë e procesit penal në shkallën e parë të gjykimit. Është e rëndësishme të kuptohet se në një gjykim penal, viktimat ose familjarët e tyre mund të bëhen vetëm pjesëtarë për kërkesa civile. Qendra Respublica që i përfaqësonte viktimat kishte këtë kërkesë. Në kushte normale është një kërkesë rutinë. Por jo në gjykimin e çështjes së 21 janarit.

Tensioni ndihej pa u futur në gjykatë. Ecja mes një korridori gardistësh të shoqëronte që në hyrjen e gjykatës. Unë dhe kolegia Arbesa Kurti u futëm në sallë për të bërë kërkesën për t’u bërë palë e procesit penal në gjykimin e shkallës së parë. Mbaj mend se salla ishte plot me njerëz të Gardës. Ishte e pamundur që të gjeje vend.

Gjatë gjithë kohës lëshoheshin kërcënime dhe mendoj se kërcënimet ishin serioze sepse ishin po të njëjtën njerëz që kishin qëlluar mbi qytetarët. Aty me siguri ishin dhe ata që i kishin dërguar fishekë në zarf gazetarit Artan Hoxha. Kryesuesi i trupës gjykuese na kërkoi që të uleshim ose përndryshe të dilnim nga salla. Të gjitha karriget ishin të zëna nga gardistë të acaruar. Në njëfarë mënyre u “gjunjëzuam” për të krijuar iluzionin e uljes në karrige imagjinare. Mes një zhurme jo normale pritëm me qetësi të shtirur radhën për të folur. Ndërsa flisnim, kishte zhurmë dhe kërcënime anonime.

Praktikisht kërkesa u dëgjua deri në gjysmë, kjo dhe se trupa gjyqësore u ngrit papritur për të marrë vendim… Pata mundësi vetëm t’u them që kisha një kërkesë të ngjashme me të parën, por jo të njëllojtë. I ndoqa fizikisht dhe u dorëzova kërkesat në dorë. Në një vend normal do kishte mjaftuar tensioni brenda procesit dhe pamundësia për t’u shprehur që gjithçka të rigjykohej.

Në sallë u vendos qetësia kur u fut i pandehur Ndrea Prendi. Më pas pati përshëndetje ushtarake për të treguar besnikëri ndaj të pandehurit. Respekt që nuk u tregua për avokatët e viktimave të cilët u përcollën po me pretekstin se nuk mund të qëndronte askush në këmbë në sallën e gjykimit.

Ju vetë çfarë shpresoni nga Gjykata e Strasburgut?

Pres që vendimi i Strasburgut t´i japë dhe një shans rigjykimit.

Çfarë ju bën ju të shpresoni se procesi do jetë normal, kur reforma në drejtësi do disa kohë që të fillojë të zbatohet, ndërkohë që janë pak a shumë të njëjtët gjyqtarë, i njëjti sistem?

Unë besoj se procedura nga vendimi i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në vetvete ka për të marrë disa kohë. Derisa të rikthehet dhe të rivihet për gjykim, unë besoj se ka kohë mjaftueshëm për të pasur drejtësi. Unë besoj se drejtësia është e rëndësishme, nuk është e rëndësishëm përshpejtimi apo nxitimi për të arritur në një përfundim.

Familjarët e viktimave kanë deklaruar se kanë marrë kërcënime gjatë gjithë kohë sikurse momenti në sallën e gjyqit…

Ka pasur kërcënime në atë kohë. Për shembull familja Veizi kërkonte të largohej nga fshati sepse kishte kërcënime edhe në fshat për djalin e vogël 13 vjeç në atë periudhë. E gjente të pamundur vazhdimin e jetës normale. Kishte agresivitet ndaj tyre. Dhe sigurisht një shtet indiferent kur bëhej fjalë për t’i mbrojtur.

Pastaj padyshim indikativ është dhe rasti i djalit të Faik Myrtaj që u vetëvra për shkak të presionit. Ai dhe me vendim gjykate konsiderohet si viktima e pestë e 21 janarit 2011.

Si e konsideroni kompensimin që vendosi Rama për familjarët e viktimave?

Pjesa e kompensimit civil ka sjellë shpesh herë keqkuptime. Kjo është marrje e përgjegjësive përballë viktimave, sepse mendoj se secili nga viktimat kishte një rol dhe një peshë monetare në familjen e tij. Shteti duke pranuar të paguajë për dëmin e shkaktuar merr përgjegjësinë civile në këtë rast.

Patjetër që kemi të bëjmë më një zhvillim pozitiv. Megjithatë kompensimi civil është ende një e mirë me karakter privat. Hapi i vërtetë do të jetë procesi penal që nuk vlen vetëm për familjarët, por edhe për gjithë shoqërinë. Por kjo sigurisht do të fillojë kur sistemi i drejtësisë të jetë vërtetë i pavarur.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Strasburgu që mund të rihapë 21 janarin, drejtësia shpresoj të arrijë te Berisha e Basha (dhe një moment fashizmi në gjyq me Ndrea Prendin)”

  1. tonia says:

    Shanst per t’u rigjykuar kjo çeshtje makabre,pas ndryshimit te nenit 449 te K.Pr.P jane zero.Duhet ter ngrihet I gjithe populli ne kembe per te abroguar ndryshimet qe u bene me 30 mars.Ky eshte vullneti I popullit.Vellezer e motra shqiptare!Nese doni te drejtoheni edhe ne te ardheshmen nga mafia e krimi I organizuar qe qendrojne pas ndryshimeve te nenit 449 rrini e duroni,nese doni te jeni te lire e dinjitoze ne Atdheun tuaj ngrihuni per abrogimin e ketij antiligji qofte I perktrahur edhe nga Kryeministri,te cilin ose e kane dizinformuar “ustallaret”,ose (dhe kjo eshte me tragjikja)ose eshte vet autor I ketij turpi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *