Rrëfimi i shokut të kursit Pëllumb Kulla: Miqësia me Robert Ndrenikën dhe si na përzgjodhën bashkëshortet gjatë një provimi

KullaNga Pëllumb Kulla

Ideja e këtij shkrimi lindi para disa ditësh, ngaqë i dha shkëndijë kremtimi i 75­vjetorit të Robert Ndrenikës, elementit më të ndritur të asaj shkolle. Dhe më shumë se të një shkolle, unë mora përsipër të jem kronikan i grupit studentor të njërit kurs të vetëm, njërit nga kurset e parë të asaj shkolle, e ndoshta të klasës më të shquar të historisë së studimeve të larta teatrale te ne.

Emra, emra, emra…

Shkolla e Lartë për aktorë me emrin e Aleksandër Mojsiut, ajo që sot përvijon të jetë fakultet, degë e Universitetit të Arteve, e mori udhën e saj të bukur në vitin 1959. Armiqësia e radhës e Enver Hoxhës nuk kishte nisur të shfaqej ende dhe ishte fat që nga Moska dhe nga strukturat pedagogjike të artit të shquar rus të aktrimit u dërgua pedagogia e njohur Nina Çefranova.

Studiot mësimore të shkollës u hapën pranë Teatrit Popullor dhe të rinjtë e shumtë, që i tërhiqte magjia e skenës dhe ekranit, vërshuan atje t’i nënshtroheshin përzgjedhjes. Robert Ndrenika me të shoqen I paharruari konkurs i parë nxori fitues elementë, që pastaj u bënë studentë të shkëlqyer dhe artistë të mëdhenj si: Bexhet Nelku, Edi Luarasi, Mario Ashiku, Serafin Fanku, Albert Verria…

Kursi ynë e nisi rrugën një vit më vonë, në gjurmët e të parit. Në fakt, tre prej nesh, Ndrenika, Shpëtim Shmili dhe unë, nuk arritëm të bënim dot pjesë në kursin inaugurativ. Nuk i fituam testet dhe nuk ia dolëm të bindnim komisionin pedagogjik. Gojëhidhur na u desh të prisnim trenin e dytë të ëndrrave.

Kështu u bëmë tok në një grup, që i dha skenës dhe ekranit shqiptar aktorë dhe regjisorë që bënë emër në artin e interpretimit. Dhe për të më dhënë të drejtë në këtë vlerësim do të rreshtoj këtu që të gjithë emrat: Robert Ndrenika, Viktor Zhusti, Vladimir Prifti, Shpëtim Shmili, Antoneta Papapavli, Vera Zheji, Bukuroshe Kokalari, Adem Gjyzeli, Ali Bega, Kadri Piro, Tonin Ujka, Kristo Jorgji, Ibrahim Bërdaku, Sandër Pogaçe, Thoma Milaj, Vasil Kokoshari, Mit’hat Fagu, Xhelal Bilali dhe i nënshkruari, Kulla… Tok në një kurs, për katër vjet.

Ne dhe pas nesh, studentët që ato vite ndoqën mësimet në ndërtesat e Teatrit Popullor, kishim privilegjin të vërtiteshim në oborrin e atij teatri, uleshim e pinim kafe në klubin e brendshëm, ndiznim cigaret e para me zjarrin e cigareve të kolosëve, ose luanim si figurantë në shfaqje pranë këtyre kolosëve, brezit të artë të aktorëve, Kadri Roshit, Naim Frashërit, Mihal Popit, Prokop Mimës, Loro Kovaçit, Sul Pitarkës, Marie Logorecit, Besim Levonjës, Violeta Manushit, Margarita Xhepës, Viktor Gjokës…

Mjeshtërinë e aktrimit dhe të regjisë na e jepnin pedagogët më të mirë të historisë së shkollës. Më pas, për shkak të prishjes së marrëdhënieve shtetërore me Bashkimin Sovjetik, pedagogia ruse u largua, por ata që mbetën ishin nga më karizmatikët të angazhuar në praktikën teatrale, duke dhënë veprat e tyre kulmore. Në atë kohë Luarasi realizoi “Dhelpra dhe rrushtë”, Spahivogli “Shtëpia në bulevard”.

U vunë në skenë “Hamleti”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Karnavalet e Korçës”. Regjisorë më të rinj, që më vonë u bënë dhe ata pedagogë, Esat Oktrova dhe Piro Mani, sapo kishin mbaruar studimet jashtë dhe sillnin nga Korça dhe Shkodra vepra si “Hijet e natës” dhe “Pamje nga ura”, “Histori Irkutase”, në të cilat shkëlqenin emra të mëdhenj të aktrimit, Tinka Kurti, Pandi Raidhi…

Bujtja pranë atij tempulli e dha pa dyshim ndikimin frymëzues dhe shpirtëror te studentët e shkollës. Nëse shfleton albumet e kurseve që ndoqën atë tonin, do të gjesh jo pak nga ata që shfaqnin që aty shenjat dhe u bënë vërtet artistë të shquar. Menjëherë në kursin pas nesh do të gjesh emra të njohur: Rikard Ljarja, Vaçe Zela, Leka Bungo, Reshat Arbana…

Në një kurs pas tyre, vinin Vangjush Furxhiu, Agim Shuka, Muharem Fejzo… Dhe kursi i fundit që ne lamë atje pas marrjes së diplomave tona kishte në gjirin e vet Bujar Kapexhiun, Guljelm Radojën, Fatos Haxhirajn, time shoqe Xhuljetën, Skënder Calën dhe plot të tjerë…

Më pas, shkolla u zhvendos dhe zuri vend në kompleksin e fundit të bulevardit, pranë korpusit qendror të universitetit, aty ku është edhe sot. Por kronika ime, me historinë dhe emrat e parë, mbaron këtu. Veçse ia vlen të shkruhet nga kronikanë të tjerë rrjedha e historisë së saj, e pasuruar me tërë ata emra mbresëlënës të mëvonshëm, që i meritojnë vendet në tabelën e artë të asaj shkolle, e falë i qofshim Zotit! Por unë e nisa shkrimin me dëshirën të fokusohem në kursin nga doli Roberti…

Djem të pashëm, vajza të hijshme

Por shoku i klasës, sado shok, nuk mund të mos kishte smirë zërin e bukur të Zhustit, shqiptimin e tij të pastër e të kthjelltë, gjallërinë e syve të tij, bukurinë mashkullore që Viktori e ka të patrazuar edhe tani kur i ka kaluar të shtatëdhjetat, e jep shenja se do të ruajë jetëgjatësisht pamjen e një plaku të bukur. Ai atëherë ishte më i preferuari i pedagogëve, vajzat kishin dëshirë ta kishin në skenat e tyre të provimeve të fundvitit.

Krahasoni se sa pak rëndësi ka kush është më i pashëm e flet më rrjedhshëm, p.sh., në Fakultetin e Inxhinierisë. Janë cilësi që nuk hyjnë në punë në karrierën e Inxhinierisë, mjekut apo juristit. Ndërsa rekuizitat fizike të mashkullit apo të femrës, tek ata që i kushtohen skenës, janë lënda bazë për ndërtimin e jetës, rangut artistik, popullaritetit, magjisë.

Ato prodhojnë thirrje admirimi, duartrokitje. Do të pajtoheshe se s’bën me portretin e hijshëm të Ndrenikës, me plastikën e mrekullueshme të Shpëtimit, me fytyrën engjëllore të Bukuroshes, me devotshmërinë studentore të Bërdakut, me zërin e ngjeshur solemn të Verës, e cila ishte folësja kryesore e “Radio Tiranës”, me elegancën e Sandrit, kulturën muzikore të Ali Begës, me buzëqeshjen e Kadri Piros, me temperamentin e Gjyzeli… Që këtej, që nga këto cilësi niste ndarja e roleve të heronjve dhe heroinave. Ju i keni përpara syve tiparet e bukura të Robertit te “Koncerti ‘36″, apo qoftë edhe te “Prefekti”.

Mua me Bertin më bashkonin shumë gjëra: të dy ishim banorë të Tiranës, të dy ishim me përbërje politike jo fort të përshtatshme dhe për këtë, që të dy vazhdonim studimet me shpenzimet e prindërve dhe, me gjithë trokitjet tona të panumërta nëpër zyra, mbetëm pa bursë nga shteti. Pëllumb Kulla Ne rrinim tok gjithë ditën, duke sajuar shaka dhelpërore, por rolet më të mira natyrisht do të shkonin tek ai.

Dhe shoqëria jonë, apo puset tona të fantazisë, nuk hynin aq në punë për trajtime të njëjta. Mua më duhej të zhvilloja zotësi të tjera. Ne me Bertin patëm rastësisht edhe një lloj “baxhanakërie”, se në mbyllje të vitit të fundit i zgjodhëm shoqet e zemrës nga i njëjti kurs, nga ai më i riu, me dy vajza që sapo kishin filluar te ne, vitin e parë. Dhe lidhëm vërtet jetët tona me to. (Pas vitesh, e ndjera Poli, iku e goditur nga një sëmundje e rëndë që e bëri të vuajë gjatë. Tok me të vuajti dhe shoku ynë i vyer, që edhe në lëngatën e gruas së tij të shtrenjtë, dha një shembull të rrallë përkushtimi bashkëshortor, duke braktisur për afro tre vjet aktivitetin skenik).

Po le ta lemë këtë notë të trishtë dhe të rikthehemi aty në vitet e shkollës. Pasi ishim martuar dhe bërë me fëmijë, shoqet tona na patën zbuluar një hollësi interesante të përkimit të fateve njerë­ zore. Na treguan se qyshkur ne ishim në vitin e parë të shkollës dhe ato të dyja ishin ende në Liceun Artistik “Jordan Misja”, tok me shoqet e klasës erdhën me pedagogët e tyre si bujtëse në provimin tonë të fundvitit. Ishte lënda kryesore, ajo e mjeshtërisë aktoriale.

Secili nga ne studentët dilnim në skenë individualisht me nga një etyd të punuar me kujdes, ku vepronim si aktorë pa fjalë. Etydet ishin të shkurtër, por interesantë. Shtrigat e vogla të Liceut nuk u mjaftuan me marrjen e përvojës që do t’u duhej pas disa vjetësh kur të vinin në shkollën tonë, por nisën ta shohin provimin edhe duke zhvilluar heshturazi një lojë vajzash. Ato përfytyroheshin nuse dhe patën caktuar radhë për të zgjedhur dhëndurë nga rreshti, sipas të cilit shfaqeshim ne njëri pas tjetrit në skenë.

Në këtë mënyrë ato ia shtuan vetes tik­taket emocionale, duke pritur nga ky provim se cilin nga djemtë do t’u kishte ruajtur fati. E fatet e tyre shfaqeshin radhë­radhë, sipas listës që patën hartuar pedagogët tanë. Edhe pse ato realitete nuk u bënë kurrë, shoqet duke qeshur, përgë­ zoheshin dhe uroheshin me pëshpërima, pa prishur qetësinë e provimit.

Veç dy prej tyre u bashkuan vërtet me djemtë që u caktoi fati në atë skenë studentore. Në radhën e Poliksenit, shoqet shikonin sa atë aq edhe studentin që do të shfaqej. U hap perdja dhe në mes të skenës u gjend Berti. Poli buzëqeshi, ndërsa shoqet ofshanë nga zilia dhe kënaqësia për fatin e saj. Deri atë çast Berti përbënte kuotën më me vlerë të kësaj lotarie njerëzore.

Pas tij qëlloi që të isha në program unë, kurse në sallën vogël shoqet ia kishin ngulur sytë Xhuljetës, e cila kishte radhën dhe po provonte emocionet sikur kjo të mos ishte thjesht një lojë. Perdja u hap ngadalë dhe u shfaqa unë. Më treguan që vajzat e kishin fshehur zhgënjimin. Xhuli më tregoi se njëra, madje, i paskësh thënë: “Hë, Xhuli, mos u mërzit, se lojë është”.

Që nuk ishte lojë duhej të kalonin tre vjet që të provoheshe. Kur ime shoqe u zemërua keq me mua një herë, për ta zbutur unë provova t’i them se atë ditë fatale profesor Spahivogli në program, pas Robertit, kishte vënë etydin e një shoku tjetër, por ai u sëmur dhe në rreshtim më ngjitën mua.

Tregimi im e zbuti dhe ajo nisi të luante kureshtaren e etur, duke më kërkuar me ngulm: “Vërtet?! Kush? Kush ishte ai? Ama, kushdo që të ishte…”, psherëtiu. “Gjithsesi, më i mirë se unë do të ishte!”, plotësova me mend. Por me gojë i ktheva diçka të thartë: “E vërteta, moj zonjë­ i thashë ­është se dikush e pat sjellë sekretin tuaj te ne dhe kur u mor vesh se cila nga ju kishte radhën për të zgjedhur, ai shoku u shti i sëmurë.

Gjysma e shokëve të kursit nuk deshën të ishin pas Robertit. Fati i atij që u bë i sëmurë, erdhi e më ra mua”. Ajo ia plasi gazit dhe nisi të më godiste me grushte në kurriz

REMOTE_ADDR:[]

9 komente në “Rrëfimi i shokut të kursit Pëllumb Kulla: Miqësia me Robert Ndrenikën dhe si na përzgjodhën bashkëshortet gjatë një provimi”

  1. liku says:

    planifikimi socialist i bente dhe kto pune.

  2. Pellumb Kulla says:

    Ani Jaupaj, moj vajzë, gazetare e Panoramës! Dhe ti mendon se kështu do të ecësh në gazetari?!
    Si mund të ndodhë që ti t’i japësh një gazete tjetër një shkrim të cunguar, një shkrim të lehtë, me një përmbajtje thjesht kureshtare, por aspak thelbesore, që zbulon intimitete, por nuk hyn në thelbin e shkrimit, kur në tërësinë e tij do të tingëllonte natyrshëm? Dhe këtë e bën pa marrë lejë nga unë?!!!! Ti, moj piciruke, mendon se ke të bësh me një fillestar që ka nevojë ta marrësh ti për dore, ti, rrugace anonime, dhe ta shpiesh pa lejën e tij, tek një gazetë tjetër?! Dhe e shpie tek një gazetë që autorin nuk ka nevojë ta rekomandosh, pasi ka botuar në të që nga themelimi i saj, rreth 200 shkrime?! Teksa unë, prej ditësh po të kërkoj përgjigje, ti hesht dhe e dërgon shkrimin e nisur tek Panorama të botohet i stërkrasitur tek Tema!!!! Ku është etika, korrektesa, kultura e marrëdhënies që ke mësuar ti? O turp gazetarie!

  3. unë says:

    S’ka gjë më të pështirë se sa të flasësh për veten.

  4. nord.al says:

    na…pla…by…per ty dhe Ndreniken qe kujtoni se jeni qendra e botes.

  5. adhuruesi i teatrit says:

    I bashkohem komentuesit te me siperme me pseudonimin “Une”.Pellumb Kulla njihet si autori i skecit komik “A doni me per Belulin?” Edhe Pellumbi shkruajti per “Belulin” dhe foli per… vetveten.(I nderuari “Belul”,ne rastin konkret te Robert Ndrenikes,nuk flet kurre per vetveten megjithese eshte nje kollos i plejades se famshme te aktoreve te medhenj te teatrit dhe filmit shqiptar).Per kete e kujtojme Pellumb Kullen,per personazhet e figurat e ngulitura mire ne skecet e estrades se Fierit.

  6. Faleminderit mikut dhe shokut te ngushte te babait tim Ibrahim Berdaku z.Pellumb Kulla i cili na ka perfaqesuar neper bote dhe gjithashtu, qe ruan akoma kujtime dhe respekt per babain tim. Respekte gjithmone z.Pellumb Kulla

  7. lexues says:

    Z. Kulla, perpara se te leshoni keto fyerje, qe nuk i kane hije zoterise suaj, mos duhet te pyesni keta zoterinjte e Temes se nga e kane marre kete shkrim dhe nuk citojne burimin?

  8. Pokeristi says:

    Z.Kulla!
    Qofte ti,qofte Berti jeni ikona ne fushen e artit tone modest.

    Une jam nje nga ata,qe shkrimi yt mbi te gjitha me ngjall nostalgji per ate kohe,me gjithe mangesite e skajshme te atehershme.
    Bashke me disa shoke te mij,ne fillimin e viteve 60 te,kemi qene mjaft te rinj.Me deshiren per t’u shtirur si artdashes dhe sime te medhenj nga mosha,ndiqnim te gjitha aktivitet latraro-artistike,duke qene present ne sallat ekinemave,ne ate te estrades,te operas e baletit e te ansamblit te kengeve e valleve.Sigurisht hynim pa bileta dhe e quanim vehten me mburje Kombetarja.Po ashtu ndiqnim dhe konkurset per
    t’u pranuar ne te ashtuquajturin e atehershem art dramatik.
    Me kalimin e kohes ti dhe Berti u bete Te medhenj dhe kini lene gjurme ne historine e artit tone.Une me shoket e mij mbetem te vegjel,por me deshire te madhe per artin dhe me nje dashuri erespekt po aq te madhe per te gjithe ata qe ti permend.

  9. Teska says:

    Mbase jam më dritëshkurter se “unë” e “adhuruesi i artit” por unë nuk e pashë Belulin në asnje qoshe! kurse ti “nord.al” sigurisht që nuk janë qendra e botës… tende!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *