Sulltanati Erdoan

erdoganNga Enver Robelli

Rexhep Taip Erdoani është nisur për në Madagaskar. Në kuadër të një vizite disaditore në Afrikë kryetari i Turqisë do të qëndrojë edhe në Tanzani dhe Mozambik. Në Ankara ai sapo ka arritur një sukses në betejën e tij për t’i siguruar vetes sa më shumë pushtet. Parlamenti turk, i dominuar nga partia konservatore-islamiste e Erdoanit AKP, ka miratuar gjatë fundjavës një reformë kushtetuese, e cila – këtë duhet thënë qartë – e varros Republikën e Turqisë të themeluar nga Mustafa Kemal Ataturku.

Kryetari i Odës së Avokatëve të Turqisë, Metin Fejziolu, tregoi një guxim të pashoq kur e analizoi sistemin e ri presidencial të synuar nga Erdoani: «Turqia është qeverisur gati 600 vjet nga ky sistem. Në literaturën tonë e kemi një shprehje për këtë: quhet Sulltanat». Fjalori i Gjuhës Shqipe kështu e shpjegon domethënien e fjalës sulltanat: «Shtet që ka në krye një sulltan». Sulltani, sipas Fjalorit, është «titulli i trashëguar i sundimtarit absolut në Perandorinë Osmane dhe i mbretërve në disa vende të Lindjes së Mesme e në Afrikë, ku fe zyrtare është myslimanizmi; ai që mban këtë titull».

Nëse shikojmë ndryshimet e parapara kushtetuese, atëherë në horizontin nga Anadolli në Bosfor po shfaqet një Sulltanat i ri. Sulltanati i Rexhep Taip Erdoanit. Parlamenti ka vendosur të ndryshojë 18 nene të kushtetutës, për të cilat duhet të japin pëlqimin edhe qytetarët në referendum. Këto janë ndryshimet kryesore: në të ardhmen presidenti do të jetë edhe shef i qeverisë. Posti i kryeministrit nuk do të ekzistojë më. Presidenti e ka dorën e lirë të emërojë ministra pa e dëgjuar parlamentin, të caktojë zëvendësit e tyre, të themelojë ministri sipas dëshirës dhe personalisht të vendosë mbi zgjedhjen e rektorëve të universiteteve. Ministrat nuk mund të shkarkohen me vendim për mosbesim nga ana e parlamentit, kundër tyre mund të zhvillohen vetëm hetime, por për fatin e tyre të mëtutjeshëm vendos sulltani (presidenti). Në të ardhmen presidenti mund të jetë anëtar i një partie, gjë që deri më tani ka qenë e ndaluar. Ai po ashtu mund ta shpërndajë parlamentin në çdo kohë dhe të bllokojë projektligjet me veto.

Në Sulltanatin e ri turk parlamenti nuk do të jetë më shumë se një muze me 600 delegatë që vetëm do të pranojnë urdhrat e Erdoanit. Kushtetuta e re i jep të drejtë presidentit të nxjerrë dekrete, të cilat kanë fuqi ligjore. Sa për sy e faqe është paraparë që çdo katër vite në mbahen zgjedhje parlamentare. Drejtësia do të humb përfundimisht pavarësinë e saj. Erdoani vetë do t’i zgjedh shumicën e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe vetë do t’i caktojë anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili vendos për emërimin e gjykatësve në mbarë vendin.

Që nga përpjekja për grusht shteti në korrik të vitit të kaluar Rexhep Taip Erdoani është duke qeverisur me dekrete – falë gjendjes së jashtëzakonshme, e cila ende është në fuqi. Ndryshimet kushtetuese do të legalizojnë dhe legjitimojnë pushtetin që Erdoan e ka rrëmbyer me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Kush mund ta ndalë Erdoanin? Kush mund ta pengojë atë të themelojë Sulltanatin e tij? Vendimi gjendet në duart e popullit turk. Në fund të marsit apo në prill në Turqi do të mbahet referendumi për kushtetutën e re. Ajo pjesë e opozitës turke që ka mbetur jashtë burgut duhet të përpiqet të mobilizojë qytetarët kundër fantazive të Erdoanit për pushtet të përhershëm dhe të pakufizueshëm. Ndryshimet kushtetuese rrëzojnë themelet e Turqisë moderne dhe suprimojnë parlamentarizmin, duke i hapur rrugën një diktature. Sipas anketave 70 për qind e qytetarëve nuk e dinë se çka përmbajnë ndryshimet e reja kushtetuese. Në kushte të censurës shtetërore, represionit, shtypjes së mediave, ndjekjes së kritikëve është e dyshimtë nëse para referendumit mund të zhvillohet një garë e barabartë mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të reformës.

Lakenjtë e Erdoanit theksojnë se reforma nuk paraqet asfare rreziku për demokracinë, sepse edhe SHBA-të apo Franca kanë sisteme presidenciale. Kjo është e saktë vetëm në shikim të parë, sepse në këto vende parlamenti dhe gjykatat kujdesen për korrigjimin e vendimeve të gabueshme të presidentit, në Turqi pushteti koncentrohet vetëm në duart e personit në postin e presidentit. Nëse turqit binden dhe e miratojnë kushtetutën e re, atëherë ajo do të hyjë në fuqi hap pas hapi deri në nëntor 2019, kur do të mbahen zgjedhjet presidenciale. Që Erdoan do të garojë sërish, kjo është e sigurt si amini në xhami. Nëse fiton zgjedhjet përkatëse, ai teorikisht mund të qëndrojë në postin e presidentit deri në vitin 2034. Atëherë ai do të jetë 80-vjeçar. Me Kushtetutën e re, shkruan gazeta gjermane «Die Zeit», Erdoani dhe partia e tij AKP ka zgjedhur si model Sirinë e Bashar al-Asadit.

REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Sulltanati Erdoan”

  1. Al banistan em i dashtun says:

    Allah , Allah , Babaxhan Erdogan, BABAI SHPIRTEROR I SUNITAVE SHQPTARE ne te gjitha trojet shqiptare ish osmane…E KU ESHTE E KEQJA KETU!?

  2. Bogonica says:

    Turqia dhe populli turk nuk mund te marrin mesime nga Shqiperia dhe Kosova se si duhet te veprojne brenda shtetit te tyre.Te dy shtetet tona kane kohe qe perpeliten ne rrugen e demokracise,ndersa Turqia ka hyre ne demokraci qe ne mes shekullin e kaluar.Ka qene i lejuar pluralizmi politik, ekonomia e lire e tregut,qarkullimi i lire i turqve berenda dhe jashte Turqise,admistrimi i teritorit,feja eshte e shkeputur nga shteti,eshte lejuar avokati me dekada etj,pra ka nje sitem drejtesie ku e ku larg me Shqiperine dhe Koseoven.Per me teper Turqia eshte nje vend i zhvilluar ekonomikisht,dhe vazhdon te zhvillohet me ritme te shpejta.Turqit nga mentaliteti jane ku e ku larg me vende te tjera te botes muslimane dhe nuk mund te pranojme qe ata jane popull dele qe i merr neprekembe presidenti kushdoqofte ky.Kohet e fundit ne Turqi jane marre masa radikale ndaj nje grushti te deshtuar shteti,duke vendosur gjenjen e jashtezakonshme.Nuk e di se si do sillej nje vend tjeter dhe a do te falnin gjakun 300 viktimav te pafajshme te grushtit te shtetit(!)A nuk duket absurede qe merren ne mbrojte pucistet dhe eshte ngritur nje kakofoni kunder rendit kushtetues ne Turqi dhe vecanrisht kunder presidentit Erdogan?Presidenti turk ka qene kritik me paraghykimin qe i ben Bashkimi Europian vendit te tij,ku per me se tridhjet vjet Tuqria ka plotsuar shumicen e standarteve per kete qellim,por ajo pargjykohet nga Europa vetem per shkak te besimit.Persidenti Erdogan nuk ka qendruar kokeulur para BE-se por fale dhe poziciont gjegrafik ai i ka paraqitur vendit te tij dhe alternativa te tjera.Pikerisht ky qendrim i Erdoganit ju errsua syte BE-se dhe disa “analisteve dhe “gazetareve” shqiptere qe “hane buke e uje e shohin hesapet e tjeter kuj”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *