I papuni Durim Bami pronar i disa apartamenteve, akuzë e re nga prokuroria

24 Janar 2017, 14:57Kronika TEMA

Prokuroria e Krujës ka ngritur akuzë të re për ‘pastrim parash’ ndaj të pandehurit Durim Bami, i cili ndodhet në ‘arrest shtëpie’ për kallëzim të rremë në çështjen ‘Doshi’. Sipas prokurorisë së Krujës, Durim Bami nuk justifikon blerjen e disa apartamenteve në Durrës dhe në Tiranë.

Por pavarësisht akuzave të reja në ngarkim të Bamit, Gjykata e Krujës ka shpallur moskompetencë për çështjen, ndërsa i akuzuari ka ankimuar vendimin në gjykatën e Apelit. Më herët, Prokuroria e Krujës kishte përfunduar hetimin dhe dërgoi për gjykim Durim Bamin, i akuzuar për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Nga hetimi, ka rezultuar se i pandehuri, ka lidhur kontrata për shitblerjen dhe qiradhënien e pasurive, në zyra noteriale të ndryshme.

Konkretisht në harkun kohor 20.11.­2015, i pandehuri ka kryer transaksione të ndryshme në fushën e “Dhënies së huasë” dhe “Blerje apartamenti” në vlerën totale 15.670.000 lekë. Nga ky total, ai ka “dhënë hua” 5 400 000 lekë, si edhe ka shpenzuar për “ndërtim të paluajtshëm” vlerën 10.270.000 lekë, raporton BW.

Prokuroria e Krujës ka arritur në konkluzionin se ky shtetas, pa pasur asnjë të ardhur financiare të ligjshme (vetjake apo të familjes së tij), nëpërmjet këmbimit ose transferimit të pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, veprimeve aktive të kundraligjshme, konkretisht formave të paraqitura me poshtë, ka konsumuar elementët e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, parashikuar nga neni 287 i K.Penal.

I pandehuri është dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale, në bazë të të cilave Prokuroria e Krujës ka krijuar bindjen se ka gjeneruar përfitime ekonomike në vlera të konsiderueshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje