Krerët aleatë kërkojnë të jenë në listat e PD më 18 qershor, ngërçi mban pezull koalicionin e djathtë. Basha ende ngurron, Berisha s’ka folur...!

24 Janar 2017, 12:09Politika TEMA

Koalicioni i djathtë i kryesuar nga Partia Demokratike dhe lideri i saj Lulzim Basha po përpiqet të konturohet si një aleancë e qëndrueshme. Për aleatët e vegjël kjo periudhë ka qënë shumë konsoliduese për koalicionin  e djathtë, sidomos në betejën për votën e lirë që realizohet përmes votimit elektronik. Të vegjelit e djathtë i janë atashuar PD në qëndrimin e saj për të pasur si kusht krucial dhe të patjetërsueshëm votimin elektronik në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit të këtij viti, që ato të cilësohen të drejta dhe të ndershme.

Madje aleatët e vegjël të PD kanë qënë më të ashpër në drejtim të ndërkombëtarëve dhe veçanërisht OSBE për reformën zgjedhore, duke akuzuar se, është pikërisht ky institucion monitorues ndërkombëtar ai që ka zvarritur këtë reformë. Madje akuza ka pasur nga PD dhe aleatët se saj se është bërë njësh me mazhorancën aktuale për bllokimin e votimit elektronik nën argumentin se është vonë për implementimin e teknologjisë për votimin e 18 qershorit.

Sipas PD dhe aleatëve të saj, ka kohë për vendosjen e teknologjisë për votimin elektronik, por mungon vetëm vullneti politik i mazhorancës dhe mbështetja e OSBE.

Pikërisht, dhe në bazë të këtij kontributi në përballjen politike me mazhorancën dhe OSBE për votimin elektronik, aleatët e vegjël të PD, tashmë që kanë humbur mundësinë e realizimit të kërkesave të tyre për reformën zgjedhore, kërkojnë të garantojnë mbijetesën e tyre në Kuvendin e Shqipërisë dhe në politikë.

Burimet brenda selisë blu saktësojnë dhe disa nga aleatët e vegjël të PD kanë kërkuar që të jenë në listat prioritare të kandidatëve të PD në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Ashtu sikurse është vepruar në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013. Ku u garantua përfshirja në Kuvendin e Shqipërisë të kreut të PR Fatmir Mediu, atij të PDIU Shpëtim Idrizi, të PDK Nard Ndoka dhe të LZHK Dashamir Shehi. Pikërisht të njejtën gjë i kanë kërkuar Bashës krerët e partive të djathta, aktualisht në aleancë me PD.

Mësohet se kreu i opozitës Lulzim Basha po ngurron të kthejë një përgjigje negative, pasi më se njëherë është shprehur se partitë duhet të provojnë veten. Jo për të dalë më vete, por për të qënë në një koalicion parazgjedhor me listat e tyre të kandidatëve për deputetë. Burimet konfirmojnë se ngurrimi i Bashës për të vendosur përfshirjen e krerëve të partive të vogla aleate në listat prioritare të kandidatëve për deputetë të PD në qarqe e ka zanafillën tek fakti se nuk ka besim nese do qëndrojnë në koalicion edhe pas zgjedhjeve, duke qënë se shanset më të mëdha për PD janë që të jetë dhe katër vite të tjera në opozitë.

Mësohet se Basha në takimin me kryesinë e vogël të PD apo siç quhen ndryshe më të besuarit e kreut të PD dhe që kanë në dorë listat e kandidimit, është shprehur se nuk dëshiron të ndodhë si me PDIU që është në koalicionin mazhoritar tashmë dhe kreun e PDK që ka pasur shumë luhatje sa majtas ashtu dhe djathtas. Mësohet se pikërisht ky ngurrim i Bashës e ka futur në ngërç koalicionin e djathtë, teksa na ndajnë më pak se pesë muaj nga zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit të këtij viti.

Ndërkohë që Basha po mendohet, ai që vendos në PD, ish-kryetari dhe ish-kryeministri Sali Berisha ende nuk ka folur. Pavarësisht se aleatët e djathtë të PD tek Berisha kanë besim, pasi ai është personi që e aplikoi në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 përfshirjen e krerëve të partive të vogla në listat poriritare të kandidatëve të PD. Mësohet se kjo do të jetë dhe “beteja” e vogël brenda koalicionit të djathtë mes të vegjëlve për mbijetese dhe PD të frikësuar nga “eksodi” pas zgjedhjeve i deputetëve./TemA-m.a.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje