Lëvizjet e Trump, për një supremaci të re amerikane

24 Janar 2017, 16:22Politika TEMA

Në përgatitjen e një strategjie të re, Donald Trump duhet të bëjë llogaritë me të shkuarën. Mes pak dritave dhe shumë hijeve, trashëgimi e presidentit Obama është ajo e një superfuqie të dobësuar ndjeshëm. E poshtëruar në Siri dhe Lindjen e Mesme pas ndërhyrjes ruse, konfuze në Paqësor dhe provokuese përballë Federatës Ruse në muajt e fundit të mandatit, me vendimin e dëshpëruar për të vendosur NATO-n në kufijtë rusë, politika e jashtme e administratës Obama lë pas shumë humbje dhe një supërfuqi që është mposhtur dhe ridimensionuar në shumë fronte.

Një strategji e dobët që ka fuqizuar Putin dhe e ka shndërruar në një protagonist absolut të çështjeve politike ndërkombëtare në vitet e fundit. Do t’i takojë Trumpt tani të ripërcaktojë një strategji gjeopolitike të SHBA-së duke hequr dorë, të paktën kështu ka deklaruar, nga ndërhyrjet e shtrenjta ushtarake “humanitare” dhe duke rivendosur marrëdhëniet me Moskën. Slogani është “Amerika e Para”. Por ai duhet të ketë parasysh kufizimet e fuqisë presidenciale që parashikohen nga Kushtetuta amerikane dhe rëndësisë që kanë organe të tjera vendimmarrëse si Kongresi, Pentagoni, CIA dhe të tjera agjenci.

Ndarja e aksit euro-aziatik formuar nga Kina, Rusia dhe Irani

Cila do jetë strategjia e Trump për të rivendosur rolin e SHBA-së si fuqi homogjene? Hapja me Rusinë dhe provokimet ndaj Kinës nuk janë aspak rastësore. Sipas analistit gjeopolitik Pepe Escobar, redaktor i Asia Times, Trumo duhet të adoptojë rregullin e vjetër të “Përrça e Sundo”. “Strategjia politikë e Henry Kissinger për të përballuar treshen euro-aziatike, është përça e sundo. Të joshë Rusinë në anën e saj duke e larguar nga Kina dhe të godasë Iranin, pjesën më të dobët të treshes. Ndryshe nga Kissinger, politika e jashtme e Obamës dhe mentorit të tij Brzezinski, promotor i rusofobisë, parashikonte një strategji të ngjashme por duke afruar Kinën në vend të Rusisë”, thotë analisti.

Strategjia e Henry Kissinger

Vetë Kissinger, pak javë më parë, konfirmoi se donte të takonte presidentin Trump dhe të bëhej këshilltari i tij jozyrtar. Ish-sekretari i Shtetiti deklaroi se i kishte sugjeruar Trumpit një afrim me Rusinë me qëllim që të ridimensiononte Kinën. Miliarderi mund t’i ofrojë Putinit tërheqjen nga sanksionet e vendosura dhe njohjen e Krimës, për ta joshuar nga ana e tij.

Mbrojtje dhe masa gjeo-ekonomike: Kina në shënjestër

Veç ndryshimit të drejtimit në strategjinë gjeopolitike, priten ndryshime të rëndësishme edhe në planin gjeo-ekonomik, siç ka deklaruar vetë Trump gjatë fushatës. E para, ishte largimi nga TPP që e bëri sa hyri të hënën në zyrë. “Për shumë kohë amerikanët kanë qenë të detyruar të pranojnë marrëveshje tregtare që janë në interes të elitave në Uashington, dhe jo të masës së gjerë”, deklaroi vetë Trump. “Kemi parë shumë ndërmarrje të transferohen jashtë ndërkohë që amerikanët kanë përballuar një defiçit tregtar dhe një industri të rrënuar”, shtoi ai.

Në këtë këndvështrim duhet parë  edhe “lufta tregtare” me Kinën. Sipas gazetarit amerikan Andrew Spannaus, autori i librit “Pse fiton Trump”, “si shumë të tjerë në botën politike amerikane Trump u vendos kundër mënyrës së veprimit të Kinës që mbron tregun e vet ndërkohë që sulmon tregjet e jashtme me praktika jokorrekte. Trump nuk kritikon tregtin e lirë në vetvete, por deklaron se kjo gjë duhet të jetë reciproke. Për të garantuar këtë shkëmbim, premton të detyrojë kinezët që të rinegociojnë kushtet tregtare me Amerikën”.

Një aks i ri strategjik me Britaninë e Madhe

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është bashkëpunimi strategjik me Britaninë e Madhe. Nuk është rastësi në fakt që kryeministrja Theresa May do të jetë e para lidere botërore që do të takojë Trumpin. Takimi do të mbahet të premten dhe ka si qëllim të vendosë një aks të ri Londër-Uashington. Sipas Telegraph, takimi i së premtes është një takim historik. Ka si synim të reduktojë barrierat mes bankave amerikane dhe atyre britanike dhe të shkohet drejt një sistemi “pasaporte unike”, ngritjen e një grupi pune për të larguar pengesat mes dy vendeve dhe firmosjen e një deklarate të përbashkët për t’u kërkuar vendeve të BE të shpenzojnë 2 përqind të GDP për NATO-n, në mbrojtje të vendeve të tyre dhe për të luftuar ISIS.

Përgatiti Amarildo Lumani, TemA

Le ultime mosse di Donald Trump

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje