‘TAP’ në Shqipëri do të investojë 450 milionë euro në 2017-ën

24 Janar 2017, 10:50Ekonomia TEMA

‘Shpëtojnë’ investimet: Kjo shifër është mesatarisht sa gjysma e fluksit të investimeve të huaja direkte që hyjnë në Shqipëri në një vit…

Gjatë këtij viti, për ekonominë shqiptare projekti i gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline pritet të ketë një ndikim të madh, duke qenë se do të jetë edhe faza më e rëndësishme e ndërtimit të tij.

Institucionet financiare ndërkombëtare, por edhe ekspertët vendas në analizat e tyre për ecurinë e ekonomisë e konsideruan TAP si një nga elementët kryesorë që pritet t’i japë frymëmarrje investimeve të huaja.

Por, sa pritet të investojë TAP në Shqipëri në vitin 2017?

Shifra, sipas burimeve konfidenciale mësohet të jetë në intervalin 400-450 milionë euro, duke u konsideruar edhe më e larta për fazën e ndërtimit, raporton Monitor.

Kjo shifër është mesatarisht sa gjysma e fluksit të investimeve të huaja direkte që hyjnë në Shqipëri në një vit.

Për gjithë vitin 2015, investimet e huaja direkte ishin 871 milionë euro, ndërsa për 9 mujorin 2016 arritën në rreth 710 milionë euro.

Punët e pritshme të TAP në 2017

Gjatë këtij viti do të nisin punimet për ndërtimin e stacionit të kompresorëve në zonën e Fierit. Po ashtu do të fillojnë punimet edhe në sektorin lindor të gazsjellësit, në zonën e Korçës, për të vijuar drejt zonës malore të Skraparit ku është edhe pika më e lartë e gazsjellësit TAP, 1800 m  mbi nivelin e detit.

Gjatë fazës së dytë do të përmirësohen mbi 120 km të tjera rrugë në zonat tejet të izoluara të jugut të Shqipërisë.

Paralelisht do të zbatohen edhe një sërë projektesh me ndikim social.

Në total investimi i TAP në Shqipëri parashikohet të arrijë në 1.5 miliardë euro. Për Greqinë kjo shifër llogaritet 2.3 mld. Ndërsa i gjithë projekti TAP pritet të kushtojë 6.2 miliardë euro. Kapaciteti fillestar do të jetë 10 miliardë metër kub gaz në vit, për t’u zgjeruar në 20 miliardë kub metër kub gaz.

Sasia e parë e gazit do të transportohet në vitin 2020.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje