INTERVISTA/ Gentian Sala sqaron akuzat: Cila është pasuria ime dhe e bashkëshortes

25 Janar 2017, 16:27Politika TEMA

Kreu i Autoritetit së Mediave Audiovizive, (AMA), Gentian Sala tregon në një intervistë për shqiptarja.com, se zënia e frekuencave arbitrare nga një operator televiziv shqiptar, pengon dhe vonon kalimin e transmetimit numerik të këtyre televizioneve. Si pasojë, dëmi në buxhetin e shtetit, thotë ai, është miliona euro.

Sala iu përgjigjet akuzave të Ora News, si dhe tregon pasurinë e tij dhe bashkëshortes, që sipas disa mediave është shtuar gjatë kohës që ai është caktuar si drejtues i AMA.

Ora e dorës, për të cilën këto media shkruajnë se kushton 19 mijë dollarë, sipas Salaj është një mashtrim.

Gentian Sala fton ILDKPI, Prokurorinë apo cilido institucion të interesuar, te hetoje dhe te vlerësojë çdo dokumentacion ne lidhje me pasurinë e tij dhe të bashkëshortes.

Zoti Sala, prej disa ditësh ju jeni në qendër të polemikave të ashpra, si profesionale, ashtu dhe personale. Le ta nisim me ato personalet. Ju akuzoheni se, që kur jeni emëruar si kreu i AMA-s (nëntor 2014), i keni rritur të ardhurat tuaja 10 herë. Në veçanti, në formularin e deklarimit të pasurisë të vitit 2015, ju keni deklaruar se zotëroni një apartament në zonën e ish-Bllokut, njëkohësisht edhe 4.700 m2 tokë arë në Krujë – Mazhë e Madhe. Tjetër. Keni marrë si dhuratë edhe një orë ‘PerreletChronograph GMT Skeleton’, e cila kushton 19 mijë dollarë, por nuk keni deklaruar se kush ua ka dhuruar. Pyetja për këtë është: kush dhe përse ua ka dhuruar?

Përballë pyetjeve konkrete preferoj të jap përgjigje konkrete. Së pari, apartamenti. Unë, Gentian Sala nuk zotëroj në pronësi timen asnjë apartament në Bllok a në ndonjë territor tjetër. Apartamenti që më atribuohet në Bllok është vendi ku unë kam shkuar që foshnjë e sapolindur rreth 39 vjet më parë, është ambienti familjar ku jam rritur dhe ku ende jetoj. Kjo është plotësisht e vërtetueshme nga cilido i interesuar, apo dhe nga dikush që ka pësuar errësim tek sytë, por mendjen ende e ka “on”.

E dyta që më përmendët, 4.700 m2 tokë arë në Krujë – Mazhë e Madhe. Po e zotëroj këtë aset. E kam në pronësi sipas të gjitha rregullave dhe ligjeve të vendit. Unë në aktivitetin tim përpara se të filloj detyrën në AMA kam punuar në sipërmarrje të ndryshme private dhe sigurisht që të ardhurat dhe kursimet e mia i kam orientuar në blerjen e një toke, nisur dhe nga rrethana e shpjeguar për më herët për banimin. Edhe dokumentacioni mbi tokën është i plotë dhe konform ligjit.

Tani rreth orës ‘PerreletChronograph GMT Skeleton’ që thuhet se është 19 mijë dollarë. Ora që është treguar nuk është ora që unë zotëroj faktikisht dhe të cilën ma ka blerë një i afërmi im si dhuratë. Për fat ekziston fatura e blerjes me kartë krediti në SHBA e orës që ka kushtuar 3108 dollarë. Në kohët e sotme këto gjëra verifikohen lehtësisht dhe nga kodet përkatëse që kanë këto sende me vlerë. ILDKPI-ja, Prokuroria apo cilido institucion i interesuar mund te hetoje dhe te vlerësojë çdo dokumentacion ne lidhje me këto aspekte unë përmenda me sipër. Unë mbetem i gatshëm për të bërë çdo sqarim apo informim mbi to.

Z. Sala të vijmë tek bashkëshortja juaj. Ajo ka blerë një apartament në Dajt me një vlerë rreth 100.000 euro. Ku i keni gjetur këto lekë? Bashkëshortja ka deklaruar 38.000 euro dhurata. Nga kush dhe pse  ka marrë dhurata me këtë vlerë? Po paratë kesh 1.2 milion lekë që zotëron po bashkëshortja?

Në fillim dua t’ju tregoj një fakt që ndihmon në sqarimin e pyetjeve që ju drejtoni. Bashkëshortja, është vajzë e vetme në një familje të njohur biznesi në Shqipëri, që e ka nisur para 22 viteve aktivitetin në fushën e bizhuterive, biznes i regjistruar sipas ligjeve të shtetit shqiptar, duke arritur të jetë dhe dhe përfaqësuesi i firmave prestigjoze, Damiani, Crively, Helmuth etj.

Ju lutem kuptoni në këtë rast dhuratat e trashëgimisë së prindërve për vajzën e tyre në evente të ndryshme familjare, aq më tepër kur dhuratat janë të natyrë së biznesit te tyre. Tani, për apartamentin në Dajt: ka një kontratë paraprake blerjeje mes firmës ndërtuese dhe Dorela Kastratit dhe bazuar në të, është bërë pagesë për më pak se gjysma e shumës që ju përmendni.

Apartamenti është dhuratë nga prindërit e bashkëshortes për vajzën e tyre dhe kjo ka ndodhur para martesës sonë. Paratë kesh prej 1.2 milion lekësh të deklaruara nga bashkëshortja janë kursime të saj nga aktiviteti. Për më shumë se dy vjet në DeloitteAlbaniashpk ka përfituar të ardhura rreth 17 mijë euro, sikundër dhe pas studimeve në Angli ka punuar rreth një vit, vertetuar dhe me numer sigurimi.

3 komente në “INTERVISTA/ Gentian Sala sqaron akuzat: Cila është pasuria ime dhe e bashkëshortes”

  1. Naim Frasheri says:

    Nuk dua te Paragjykoj,po nga Pervoja Juridike qe kam, ky Njeri nese nuk ka Fatura ose Dokumenta Genjen,Pasuria nuk vihet Kurre me dhurata..
    edhe likja,Sala,Luli me Shoke,me Dhurata i kan bo Leket, Cili Dhuron Ore mbi 3000 Euro,pra edhe nese vertet Dhuron,ose eshte Hajdut,ose eshte Kriminel.

  2. lennard says:

    Fol Naim te lumte Goja.Nuk i heq asnje presje ligjerates tende

  3. D. Didani says:

    Idiotizem tej e pertej,mendesi socialiste….Para se te akuzoni nje person ??? Zbuloni akuzen!!!!!!!!!!!!!!!,ne se nuk e zbuloni”krimin”,”Korrupsionin””vjedhjen” “Vrasjen” Mos u bini ne qafe njerzeve me pyetjet: “Ku i gjete ti parate???” Ku me deshi B…. i gjeta,ti nuk ti mora,as popullit nuk ja xhvata…Kapitalizmi ka ligjet e veta!..Ligji kryesor eshte:”I zoti can perpara,ben prokopi,llafazani dhe dembeli ben llapaqenin”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje