Deklarimi i pasurisë, ja 3 mijë zyrtarët që përjashtohen nga detyrimi

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

pasuriMijëra zyrtarë dhe funksionarë të nivelit të mesëm dhe të ulët përjashtohen nga detyrimi për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, me qëllim rritjen e efektivitetit të hetimeve për ligjshmërinë e pasurive të funksionarëve nivelit të lartë. Media zbardh 7 kategoritë funksionarëve, të cilët përjashtohen nga lista e subjekteve që mbartin detyrim për të deklaruar çdo vit pasurinë pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Reduktimi i zyrtarëve që duhet të deklarojnë pasurinë parashikohet në projektligjin për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë. Nëse aktualisht pranë ILDKP deklarojnë pasurinë mbi 6 mijë zyrtarë, me ligjin e ri, ky numër gati përgjysmohet.

Administrata doganore dhe tatimore

Doganat dhe tatimet do të kenë numrin më të madh të zyrtarëve, të cilët do të përjashtohen nga detyrimi për të deklaruar pasurinë. Projektligji i ri parashikon që zyrtarët e administratës doganore dhe tatimore, që merren me mbledhjen e të ardhurave doganore ose tatimore, nuk do të deklarojnë më pasurinë. Sipas buxhetit të Ministrisë së Financave për vitin 2017, numri i punonjësve në dogana dhe tatime është rreth 3 mijë vetë shkruan shqiptarja.com.

Por jo të gjithë do të përfitojnë. Pasurinë duhet ta deklarojnë drejtori i përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm dhe drejtorët e drejtorive në qendër dhe qarqe në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, atë të Doganave dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Pushteti vendor dhe policia

Përjashtohen nga detyrimi për të deklaruar pasurinë zyrtarët e nivelit të mesëm drejtues të pushtetit vendor. Projektligji ndryshon pikën ‘c’ të nenit 3 të ligjit në fuqi, duke shtuar togfjalëshin “me përjashtim të pushtetit vendor”. Po ashtu, nuk do të deklarojnë më pasurinë pranë ILDKP nënprefektët dhe administratorët vendorë, të cilët janë emëruar në vend të ish­kryetarëve të komunave.

Projektligji, i cili pritet të miratohet në javët në vijim, përjashton shefat e komisariateve të policisë nga detyrimi për të deklaruar pasurinë. Gjithashtu, nuk do të deklarojnë pasurinë shefat e sektorëve të policisë në qendër, rrethe dhe rajone.

Sqarimi i hartuesve

Hartuesit e projektligjit kanë argumentuar reduktimin e numrit të zyrtarëve, të cilët do t’i nënshtrohen deklarimit dhe kontrollit të pasurive. “Progres­raporti i vitit 2015 për Shqipërinë ka evidentuar se “Procesi për zgjedhjen se cilat nga deklaratat e pasurive të zyrtarëve publikë do të kontrollohet duhet ende të garantojë një`kampion’ të mjaftueshëm të zyrtarëve, anëtarët e parlamentit, ministrat dhe gjyqtarët”.

Kjo gjetje e progres­raportit vjen në mbështetje të ndryshimeve të propozuara duke reduktuar një kategori të mesme ­ të ulët të subjekteve deklaruese në sistemin e tatimeve, doganave dhe policinë e shtetit, deklaratat e të cilëve përbëjnë një numër të konsiderueshëm në totalin e deklaratave të administruara dhe kontrolluara nga ILDKPKI. Vlen të theksohet, se niveli i lartë drejtues në qendër dhe në rrethe e rajone i të gjithë strukturave të sipërpërmendura do të mbetet subjekt i deklarimit dhe kontrollit të pasurive nga ILDKPK”, thuhet në relacionin shpjegues të projektligjit.

Kategoritë që nuk do të deklarojnë pasurinë

  1. Zyrtarët e doganave
  2. Zyrtarët e tatimeve
  3. Zyrtarët e nivelit të mesëm drejtues në pushtetit vendor
  4. Nënprefektët
  5. Administratorët vendorë
  6. Shefat e komisariateve të policisë
  7. Shefat e sektorëve të policisë në qendër, rrethe dhe rajone.

Ligji i ri, ja funksionarët që duhet të deklarojnë pasurinë

a) Presidenti i Republikës, deputetët e Kuvendit, Kryeministri, Zëvendëskryeministri, ministrat e zëvendësministrat;

b) Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Prokurori i Përgjithshëm, Avokati i Popullit, anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe inspektorët e Inspektoratit të Larte të Drejtësisë, Inspektori i Përgjithshëm i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit;

c) Zyrtarët e nivelit të lartë dhe të mesëm drejtues, sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil, me përjashtim të pushtetit vendor;

ç) Prefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve, dhe kryetarët e bashkive;

d) Drejtorët e drejtorive dhe komandantët e Forcave të Armatosura në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror;

dh) Prokurorët, gjyqtarët dhe përmbaruesit e të gjitha niveleve;

e) Drejtuesit e institucioneve të pavarura publike dhe anëtarët e enteve rregullatore;

ë) Drejtori dhe zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, drejtorët e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, drejtorët e drejtorive në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, drejtorët e drejtorive vendore të Policisë së Shtetit, drejtuesi dhe oficeret e policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit;

f) Drejtori i përgjithshëm, zëvendësdrejtorët e përgjithshëm, drejtorët e drejtorive në qendër dhe qarqe në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, atë të Doganave dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave;

g) Drejtuesit e të gjitha niveleve të strukturave të kthimit e kompensimit të pronave, të privatizimit dhe regjistrimit të pasurisë;

gj) Zyrtarët, që zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi, Presidenti i Republikës, Kryeministri, ministrat ose personat e barazuar me ta;

h) Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, zëvendësguvernatori dhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të saj.

i) Drejtuesit e institucioneve publike në varësi të institucioneve qendrore në nivel qarku;

j) Administratorët e shoqërive anonime me pjesëmarrje të kapitalit shtetëror mbi 50 për qind dhe me më shumë se 50 punëtorë.

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *