Komisioni për aferat e CEZ, PS thërret dëshmitar djalin e Berishës, Shkelzenin

Shkëlzen BerishaMaxhoranca do të miratojë të premten kërkesën për të thërritur si dëshmitar për çështjen e lidhjes së marrëveshjes mes ish­Qeverisë dhe kompanisë CEZ, Shkëlzen Berishën, djalin e ish­Kryeministrit Sali Berisha.

Kjo kërkesë ka acaruar dje tonet në mbledhjen e Komisionit Hetimor, gjë e cila në fund kulmoi me largimin e demokratëve nga mbledhja e komisionit. Deputeti i PS, Ervin Koçi, tha se duhej thërritur si dëshmitar djali i Sali Berishës, pasi emri i ka dalë në e­mailet e drejtuesve të CEZ, po ashtu dhe nga juristi i OSHEE­së, Romeo Karaj, raporton “Panorama”. Por nënkryetari i komisionit, Arben Ristani, e ka quajtur si qesharake kërkesën e socialistëve, duke thënë se në emaile nuk doli në asnjë moment emri i Shkëlzen Berishës, por vetëm flitej për dikë që cilësohej si “i biri”.

“Në rast se do të vijmë në këto nivele, mund të thërrasim këtu dhe djalin e Kryeministrit të sotëm, ose të bijtë e kujtdo tjetër, dhe ta bëjmë qesharake deri në fund këtë histori”, tha dje Ristani. Por gjatë mbledhjes, Taulant Balla kërkoi nga deputeti socialist, Ervin Koçi, që kërkesën ta paraqesë me shkrim.

“Zoti deputet, ju duhet të paraqisni një kërkesë me shkrim dhe komisioni do të marrë vendim të ndërmjetëm. Komisioni do të vendosë që personi Shkëlzen Berisha do duhet të dëshmojë para këtij komisioni me rrethanat që janë paraqitur gjatë hetimit. Depozitojeni me shkrim dhe ta miratojmë mbledhjen e ardhshme”, tha Balla.

AKUZAT E PD

Arben Ristani akuzoi dje të majtët se po bëjnë shfaqje politike dhe se dëshmitari i tyre, që përfshin djalin e ish­Kryeministrit Sali Berisha, është fotografuar në shoqërinë e personit të dënuar nga gjykata si vrasës i Azem Hajdarit.

Ristani ka nxjerrë fotot e Romeo Karasë me Izet Haxhinë, duke thënë se dëshmitari kyç i socialistëve është bashkëpunëtor me një kriminel. “Ju po bëni një shou për publikun. Jeni duke iu referuar një dëshmitari që, përveç atyre që tha kolegia seancën e kaluar, unë kam këtu foto që ka dalë me një njeri që ka vrarë në Shqipëri, ka vrarë deputetin. Keni të bëni me njeriun që është dënuar për vrasjen e deputetit Azem Hajdari.

Dëshmitari yt ka dalë në foto me një vrasës. Këto që ti i paraqet si e­maile dhe si prova, këto janë copa letre. Njerëzit që ju thërrisni si dëshmitarë janë bashkëpunëtorë vrasësish dhe mbi këto baza mundoheni të ngrini akuza të rreme”, tha dje Ristani e më pas u largua nga mbledhja me deputetët e PD.

Por Taulant Balla tha se demokratët morën urdhër me SMS të largohen nga mbledhja, pas provave të tmerrshme që ka administruar Komisioni Hetimor. “S’ka asnjë dyshim që këtyre u erdhën SMS nga Saliu dhe u larguan. Provat janë të tmerrshme. Kam dyshime se këta pas këtyre provave mund të largohen dhe nga Parlamenti, madje dhe bojkoti që po i bëjnë Reformës Zgjedhore është i lidhur me hetimet që po bën ky komision”, tha dje Balla.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *