Premtimet e Trumpit për vende pune dhe realiteti

26 Janar 2017, 19:30Ekonomia TEMA

Presidenti i ri do të krijojë në një dekadë 25 milionë vende të reja pune. Ky është plan ambicioz, por asgjë e veçantë. Këtë e kanë arritur edhe presidentë të tjerë. Një analizë nga Rolf Wenkel.

Më në fund edhe mund ta lexosh atë që planifikon me të vërtetë Presidenti i SHBA, Donald Trump, për ta nxitur ekonominë e SHBA: në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë mund të lexosh prej pak kohësh artikullin “Rikthimi i vendeve të punës dhe i rritjes ekonomike”. Në të këshilltarët e Trumpit ankohen se që prej krizës financiare në vitin 2008 janë zhdukur gati 300.000 vende pune në industri, se borxhet shtetërore janë dyfishuar – dhe se shtresa e mesme po zvogëlohet.

Heroi i ri i shtresës së mesme do ta kthejë në të kundërtën këtë tendencë, ta “vërë sërish në shinë” ekonominë, të arrijë me rritjen ekonomike një kuotë vjetore prej katër përqind dhe të krijojë më shumë se 25 milionë vende të reja pune brenda dekadës së ardhshme. Interesante në premisën e tij është jo vetëm ajo që përmendet, por ajo që nuk përmendet.

Ku mbetet programi i investimeve

Në fushatë elektorale Trumpi premtoi me plot gojën një program investimesh prej një bilion dollarësh, pra prej një mijë miliardë dollarësh, kryesisht për infrastrukturën. Kjo i elektrizoi atëherë me plotëkuptimin e fjalës tregjet e aksioneve dhe të kapitaleve, ato reaguan gati në mënyrë euforike, dhe shumë analistë i korrigjuan duke i ngritur parashikimet e tyre për rritjen ekonomike. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i rriti lehtë parashikimet për SHBA në vështrimin e tij të përgjithshëm për ekonominë botërore. Ndërkohë: në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë nuk përmendet më ndonjë program investimesh. Plani gjenial i Trumpit, për ta nxitur ekonominë, mjaftohet vetëm me lehtësime taksash dhe me pakësimin e burokracisë. Ai synon të ulë jo vetëm taksën mbi të ardhurat dhe tatimin mbi fitimin e ndërmarrjes, por ka në plan ta thjeshtëzojë në mënyrë radikale vetë legjislacionin fiskal, për t’i “hequr vargonjtë” ekonomisë dhe për të krijuar “miliona vende të reja pune.”

25 milionë vende të reja pune – kjo tingëllon gjigante – por për kushtet amerikane nuk është kaq e jashtëzakonshme. Vetëm në dy periudhat në post të Bill Clintonit u krijuan 21 milionë vende të reja pune, edhe Barack Obama eci në drejtim të shifrave të tilla. Kjo ka të bëjë me faktin se tregu amerikan i punës është shumë më dinamik, se ç’njihet në Evropë. Vetëm në nëntor 2016, sipas organizatës private të ndërmjetësimit të vendeve të punës, ADP u krijuan 216.000 vende të reja pune në sektorin privat – çdo tri orë u krijuan rreth 800 vende pune.

A e ka fajin globalizimi për pakësimin e vendeve të punës?

Politikanëve u pëlqen që të përqendrohen të shtimi i vendeve të punës, analistëve u intereson diferenca midis vendeve të reja të punës dhe numrit të atyre që e humbasin vendin e punës. Dhe për këtë Trump dihet që bën përgjegjës globalizimin, tregtinë e lirë dhe marrëveshjet tregtare të pafavorshme për SHBA – ato sipas tij kanë çuar në një eksod të pashembullt të vendeve të punës në vende me paga të ulëta.

Ky argumentim është dyfish i rrezikshëm. Sepse në radhë të parë nuk është globalizimi, por janë racionalizimi, automatizimi, “lean production” ato që kanë eleminuar shumicën e vendeve të punës. Sipas Bankës Qendrore amerikane FED, në 40 vitet e fundit prodhimi industrial në SHBA u rrit me 150 përqind, kurse numri i vendeve të punës në industri ra me një të tretën.

Së dyti, ky argumentim është i rrezikshëm sepse ai sugjeron që me rinegociim të marrëveshjeve tregtare mund të kthehet pas rrota dhe kështu shumë vende pune të zhvendosura jashtë vendit mund të kthehen në vend – dhe kjo në rast nevoje me tatime ndëshkuese. Në vështrim të parë kjo mund të ketë funksionuar, kur industria amerikane e automjeteve i bëri temena Presidentit, i anuloi planet për botën e jashtme dhe premtoi vende të reja pune në atdhe.

Rritja ekonomike krijon vende pune

Por strategjitë e koncerneve dhe vendimet për investimet nuk vendosen nga sot nesër, ato janë produkt i një linje të gjatë procesesh vendimore. Kështu duket se koncernet automobilistike vetëm sa publikuan ato që kishin ndër mend prej kohësh. Kjo i bën ato të duken besnike ndaj Presidentit dhe atë të dalë si fitimar, megjithëse nuk është krijuar asnjë vend pune shtesë.

E rrezikshme është edhe të besosh se mund të krijosh vende të reja pune, duke i dënuar me taksa ndëshkimore produktet e partnerëve të tu tregtarë. Të mos harrojmë: për të krijuar 25 milionë vende të reja pune, atij i duhet një rritje ekonomike vjetore prej të paktën katër përqind. Por taksat ndëshkimore do ta frenojnë në plan afatmesëm zhvillimin. Citi Bank mendon se kjo frenë e rritjes ekonomike do të jetë një përqind në vit.

3 komente në “Premtimet e Trumpit për vende pune dhe realiteti”

  1. SK says:

    A billion is a thousand of million. Please do the math, author.

  2. Dritan says:

    O gazetar kafshe.Bilioni eshte miliard me te tuat,trilioni eshte 1000 miliard

  3. adri says:

    Hajdutet Meksikane qe kane pushtuar ne menyre te paligjeshme vendet e punes Amerikaneve me dokumenta te rregullta.
    Keta hajdute te paftuar qe kane shkelur token e SHBA se ju kane marre punen mijerave emigranteve dhe Amerikaneve me dokumenta te rregullta qe kane sakrifikuar dhe studiuar me vite qofte ne vendet e tyre te origjines qofte ne Amerike.
    Bravo Trump.
    Duhet thene qe me ne fund Amerika e ka nje president qe mendon per shtetasit dhe kombin Amerikan por dhe per paqen dhe sigurine ne Bote.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje