Dokumenti i pabotuar për Shkodrën, bashkëjetesa pa martesë 200 vite më parë

27 Janar 2017, 08:33Dossier TEMA

Një dokument i panjohur i vitit 1769 del për zonën e Mbishkodrës. Është revista “Hylli i Dritës” që e boton atë, në numrin e saj më të fundit. Dokumenti i sjellë nga Mark Palnikaj hedh dritë mbi gjendjen e zonës, ritet, traditat e zakonet, si mbijetonin a si jetonin banorët e zonës. Relacioni është hartuar nga “Vëllai Luigi Maria nga Roma, Prefekt Apostolik i Misionit të Pultit”.

Në të ai tregon, përveç gjendjes së banorëve të varfër, edhe të kishave me “mesharë të vjetruar ose gjysëm të grisur, kelshejte e patena të ndryshkura e të papraruara” por edhe për tetë “shpërdorimet” që banorët e zonës bëjnë- me vjedhje, a vrasje, me mëkatet që binin në kundërshtimet me udhëzimet e etërve françeskanë (megjithëse siç pohon dokumenti ata po punojnë por nuk kanë arritur t’i ‘shkulin’), shkruan sot “GSH”.

“Po botojmë një relacion të Fra Luigi Maria nga Roma, Prefekt Apostolik i Misionit të Pultit, dërguar me datën 20 shkurt 1769. Relacioni ndodhet në Arkivin e Propoganda Fide në Vatikan në dosjen APF, SC Albania, Vol 12, faqe 552 -559”, shkruan Palnikaj. Po aty, ai vëren se “nga mbi njëqind relacione që kemi marrë në këtë arkiv, zgjodhëm për botim pikërisht këtë, sepse na jep të dhëna të hollësishme për gjendjen e dioqezës në tërësi dhe për procesin e islamizimit në fiset Gashi dhe Krasniqe që i përkisnin kësaj dioqeze”. Relacioni nis në faqen 552 dhe mbi të shkruhet “Relacion për gjendjen e sotme të Misioneve të Pultit në Shqipëri, përshkruar nga unë, i poshtëshënuari Prefekti Apostolik, më 20 shkurt 1769”. Numri i ri i revistës që del dy herë në vit, ka artikuj e studime nga Bardhyl Demiraj, Edvalda Paci, David Luka, Fatos Dibra, Alfred Çapaliku, Luçia Nadin, Edmond Malaj, shkrimi i fundit i Vili Gjon Kamsit (si edhe një artikull për të), ribotime nga arkivi i “Hyllit” si dhe artikuj të tjerë.

RELACIONI I VITIT 1769
Misionet e Pultit, në Shqipëri, ndodhen mbi malet pranë qytetit të Shkodrës e janë të rrethuara, nga ana e lindjes, prej lumit Valbonë, në kufijtë që ndajnë Pultin nga Servia (Kosova). Nga ana e jugut kufizohen me lumin e njohur Drin, që e ndan dioqezën e Pultit nga ajo e Zappa (Sapës); e nga ana tjetër, ajo e Perëndimit, me male të larta në kufi me Dioqezën e Shkodrës, prej nga misioneve të lartpërmendura u duhet të bëjnë një ditë rrugë nëpër shtigje të thepisura, me gremina të rrezikshme e krejt të pakalueshme.

Këto popullsi të Puliti-t (Pultit) në shekuj janë nënshtetas të Perandorit të Kostandinopojës (Sulltanit të Stambollit) e të qeverisur nga administratorët e tij të përkohshëm, domethënë herë nga Bassà di Pecchia (Pashai i Pejës), e herë nga ai i Gjakovës, dy qytete në kufi me Pultin, një ditë rrugë larg njëri-tjetrit. [Faqe 552] Tetë janë famullitë apo misionet nën kujdesin baritor të Etërve të Reformuar të Shën Françeskut, që dërgohen e mbahen, me mirënjohje e nderim të thellë, nga Kongregata e Propaganda Fide, e cila i jep çdo vit secilës famulli a secilit mision, 25 Skuda Romake.

Hospici (banesa) i parë nga ana e Lindjes, ndodhet në një fshat të quajtur Aragna(Rajë) në Martur (Mertur), në kufirin e sotëm me Pultin katolik, sepse tri vjet më parë Gasci (Gashi), Bugnani (Bujani), Colgezagni (Kolgecaj) e Colmesciagni (Kolmekshaj), ku është kufiri i lashtë, ishin të gjitha fshatra katolike, nën kujdesin e Ipeshkvit të Pultit, por tani nuk janë as të krishtera e as turke, me që kanë mbetur vetëm 100 banorë, shumica gra, të cilat e ruajnë krejt të pastër fenë e të parëve.

Në katundin e lartpërmendur Aragna (Rajë) ka shumë kisha të lashta, të ndërtuara sipas stilit Grek, siç është edhe ajo, ku tani ndodhet famullia e quajtur e Shën Dhimitrit që, vitin e kaluar, me një punë të kujdesshme, ndonëse pa kurrfarë ndihme, ndërtoi pranë kishës hospicin (banesën) e saj të vogël, që është akoma i pambuluar e pa pajisje, sepse s’ka ku të mbledhë lëmoshë për të blerë orendi, ndërtuar nga kryetari i sotëm (i misionit) P. Michelangelo di Acuto i Provincës së Romës, me moshë 41 vjeç, prej shtatë vjetësh në mision, tani pa asnjë shoqërues.

ME FE SA PËR SY E FAQE
Hospici (banesa) i tetë dhe i fundit ndodhet në katundin Plandi(?), rreth 6 orë e më rrugë larg nga Scialla(Shala). Ka Kishën e vet, kushtuar Sh’na Ndout të Padovës e edhe banesën, që të dyja të ndërtuara me mur gëlqereje e të mbuluara me dërrasa. Nën kujdesin e kësaj Kishe janë edhe dy copë katunde të tjera: Pogu e Mengola(Mëgulla), që kanë nga një kishë të vogël në mjedis ku, ashtu si në të gjitha katundet e tjera të varura nga Famullitë, çdo muaj e sa herë ndjehet nevoja, kremtohet Mesha Shenjte dhe mbarështohen të Shenjtnueshmet Sakramente, [Faqe 556] sidomos, në këto tre katunde, me fe të gjallë të paktën sa për sy e faqe, që ngjinojnë në net feste e në kohë kreshmore dhe e ndjekin Meshën edhe përtej festave të urdhëruara. Po në këtë katund janë edhe 40 a më shumë Terciare të Shën Françeskut, disa me kushtin e thjeshtë të pastrisë, të veshura me zhguna leshi, ngjyrosur me rrënjë arre, me vel të zi në kokë, me litar në përmjet e me kryqin e varur në kraharor, që jetojnë ndër shtëpitë të veta.

Këto, çdo ditë feste, pas Meshës së parë, që për Barinjtë kremtohet në të lindur të diellit, këndojnë një orë e gjysëm, në hapësirën e caktuar për korin, sipër portës, këngë kushtuar Krishtit Fëmijë, Të Shenjtnueshmes Virgjërës Mari, Shën Gjon Pagëzuesit dhe shenjtorëve françeskanë. I këndojnë edhe uratët në gjuhën shqipe, kompozuar nga i ndjeri atë Angelo prej Bracigliano, Provinca e Salernos, themelues i këtij hospici e atë shpirtëror i rregulltareve të lartpërmendura. Gjithë këto shpirtra drejtohen e ndihmohen nga etërit e mëposhtëm: Atë Luigi Maria nga Roma, [Faqe 557] Provinca Romake, drejtues e Prefekt i sotëm, 49 vjeç, 20 në mision; nga atë Francesco Andrea nga Sospella, provinca e Torinos, 33 vjeç, 5 në mision, e nga atë Luigi di Monte Alboddo i Provincës Marca, 40 vjeç, 2 në mision. Kjo famulli ka 152 shtëpi, 1019 shpirtra, 620 të kunguar, 29 të pagëzuar, 12 të martuar, 8 pa kurorë. Tri orë rrugë në këmbë larg fshatit Plandi, është fshati Gioagni (Gjani), rrëzë malit të lartë të Bëshkasit, vijë kufiri ndërmjet kësaj dioqeze e asaj të Shkodrës. Këtu është edhe selia e lashtë e Ipeshkvit të Pultit; e me që kjo famulli varet e drejtohet prej të lartpërmendurit, nuk i takon Prefektit të japë relacione.

SHPËRDORIMET NË KËTË MISION
Shpërdorimi i parë është ky: meqenëse në malet e Pultit, kush do të martohet duhet ta blejë nusen duke shpenzuar 7 deri në 8 dukate plaçka, si lopë, dele, pushkë, petka e, 197 [Faqe 557] nëse gruas i vdes burri, si kur ka fëmijë, për të mos i braktisur, ashtu edhe kur familja nuk ka me se të blejë nuse tjetër, vejusha duhet të martohet me vëllain e të ndjerit ose me ndonjërin nga kushërinjtë, që e marrin gruan, edhe pse e kanë kunatë. Ky shpërdorim, me ndihmë të Zotit e me zellin e fretërve misionarë, që e dënojnë, shpresojmë se do të zhduket, duke krijuar mundësitë që familjet e burrave të vdekur t’i rikthejnë vejushat në shtëpinë atërore, ose t’i martojnë gjetiu. Shpërdorimi i dytë: lind kur burri është i pakënaqur nga gruaja e ligjshme, posaçërisht kur nuk i lind djalë. Atëherë, sipas zakonit, marrin një tjetër, e nganjëherë, edhe një të tretë, por kjo thjeshtë për shkak të varfërisë. I treti: pothuajse të gjithë bashkëjetojnë për një, dy e ngan jëherë për shumë vjet pa kurorë, për dy arsye, o nga frika se mund t’u ikë gruaja në ndonjë fshat tjetër, siç ndodh çdo ditë, ose ngaqë mund të mos lindë djem e prandaj marrin një grua tjetër e gruan e parë e martojnë tjetërkund ose e nisin në shtëpi të vet, duke e rimarrë pjesën e sendeve, që patën dhënë, por kjo ndodh rrallë herë sepse u duhet të ballafaqohen me fisin e vajzës së rikthyer në plang të vet.

I katërti: disa burra, të cilëve u ik gruaja e kurorës, duke mos mundur të jetojnë vetëm, martohen rishtas. Shpërdorimi i pestë: me që në këto bjeshkë nuk ka as vaj e as ushqime të tjera kreshmore, përveçse pak groshë e lakra, nuk e respektojnë agjërimin as natën e festës e as në Kohën e Kreshmëve, por hanë bulmet, therin bagëti a vrasin ndonjë lepur e hanë mish pa i brerë aspak ndërgjegjja. I gjashti: në këto male nuk ka kurrfarë formë qeverisjeje për ta shtruar këtë popull të pabindur, që vetëqeveriset dhe e bën drejtësinë sipas mendjes së vet, me kokëfortësi, pa mëshirë, pa ditur ç’është falja. Kur japin besën, e lejojnë gjaksin a damtuesin t’u kalojë përballë pa e prekur fare, por gjithnjë në pritje për t’i bërë keq. E ndeshen shpesh edhe fshati me fshat, përveçse njëri me tjetrin e kush është më i fortë, dëmton, vret, u kall flakën shtëpive, rrëmben, dhunon familjet, deri sa ta shuajë me fund ahmarrjen. E misionarëve të varfër s’u mbetet tjetër, veçse të fshajnë. Së shtati: disa fshatra, si Shala, Palçi, Nikaj, Mërturi, në kufi me turqit, pavarësisht nga qortimet që u bën çdo vit Ipeshkvi ynë i zellshëm, e jo vetëm të Enjten e Madhe, por sa herë shkon për vizitë, duke i dënuar rëndë, ata vijojnë t’ua japin vajzat turqve e të shfajësohen se i japin vetëm e vetëm sepse u duhet një mik kur janë për rrugë, në mënyrë që, po të ndodhë ndonjë fatkeqësi ose po të kenë nevojë, të gjejnë një strehë e të ketë kush t’i shoqërojë e të kujdeset për ta.

E teta: shumë prej këtyre fshatrave, nga dëshira për të ngrënë një copë mish, ose për të mbledhur pak para, nisen pa kurrfarë arsyeje, si në katundin e vet, ashtu edhe në katundet fqinje, e vjedhin dhen, dhi e lopë, vrasin shtegtarët e deri misionarët e varfër, ose shoqëruesit e tyre, kur i gjejnë vetëm. Këto janë shpërdorimet më kryesore në misionet, që misionarët, me gjithë zellin dhe punën e pakursyer, nuk po mund t’i shkulin me gjithë rrënjë. (në dorëshkrimin origjinal mungon numri 9) [Faqe 559] Të dhjetat: Famulltari, për shërbim, që i bën Famullisë, ka tagër të marrë të dhjetat e kishës: një dorcë djathi e 40 barrë kallamboq; por me që malësorët janë të varfër, nuk japin as gjysmën. Madje disa, që edhe mund të jepnin, nuk japin fare. Orenditë kishtare Pothuajse të gjitha Kishat, që vizitova, për habinë time të madhe, i gjeta me këmisha të grisura, me pianeta të varura, me rripa të ngrënë, korporalë të papërdorshëm, mesharë të vjetruar ose gjysëm të grisur, kelshejte e patena të ndryshkura e të papraruara, vazo të pamjaftueshme për vajrat e shenjta: gjëra shumë të nevojshme, që duhet të jenë në rregull për t’i shërbyer kultit hyjnor e që pjesërisht duhet të ndreqen e pjesërisht të bëhen të reja, gjë që Etërit Misionarë nuk mund ta bëjnë pa ndihmën e Kongregacionit të Shenjtë, sipas kërkesave të paraqitura. Kjo është gjendja e sotme e misioneve të Pultit, përshkruar përvujtërisht në këto letra nga unë, i nënshkruari, për nder e lumni të Zotit e për t’iu paraqitur, me nderim e përvujtëri të thellë Kongregacionit të Shenjtë. I hirësisë Suaj Shërbëtori e biri juaj, i shumëdetyruar e i shumëbindur Vëllai Luigi Maria nga Roma, Prefekt Apostolik i Misionit të Pultit.

2 komente në “Dokumenti i pabotuar për Shkodrën, bashkëjetesa pa martesë 200 vite më parë”

  1. kastranguli says:

    ha haaa….
    “o sa majr me ken shqiptar”!!!
    sidomos me ken malokar…..
    ja pra se kush esht e keqja e shqipnis.
    kta njerez qe paskan qen te kqinj denbabaden. vrases vjedhes te pafe te pabes,servila shkerdhata,qe njofin vec gjuhen e dhunes. po t kesh muskuj te thithin hajdarin,po t jesh I drejt I nershem me llogjik dhe I qytetnu,t hypin n qaf ..
    he malokt e mutit malokt e mutit !!! serbt I kan ardh hakut ktyne qenijeve kafsh. m hu n byth. kta me t lig ,serbi m hu.

  2. O.Pamuk: muslimonet shqipfoles jane vazhdimi i identitetit turk ne Evrope..... says:

    ”………ku eshte kufiri i lashte,ishin te tera fshatra katolike nen kujdesin e ipeshkvit te Pultit,por tani nuk jane as te krishtera as turke,meqe kane mbetur vetem 100 banore ,shumica gra,te cilat ruajne te paster fene e te pareve ”
    ”………ne katundin Aragana ndodhen shume kisha te ndertuara sipas stilit grek,si famullia e shen Dhimitrit[Agios Dimitrios]”
    SHPERDORIM/DEGJENERIMI i rraces ose tjetersimi i fshatrave me ardhjen e suniteve[turqeve]:
    -mosbesim dhe tjetersim i fese
    -tjetrsim i zakoneve te vjetra kristiane shqiptare ne ato turke; martese me kunatin,kunaten,kushririn,martese menjehere pas vdekjes se gruas[larot ne javen e dyte te mortit kane kaonisur grun tjeter]grabitje,vrasje,plackitje etj………….
    -martesat me turqit[sunitet e sotem] te vajzave[teper e perhapur sot kjo tek ata pak kristiane qe kan mbet sot ne shqiperi per arsye qe dihen……..
    Ky eshte DEGJENERMI total i rraces shqiptare pas ardhjes se suniteve turq ne musliman brodhers qe sot luajn ”shqiptarin” apo shqponjen ……………….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje