Protesta, Reagojnë tifozat e Tiranës

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Tirana-TifozetTifozat e Tiranës kanë reaguar pas protestës së djeshme në kompleksin stërvitor “Skënder Halili”, ku ndërprenë stërvitjen e skuadrës së tyre pas arritjes së marrveshjes që klubi i Partizanit ti luajë ndeshjet në “Selman Stermasi”.

Përmes një postimi në faqen zyrtare grupimi “Tirona Fanatics” shkruan se do të bojkotojnë ndeshjen e parë të fazës së tretë kundër Teutës.

Postimi i plotë i Tifozave të Tiranës.

Ngjarjet e fundit në lidhje me atë që klubi e quante “shtëpia bardheblu” e “shtëpia e tifozëve”, stadiumin Selman Stërmasi, na detyrojnë të mos futemi më aty. Presidenti që nuk është president, me vendimin e tij tregoi se ka shumë pak afërsi me klubin e Tironës, e aspak me presidentin e saj të parë, emrin e të cilit deri pardje e mbante me krenari stadiumi.

Selman Stërmasi, sa ishte gjallë, pranoi të rropatej e të punonte në kombinatin e drurit me tre turne, vetëm që të mos firmoste ndryshimin e emrit të klubit. Nuk pranoi të bëhej palë me turpin, të cilin duan t’ia veshin tani të njëjtët karaktere, me buzëqeshje para kamerave.

Tirona Fanatics nuk mund të lejojnë që paaftësia, sahan-lëpirja e pabesia e punonjësve të klubit të njollosin e të infektojnë shtëpinë e klubit.

Në gjykimin tonë, situata është kritike, e stërvitja e ekipit është thjesht një garniturë, e cila na duket e tepërt në një situatë kur klubi ka probleme më të mëdha. Drejtuesit e ekipit dhe presidenti në mungesë nuk gjetën burrërinë të takonin tifozët e të sqaronin pozicionin e tyre. Është e kuptueshme, sepse çdo dyshim mbi burrërinë e tyre ata e fshinë drejtpërsëdrejti në televizion. Fatkeqësisht, situata degjeneroi në një konflikt me një futbollist. Ky veprim nuk ishte kurrsesi qëllimi ynë, e nuk përfaqëson qëndrimin e grupit. Jemi të ndërgjegjshëm që futbollistët nuk janë fajtorë, por rrogëtarë të cilët mjerisht përdoren nga presidenti në mungesë si mish për top.

Këtij turpi, klubi i shtoi edhe dëmin, duke ndërsyer policinë për të frikësuar tifozët, 21 prej të cilëve u arrestuan mbrëmë. Por as kjo, e as fushata përdhosëse mediatike nuk do të na ndalë.

Ne nuk do të bëhemi palë me ndotjen më të madhe të emrit të Tironës që prej dënimit të presidentit të vërtetë të Tironës, Selman Stërmasit. Ftojmë të gjithë tifozët bardheblu të paktën të mos bëhen dëshmitarë të saj.

Nëse klubi ka vepruar në bazë të nevojës financiare, jemi të gatshëm të nisim një fushatë për kompensimin e fitimit të munguar nga marrëveshja me klubin e kuq. Disa biznese janë afruar që tani. Zgjidhje të tjera, përveç turpit, ka.

Siç kemi treguar, kur bëhet fjalë për interesat e Tironës, nuk tërhiqemi. Kushdo që përpiqet t’i ulë vlerat asaj, do të na ketë përballë. Reagimi jonë do të vazhdojë.

Si fillim, nuk do të udhëtojmë drejt Durrësit në transfertën e nesërme.

Tirona është pa klub, por jo pa zot!

 

 

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *