Ish- presidentët Moisiu-Topi: Ç’mund të bëjë Këshilli i Sigurisë për Balilin?

27 Janar 2017, 11:15Politika TEMA

Bujar Nishani konfirmoi paraprakisht para dy ditësh se do t’i përgjigjej pozitivisht kërkesës së kryetarit të Kuvendit për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe për të diskutuar arsyet e mosarrestimit të atij që shpesh është konsideruar si “Eskobari i Ballkanit”, Klement Balili.

Por, kjo çështje ashtu si edhe para dy muajsh kur ky Këshill u mblodh për situatën e drogës në vend, ka hapur debate nëse Kreu i Shtetit mund ta mbledhë për një individ të veçantë, kur lidhja e rastit të tij me cenimin e sigurisë kombëtare është e vështirë.

Por a mundet ligjërisht dhe çfarë rezultatesh mund të sjellë një mbledhje e tillë e të gjithë krerëve të shtetit, opozitës dhe një sërë institucionesh të tjera që ndoshta nuk kanë asnjë lidhje me çështje? Për këtë ka interpretime të ndryshme, nga ajo, që një mbledhje e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe deri te ato që e konsiderojnë atë diçka të drejtë dhe kompetencë të Presidentit për sa kohë që nga një çështje e vetme mund të nxirren rezultate apo mangësi të institucioneve apo agjencive që janë pjesë e sistemit të sigurisë kombëtare.

Por duket se paraardhësit e Nishanit në postin e kreut të shtetit, ish-presidentët, Bamir Topi dhe Alfred Moisiu shprehen se është në tagrin e kreut të shtetit që ta mbledhë Këshillin kur ai e gjykon të arsyeshme. Por ata ndahen sa i përket rëndësisë së çështjes dhe te domosdoshmëria e një mbledhjeje të tillë kur një çështje e tillë mund të trajtohej nga institucione të tjera kompetente.

Kështu, ish-presidenti Bamir Topi duke folur për MAPO deklaroi se çështja që është marrë si motiv për të thirrur këtë mbledhje nuk e justifikon një angazhim të tillë të Këshillit të Sigurisë.

“Është në diskrecionin e Presidentit që mund të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për një çështje që ai e mendon, por që janë çështje të një rëndësie mjaft të madhe, për çështje mjaft komplekse që përfshijnë disa institucione më shumë se sa një individ, për probleme shumë parimore të sigurisë kombëtare. Unë e quaj teprim që Këshilli i Sigurisë Kombëtare të merret me një çështje e cila fare mirë mund të trajtohet nga shumë institucione të tjera”, – shprehet ish-presidenti Topi.

Ndërsa ish-presidenti tjetër, Alfred Moisiu ndërsa rezervohet të flasë për brendinë e çështjes, thekson se Kreu i Shtetit mund ta mbledhë Këshillin e Sigurisë edhe për një çështje e cila mund të duket individuale, por nga e cila mund të vërtetohet se si performojnë dhe reagojnë institucionet e sigurisë. “Nuk e di si e ka shtruar Kryetari i Kuvendit, por këshilli i Sigurisë mund të mblidhet. Nëse ka të bëjë me çështje sigurie mund të mblidhet. Unë nuk besoj se është çështje e një individi, por kjo është çështja si funksionojnë institucionet e sigurisë. Ndaj individi mund të jetë si pretekst për të kuptuar si funksionojnë institucionet e sigurisë”, -tha ish-presidenti Moisiu.

 

2 komente në “Ish- presidentët Moisiu-Topi: Ç’mund të bëjë Këshilli i Sigurisë për Balilin?”

  1. FCB says:

    Po ku dine gjo kto mo Mero , njoni lu domino gjith diten kurse tjetrit nuk i dalin 2 kile fara luledielli ne dite :))

  2. Treviso says:

    Zoti president po Fazlliçit do ti beni ftese per mbledhjen e sigurise kombetare?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje