Trump-May rikonfirmojnë lidhjet e forta mes SHBA dhe Britanisë

27 Janar 2017, 20:25Bota TEMA

Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë kanë rikonfirmuar marrëdhënien mes dy vendeve të tyre në takimin e parë të Presidentit amerikan Donald Trump me një udhëheqës të huaj. Takimi i Kryeministres britanike May me Presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë po trumpetohet nga qeveria britanike si sinjal se administrata e re e vlerëson “marrëdhënien speciale” trans-atlantike.

Pas takimit, dy udhëheqësit dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku Presidenti Donald Trump nënvizoi marrëdhënien e veçantë që kanë Shtetet e Bashkuara me Britaninë dhe u zotua ta mbështesë këtë marrëdhënie. Ai gjithashtu përshëndeti vendimin e votuesve britanikë për të dalë nga BE, duke thënë se respekton të drejtën e britanikëve për vetëvendosje.

“Sot Shtetet e Bashkuara rigjallërojnë marrëdhënien e thellë me Britaninë- një marrëdhënie ushtarake, financiare, kulturore dhe politike. Dy vendet tona kanë një ndër marrëdhëniet më të forta. Zotohemi t’i japim një mbështetje të vazhdueshme kësaj marrëdhënieve të veçantë. Së bashku, Amerika dhe Britania janë një shembull për begati dhe sundimin e ligjit. Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara respektojnë sovranitetin e popullit britanik dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje,” tha Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Kryeministrja britanike Theresa May tha se në takimin me zotin Trump kishin diskutuar tregtinë dypalëshe, NATO-n dhe luftën kundër ISIS.

“Lidhur me bashkëpunimin në drejtim të mbrojtjes dhe sigurisë, ne jemi të bashkuar në nocionin se NATO është arma kryesore e mbrojtjes sonë të përbashkët dhe sot ne kemi riafirmuar angazhimin tonë të palëkundur ndaj kësaj Aleance. Zoti President, me duket më thatë se jeni 100% në mbështetje të NATO-s. Por ne po diskutojmë gjithashtu edhe rëndësinë e NATO-s, që të garantohemi që është në gjendje për të luftuar terrorizmin dhe për të zhvilluar luftë kibernetike me të njëjtën aftësi që zhvillon luftë konvencionale,” tha zonja May.

Kryeministrja britanike tha se kishte diskutuar me Presidentin Trump mbi hapat për të arritur një marrëveshje dypalëshe tregtare SHBA-Britani.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje