Vëllaznimi thërret Lorik Canën, i ofron dy mijë euro në muaj

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

Cana-me-Kuqezinjte-e-Jakoves-490x326Lorik Cana ende nuk ka gjetur një ekip që pas Kampionatit Europian të verës së shkuar. Nga kjo situatë kërkon të përfitojë Vëllaznimi, klubu nga Gjakova që luan në kategorinë e dytë të Kosovës.

Lajmin e bën të ditur e përditshmja kosovare “Zëri”, sipas të cilës donatori i vetëm i klubit kuqezi, Shkëlzen Gashi, e ka takuar Canën, me të cilin paralajmëron edhe një takim tjetër të shpejtë. Gashi thotë për “Zërin” se është i gatshëm t’i ofrojë yllit kosovar me famë ndërkombëtare një rrogë mujore prej dy mijë eurosh.

Ndërkohë tifozët gjakovarë, “Kuqezinjtë e Jakovës” – me të cilët Cana ka marrëdhënie të ngrohta, shpresojnë që 33-vjeçari t’i bashkohet Vëllaznimit, sikurse bënë muaj më parë tre ish-futbollistët e Kombëtares, Armend Dallku, Debatik Curri dhe Ahmed Januzi, të cilët nënshkruan kontrata me Prishtinën.

Vetë Cana para disa vitesh ka deklaruar se nuk e përjashtonte mundësinë që karrierën nga futbolli aktiv ta mbyllë në Gjakovë.

Takimi

Donatori i Vëllaznimit, Shkëlzen Gashi, konfirmon një takim dhe bisedë që ka pasur muaj më parë me Lorikun në Shqipëri, takim prej të cilit ka dalë një fotografi që tani po qarkullon nëpër rrjetet sociale. “Ajo fotografi është bërë më herët në Shqipëri, kur jam takuar me Lorikun. Sidoqoftë, do të ishte diçka shumë e mirë sikur Lorik Cana t’i bashkohej Vëllaznimit, qoftë si futbollist, drejtor apo menaxher. Pavarësisht rolit, prania e tij do të ishte diçka e mirë për klubin me të cilin jeton Gjakova”, tha Gashi për “Zërin”.

Madje, ai tregon publikisht edhe ofertën për ish-kapitenin e Kombëtares: “Jam i gatshëm t’i ofroj një rrogë prej dy mijë eurosh në muaj. E di që nuk është ndonjë shumë e konsiderueshme për Canën, por te Vëllaznimi lojtarët kanë rroga prej nga 300 eurosh”.

Gashi: Cana do t’i sillte sponsorë Vëllaznimit

Shkëlzen Gashi thotë se është njeriu i vetëm që po jep para për klubin. Ai duket se është “lodhur” duke shpenzuar nga xhepi i tij pa kurrfarë kompensimi. “Unë jam te Vëllaznimi prej një viti e tre muajsh. Gjatë kësaj periudhe kam shpenzuar 278 mijë euro. Po flas për një shumë që është e dokumentuar, pra me letra”, thekson ai.

“E kam pas marrë Vëllaznimin kur rrezikohej të binte edhe nga Liga e Parë. Kurse aktualisht jemi në vendin e dytë të Ligës së Parë dhe po bëjmë çmos për t’u kthyer në Superligë, aty ku e ka vendin Vëllaznimi. Ndihem nën presion të madh, sepse Gjakova dhe qytetarët e saj duan ta shohin Vëllaznimin në Superligë. Ata kanë të drejtë dhe e meritojnë. Ndërsa unë po mundohem të bëj çmos për ta arritur këtë”, shtoi Gashi.

Por, në këtë proces biznesmeni nga Gjermania po has në vështirësi. “Shumë vështirë. Jam i vetëm, nuk po më ndihmon askush. Gjithçka vetë po e kryej, nuk po na afrohet asnjë sponsor. Kështu që me ardhjen e Lorik Canës, gjërat do të mund të fillonin të ndryshonin”, tha ai.

“Sikur të na bashkohej Lorik Cana, sigurisht që pas tij do të vinin edhe sponsorë. Pastaj, ai njeh menaxherë e skautë të huaj, të cilët ndoshta do të mund t’ia ofronte Vëllaznimit, futbollistëve tanë dhe gjërat do të fillonin të lëviznin pozitivisht”, nënvizoi donatori i klubit gjakovar.

Pas pak ditësh Vëllaznimi do të udhëtojë drejt Shqipërisë për ta kryer një fazë përgatitore për sezonin pranveror. Kryetari i kuqezinjve, Shkëlzen Gashi, paralajmëron një tjetër takim me Lorik Canën. “Do të shkojmë në Shqipëri për përgatitje dhe me gjasë do ta takoj atje Lorik Canën dhe do të bisedoj me të”, tha ai.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *