Strakosha “kandidon” për titullar në “San Siro”

29 Janar 2017, 13:54Sport TEMA

Të Mërkurën në mbrëmje, Tomas Strakosha mund të luajë në ndeshjen më të rëndësishme të karrierës së tij, çerekfinalen e Kupës së Italisë, Inter-Lazio. Gardiani i Kombëtares Shqiptare që u aktivizua për 90 minuta në disfatën kundër Chievo Veronas për shkak të gjendjes gripale të Marchettit, ka shanse të mira për të qenë i pranishëm në portë edhe pas 3 ditësh në “San Siro”, aty ku Lazio do të kërkojë të presë biletën e gjysmëfinales së Kupës, për të rikthyer sezonin në shina. Ishte pikërisht stadiumi “San Siro” ku Strakosha bëri debutimin në Serie A me fanellën e Lazios në atë humbje 2-0 ndaj

Milanit disa muaj më parë, por këtë herë historia ndryshon sepse bëhet fjalë për një ndeshje të vetme nga e cila varen fatet e sezonit të skuadrës bardhekaltër. 21-vjeçari mund të përfitojë nga fakti që Marchetti nuk zbriti në fushën stërvitore as të dielën dhe rikuperimi i tij për çerekfinalen duket një mision i pamundur edhe pse nuk përjashtohet asgjë. Strakosha punoi me përgatitësin e portierëve Grigioni. Gjatë këtij sezoni, Strakosha ka treguar një formë të mirë duke bindur edhe drejtuesit e Lazios për rinovimin e kontratës. Sipas mediave italiane, firma e re që do ta lidhe atë me skuadrën bardhekaltër deri në vitin 2021 është vetëm çështje ditësh./SS/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje