Zbardhet mbledhja e KLD, ankohet Manjani dhe shpërthen Nishani: Kanë bërë katrahurë me ligjet

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

kld-nishaniNga pozicioni i kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e ka cilësuar si një “katrahurë” situatën aktuale ligjore në organet e sistemit të drejtësisë në vend. Deklarata e fortë është pohuar nga Presidenti Nishani në mbledhjen e datës 20 janar 2017 gjatë debatit për emërimin si magjistratë të tetë të diplomuarve nga Shkolla e Magjistraturës në vitin 2016.

Keshilli i Larte i Drejtesise Thelbi i debatit ka qenë situata ligjore në të cilën ndodhet KLD­-ja, institucion në prag shkrirjeje, deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, në zbatim të ndryshimeve të Kushtetutës.

I ashpër në qëndrimet e tij ka qenë edhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, sipas të cilit nuk ishte e qartë se mbi ç’ligj do të zbatohej vendimmarrja për emërimin e magjistratëve. “Panorama” ka siguruar një kopje të procesverbalit të mbledhjes, ku zbardhen përplasjet e forta mes anëtarëve të Këshillit në lidhje me periudhën tranzitore të qeverisë së gjyqësorit, nga KLD në KLGJ.

“KATRAHURA”

Referuar procesverbalit, deklarata e Presidentit Nishani ka vijuar një reagim të anëtarit të zgjedhur nga Kuvendi, Sokol Çomo. Anëtari Çomo ka shprehur shqetësim në lidhje me faktin se ditën e mbledhjes anëtarëve të KLD­së u është shpërndarë një material i titulluar “Mbi planin e veprimit të KLD­së gjer në ngritjen e KLGJ­së. “A mundet një subjekt i këtij Këshilli t’i japë një shpjegim pse ky raport, që mban datën 30.12.2016, nuk është shpërndarë për anëtarët e Këshillit, por na jepet vetëm sot në mbledhje dhe jemi para situatës që vetëm sot duhet të marrim në diskutim një çështje që duhet ta kishim marrë 2 muaj më parë”, ka pyetur Çomo, duke iu drejtuar kreut të Këshillit.

Nga ana e tij, Presidenti ka kërkuar largim nga tendenca për spekulime ndaj çështjeve funksionale të KLD­së. “Nuk e përcaktojnë datën e mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë aktorë jashtë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë respekton afatet ligjore, por se kur është data, është e përcaktuar ligjërisht në Kushtetutë dhe në ligj se kush e përcakton datën e mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe si e përcakton datën dhe axhendën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Mentalitete të tilla që, aktorë të gjithëpushtetshëm që përcaktojnë, japin direktiva, udhëzojnë dhe limitojnë funksionimin e institucioneve kushtetuese, nuk ka pasur hapësirë në këtë Këshill dhe nuk do të ketë hapësirë deri në momentet e fundit të funksionimit të këtij Këshilli. Bashkëlidhur me listën, keni edhe një material informues të ardhur nga Prokuroria e Shtetit dhe ILDKP­ja. Pra administrata ka vepruar në advancë për ta pasur Këshilli i Lartë i Drejtësisë, duke parë se çfarë katrahure është bërë me legjislacionin.

Ne nuk e zgjidhim dot katrahurën, por ne do mundohemi ta qartësojmë sa më shumë që të jetë e mundur. Por ne nuk mund të bëjmë të padëgjuarin dhe të pakuptuarin ndaj kësaj katrahure, që i është vënë përpara sistemit të drejtësisë në Shqipëri, edhe organeve që janë ende në funksionim.

Prandaj t’i lëmë spekulimet jashtë kësaj tryeze. Ta ndihmojmë sa kemi mundësi procesin, në qoftë se e ndihmojmë dot, dhe unë besoj që vendimmarrja dhe konkretizimi i punës së Këshillit është më i mirë, sesa çdo lloj sofizmi për këto dy­tre muaj apo pesë muaj sa i kanë mbetur këtij Këshilli të funksionojë.

Prandaj, ju lutem shumë, të fokusohemi te detyra, te puna dhe përgjegjësia institucionale kushtetuese dhe ligjore që ka Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sesa në debate, të cilat nuk i takojnë tryezës së KLD­së”, është shprehur Nishani.

MANJANI DHE GJONI

Situata aktuale ligjore në sistemin e drejtësisë është cilësuar si delikate edhe nga ministri Manjani. “Situata është realisht delikate, në kuptimin që nuk e dimë se cili është ligji. Nuk e dimë. E them me përgjegjësi këtë. Nuk e dimë se cili është ligji që zbatohet. Në qoftë se e vlerësojmë në tërësi, por edhe nen për nen, edhe në frymë, edhe në germë, unë sot nuk e di se çfarë vendimi duhet të marr dhe në bazë të kujt ligji. Do të thoni ju ka propozime të ministrit edhe në KLD.

Po, ka, sepse ministri s’mund t’i mbajë në tryezë propozimet. Unë i sjell në KLD, pastaj i shqyrton kjo KLD, apo i shqyrton KLGJ­ja nesër, kjo është temë tjetër. Por dua ta sqaroj këtë gjë. Tani po e marrim të mirëqenë që kjo KLD ka për detyrë të shpallë magjistratë.

Me ç’kritere do ta bëjmë këtë? Po ta çoj edhe më tej këtë punë dhe po ta bëj më provokuese. Kam një propozim: t’i quajmë “magistër” të gjithë ata që vlerësohen “shkëlqyeshëm”. Mirë. Dakord! Kush e ndalon këtë gjë? Kjo është e gjithë historia tani. Në qoftë se ne këtu do të bëjmë edhe Shkollën e Magjistraturës, unë nuk e marr përsipër ta bëj këtë gjë me thënë të vërtetën. Më vjen keq!”, është shprehur Manjani. Në të njëjtën linjë gjatë debatit në mbledhje ka qenë edhe anëtari Gjin Gjoni, i cili ka parashikuar përplasje të forta mes kompetencave dhe institucioneve të drejtësisë deri në qartësimin e situatës.

“Unë i dëgjova me shumë vëmendje të gjitha diskutimet që janë bërë deri në momentin aktual. Të them të drejtën, bashkohem me qëndrimin tuaj zoti President dhe me qëndrimin e ministrit të Drejtësisë që legjislacioni, i cili është aktualisht në tavolinën tonë duke filluar që nga Kushtetuta, që nga legjislacioni në lidhje me vetingun, që nga statusi i magjistratit, ka përplasje dhe kontradikta në lidhje me njëri­tjetrin.

Unë qofsha i gabuar, zakonisht nuk mbahem për pesimist, por shoh që do të ketë një përplasje të kompetencave dhe institucioneve derisa ata të fillojnë të futen në shtratin e tyre. Unë kam përshtypjen që do të ketë jashtëzakonisht shumë përplasje, sepse e shoh”, ka pohuar gjatë diskutimeve anëtari Gjin Gjoni.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

2 komente në “Zbardhet mbledhja e KLD, ankohet Manjani dhe shpërthen Nishani: Kanë bërë katrahurë me ligjet”

  1. C'a bohet kshtu says:

    Kur flet Gjini te gjithe duhet te hjeshtin, keta gje ka bere edhe Skenderbeu po me nje Gjin ku masnin forcen e kra…hut dhe fitoi Gjini prej malcie.
    Sipas Kapter Jarit, Gjinit e kacurrelesit Manjani, KLD i mungon ligji pra shpata njesoj si Gjinit tek Skenderbeu.
    Skenderbeu e pyet Gjinin:
    “A don me i luftu turgjit or Gjin”?
    Gjini i pergjigjet:
    “Po due, por nuk kam palle (shpate)”.
    Skenderbeu i thote:
    “Qe bre Gjin, na merr kete PALLEN time”.
    Edhe Gjinat e KLD do te marrin Pallen e popullit, por nga pas.

  2. shqip says:

    Pra ata, shba+be , i paskan bere katrahure ligjet. E dija kete Pune. Imperialistet dhe revizionistet duan me çdo kusht te na pengojne ne rrugen Tone drejt korrupsionit ngadhnjimtar. Por partia jone, me toger shazivarin ( pa mustaqe ), eshte vigjilente dhe e pa epur. Ne te njejten linje edhe shoket e korrupsionit, zhin zhoni dhe kozhaku i lsi(lesh e li-se ).keta paskan rrjedhur si kolektiv.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *