Po me dashnoret ç’kanë?

31 Janar 2017, 09:54Politika TEMA

Nga Mira Kazhani

Ylli Manjani tha diçka dje, që me dashje apo padashje po fshin çdo vëmendje nga akuzat ndoshta me vend që i bëri qeverisë Rama. Fjalia: “Ministrat që flinin në verë me dashnoret në Santa Quaranta”… fshiu si dunat në shkretëtirë çdo gjurmë nga ato me të cilat do duhej të merreshim. Do vija bast se çdokush që lexon lajmin e shkarkimit të Manjanit kur mbaron së dëgjuari apo lexuari ka vetëm një pyetje: Kush janë ministrat me dashnore?

Asnjë kuriozitet për parimet dhe profesionalizmin, kanabisin, Balilin etj.

Seksi, seksi është preteksti!

Disa do vihen në kërkim dhe teoritë konspirative do nisin. Do ketë portale dhe faqe anonime që do pretendojnë se kanë edhe foto e video e kështu do nisin telenovela dhe presione, në parashikimin më të thjeshtë.

Po çështja është pse ngatërrohen edhe dashnoret kur flitet për keqqverisjen. Dashnoret as nuk bëjnë korrupsion, as nuk marrin tendera, konçesione, nuk janë aty kur prishen pazaret, skenaret, miratohen ligje dhe bëhen reforma, apo firmosen koalicione, kur hapet lufta apo shpallet paqja.

Dashnoret kanë patur në shekuj dhe do kenë damkën e gruas së përçmuar. E fajtores së vetme për prishjen e jetës bashkëshortore. Edhe pse vetë familja lind nga i njëjti proces që kryen edhe dashnorja. Por konteksti social, rregullat dhe kodi moral i shoqërisë është vendosur kështu ndër shekuj dhe tani nuk është e thjeshtë ta ndryshosh.

Se sa për burrat qofshin deputetë, ministra, kryeministra, presidentë kurrë nuk do iu futet një gjemb në këmbë. Nuk është hera e parë që dëgjojmë histori me dashnore. Ne desh e bëmë me fëmijë të jashtëligjshëm edhe Moisiun e shkretë. (Se për ata që i kanë vërtetë nuk ka folur njeri kurrë e as do flitet).

Nuk jemi si Franca që jo vetëm nuk shokohet, por kalon faqen e gazetës me qetësi kur sheh foton e Presidentit që shkon të takojë me një Honda dashnoren e bukur aktore. Europa e zhvilluar nuk ka probleme me seksin. Franca për shembull ia fali gjithmonë Fransua Mitterrandit fëmijën jashtëmartese, por e çoi në gjykatë për abuzim me detyrën se kish punësuar disa militantë të partisë së tij kur ishte President. Ndërsa ne mblidhemi dhe kërkojmë dashnoret dhe përfundojmë edhe duke i sulmuar e duke i bërë me faj për gjendjen ekonomiko-politike të vendit. Si te kënga e Adriano Celentanos.

-Ku qëndron problemi këtu? Tek dashnorja apo tek Santa Quaranta? Apo tek të dyja bashkë? Një pyetje kam, a do ishte më pak e dënueshmë sikur në Santa Quaranta ministrat të kishin qenë me gratë e tyre?!

E marrim të mirëqenë se ka patur ministra me dashnore. Dakord! Ky është një problem vetëm i familjes së tyre. Në asnjë rast nuk mund të kthehet në një çështje kombëtare! E gjitha është populizëm.

Dhe nuk kuptoj pse kur ajri politik është bërë pis, del në skenë një dashnore!

Aman, le të bëjnë seks e të çlirohen. Jo se dua që me këtë shënim t’i bëj elegji “Dashnoreve” si arketip. Raporte të tilla si femër i shoh me dhembshuri sepse në një histori me 3 persona në linjë, asnjëra nuk është e lumtur veç atij. Ndonjëherë as ai vetë! Dhe meqë ra fjala thoni ç’të doni, më kryqëzoni në komente.

Dashnoret i kanë zhvilluar shoqëritë në mënyrën e tyre. Me një puthje, me një mesazh apo aromë parfumi. Nuk e vrasin e as shëmtojnë këtë botë. Janë qënia njerëzore që herë me dashuri, herë me dobësi apo edhe dinakëri i jepen flirtit. Aseksualiteti, impotenca,konservatorizmi i ekzazgjeruar, puritanizmi hipokrit, i bën pushtetet diktatorial. Seksi dhe politika do ecin gjithmonë bashkë pavarësisht se popullit të mësojnë t’i tregosh moralin, se kështu fiton pikë. Kështu je burrë apo vajzë e mirë. Edhe pse të gjithë vdesin për jetën paralele. Kush jeton dot brenda një jete të vetme?! Nëse dikush e bën, o është hero, o është budalla. E vërteta është kështu, por propaganda është ashtu.

Mos bëni sikur jeni martuar të gjithë me të dashurën e gjimnazit; ju që bëni, që lexoni dhe që komentoni.

Të gjithë i duan dashnoret, qoftë edhe për t’ua lënë atyre fajin në fund. (Tiranapost)

4 komente në “Po me dashnoret ç’kanë?”

  1. eli says:

    Me fal goce,por ke shkruajtur nje gje pa lidhje fare me ate qe ka ndodhur.Ndoshta njerezit kane interes te dine se cilet jane ministrat dhe jo femrat me te cilat ata kane bere seks!

  2. Luiza says:

    NGA tani e tutje te gjithe ATA ministra apo punonjes te larte te pushtetit NGA frika do lene takimet e fundit me te dashurat e tyre.Specialistet e pergjimit te telefonate do kene Pune keto dite e do venne ballate me deklaratat e deshperuara te atyre ministrave qe Jane te perfshire .

  3. Luiza says:

    NGA tani e tutje te gjithe ATA ministra apo punonjes te larte te pushtetit NGA frika do lene takimet e fundit me te dashurat e tyre.Specialistet e pergjimit te telefonate do kene Pune keto dite e do venne ballate me deklaratat e deshperuara te atyre ministrave qe Jane te perfshire .

    1. Palla says:

      Kjo cike po shkruen majre bre burra. Te taneve po na duhet na nji e dashme. Un doja at Grida Sumen, po me duke hasterike dhe qeflie.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje