Sherri që (paradoksalisht) nuk e lëkundi koalicionin

meta-rama-1024x871Nga Skënder Minxhozi

Në novelën e tij legjendare “Kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar”, Garcia Markesi ngre paradigmën magjike të një vrasjeje fatale, për të cilën ishte në dijeni i gjithë fshati, përpos Santiago Nazarit, personit që do të vritej. Po të besosh postimin e të dielës në darkë të Ylli Manjanit, i cili shprehej se nuk ishte shkarkuar, dukej sikur edhe ai ndodhej në pozitën e heroit të novelës së Markezit, megjithëse kjo rezulton e vështirë për t’u besuar në një ambjent ku sekretet nuk egzistojnë.

Ylli Manjani ka qenë një zë i thartë dhe polemik me qeverinë aktuale, edhe kur nuk ishte pjesë e saj. Ai u parashutua aty nga Meta pikërisht për të krijuar situatën që krijoi në ikje. Ka qenë një obstruksionizëm i brendshëm, i ndërtuar me kujdes dhe gjaktftohtësi të plotë nga Ilir Meta, i cili kuptoi se me avancimin e reformës në drejtësi, në poltronin e Nasip Naços duhej një “dorë e fortë”, që t’u qëndronte përballë e jo anash, Edi Ramës, Fatmir Xhafajt e të tjerëve që merreshin me procesin e reformës. Duhej një njeri nga ata që nuk e kanë për zor të thonë një gjë sot, e ta mohojnë atë nesër, siç ndodhi edhe më ish-ministrin Manjani, i cili para dhjetë ditësh thoshte që kjo qeveri është më e mirë se ajo e Berishës. Kurse sot, e vendosi kabinetin ku ishte pjesë deri para pak orësh, në një listë me banorët e burgut 313!

Ikja e Manjanit ishte testi më i fortë publik mes Ramës dhe Metës, pas zgjedhjeve të vitit 2013. Megjithëse ishin përplasur edhe në të shkuarën indirekt mes tyre, dy krerët e koalicionit e kishin shmangur përplasjen për figurat që delegonin në qeveri. Ndryshimet që Meta ka bërë këto vite në listën e tij të ministrave, nuk kanë pasur kurrsesi ngarkesën e përplasjes së fundit.

Për këto arsye, në rrafshin politik, ikja e Ylli Manjanit përfaqëson një fitore jo të vogël të kryeministrit ndaj rivalit të tij Ilir Meta. I cili, me shpejtësinë e ndërrimit të ministrit të tij (vetë Manjani tha se e mori vesh lajmin nga mediat), dëshmoi se po nxitonte të mbyllte çdo hapësirë për keqintepretim të situatës në fjalë.

Megjithatë duket se Meta nuk e la pa “ngulur” një dhëmb në lëkurën e kryeministrit. Konferenca e shtypit dhe akuzat e skajshme të Manjanit ndaj Ramës, duket se janë çmimi që Meta i vuri indirekt aktit të shkarkimit të kryeministrit. E largove ministrin, dëgjoji këngën tani, dukej sikur thoshte tirada e gjatë e fjalëve të rënda që Ylli Manjani formuloi në adresë të Edi Ramës.

Në një rrafsh më afatgjatë, gara e sotme e forcës na thotë se paradoksalisht koalicioni PS-LSI vijon ende të mbetet formula më e mundshme në panoramën politike të 18 qershorit. Mënyra sesi u hap dhe u mbyll rrufeshëm kriza “Manjani”, është një simptomë e qartë e koshiencës që PS e LSI kanë rreth pashmangshmërisë së aleancës së tyre. Duket e pamundur, ironike, e pakuptimtë, ndoshta edhe qesharake dhe e shëmtuar, por kjo dyshe që sot anatemohet për drogën, korrupsionin, flirtet me kriminelët dhe plot mynxyra të tjera, të jetë sërish kolona mbajtëse e aleancës së ardhme të së majtës në zgjedhjet e përgjithshme. Dikur, në vitin 1976, gazetari i madh me bindje të djathta Indro Montanelli, teksa komunistët italianë kërcënonin marrjen e pushtetit, hodhi shprehjen e famshme “të mbyllim hundët e të votojmë Demokracinë Kristiane”. Pikërisht atë që mund të thonë me gjasë edhe të majtët shqiptarë në qershorin e ardhshëm. (Javanews)

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *