Vangjush Dako: Përplasjet me LSI-në janë thjesht keqkuptime

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

dakoIntervistoi Andrea Danglli

Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, në një intervistë për gazetën “TemA” flet lidhur me problemet kyçe të qytetit të cilat janë shndërruar në shqetësim serioz për banorët.

I pyetur për marrëdhëniet  e tensionuara me ministrin e mjedisit Lefter  Koka,  ai  zgjedh të mos e komentojë situatën.

Sa i përket debateve të krijuara brenda Këshillit Bashkiak mes PS-së dhe LSI-së, Dako i konsideron si keqkuptime për shkak të mbledhjes për miratimin e buxhetit.

Ndërkohë  çështjes së debatueshme të arkeologjisë  ku pretendohen dëmtime  të saj nga punimet e kryera në qytet,  kryebashkiaku argumenton se vendimet janë marrë  në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare.

Me reformën administrative territoriale Durrësit ju shtuan disa zona administrative. Cilat janë 4 arritjet apo premtimet që ju arritët t’i  përmbushni  në këto zona?

Reforma territoriale është një reformë mjaft e rëndësishme dhe e domosdoshme që i hap rrugën zhvillimit intensiv edhe të këtyre zonave. Ne këmi bërë disa premtime për investime të rëndësishme që i kemi mbajtur. Mund të përmend rrugën Perlat-Hamallaj-Hidrovor që lehtëson ndjeshëm lëvizjen e banorëve në këto zona, po kështu është edhe rruga ShënaVlash-Katund i Ri. Kemi vënë në funksion rezervuarin e Tarinit që ka qenë një nga premtimet kryesore të fushatës dhe kemi garantuar kështu ujitjen e tokave bujqësore në 7 fshatrave dhe të 3100 hektarëve tokë, investim që i vjen në ndihmë mijëra fermerëve të kësaj zone.

Arkeologët ju akuzojnë vazhdimisht se po betonizoni arkeologjinë ( për mos shkuar larg përmendim projektin “Vela” ). Si jeni kujdesur ju për të ruajtur  zonat  arkeologjike?

Në të gjitha investimet që kryhen ne jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare. Konkretisht për projektin e Velës janë dy vendime nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë ku citohet se muri rrethues antik është poshtë kuotës së zbatimit të projektit dhe nuk preket prej tij. Po kështu në bazë të këtyre vendimeve ne kemi nënshkruar edhe një kontratë bashkëpunimi me Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik, institucion në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, agjenci e cila në bashkëpunim me DRKK në bazë të kësaj kontrate do të kryejnë monitorimin arkeologjik të vazhdueshëm të punimeve në kuadër të projektit të Velës. Pra të gjitha punimet që ne po kryejmë në sheshin përpara portit janë në monitorim të rreptë nga ana e institucione që janë përgjegjës për arkeologjinë dhe trashëgiminë kulturore. Fakti është që nga pjesa e Torrës Veneciane në drejtim të hyrjes së portit, ku ndodhet edhe sheshi që ne jemi duke kryer punime nuk ka mbetje arkeologjike pasi kjo zonë ka qenë e mbuluar nga uji.  Ndërkohë  Muri Antik, i cili është prishur që në 1900, ndodhet në zonën nga Torra në drejtim të bashkisë që nuk preket nga punimet që ne po bëjmë. Punimet tona  nuk e prekim fare pjesën e Murit Antik,  por gjithsesi në bazë të kontratës që kemi me institucionet përgjegjëse për arkeologjinë, punimet që kryejmë janë nën një monitorim të vazhdueshëm.

Jeni të informuar, që në Shën Vlash  natën punojnë disa fabrika riciklimi që çlirojnë lëndë të dëmshme në ajër? Çfarë masash ka marrë institucioni për të shmangur rrezikun ndaj jetës së qytetarëve?

Çdo subjekt që ushtron veprimtarinë e riciklimit, grumbullimit dhe transportimit të mbetjeve në varësi të kapacitetit dhe llojit të mbetjeve që trajtohen duhet të pajiset me lejen specifike mjedisore nga Agjencia Kombëtare të Mjedisit nëpërmjet drejtorisë rajonale të qarkut. Në rastin e bashkisë së Durrësit këto fabrika monitorohen dhe pajisen me lejet përkatëse nga Drejtoria Rajonale e Mjedisit të Durrësit. Në rastin e ankesave të qytetarëve sektori i mbrojtjes së mjedisit në bashkinë tonë bën verifikimet në terren në subjektin për të cilin ankohen por duhet theksuar se verifikimet bëhen kundrejt dokumentacionit tekniko-ligjor që disponon subjekti pasi ne nuk kemi laboratorë të vecantë dhe pajisje që mund të bëjnë verifikimin e shkarkimit të metaleve në ajër apo monitorimin e zhurmave në momentin e kontrollit në subjektin përkatës. Në rastin konkret ankesat që na kanë ardhur i janë përcjellë Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Drejtorisë Rajonale të Mjedisit që janë institucionet kompetente, të cilat kanë edhe pajisjet e duhura për verifikimin nëse zbatohen kushtet mjedsore nga subjektet.

Prej vitesh shirat e bëjnë Durrësin të pa qarkullueshëm për shkak të ujit që përmbyt rrugët. Pse është ende kjo gjendje e kanalizimeve? Dhe sa kohë do zgjasë?

Ne po ndërmarrim investime për të zgjidhur problemin e përmbytjeve. Konkretisht do të sistemohen kanalet e ujërave të bardha në rreth-rrotullimi tek sheshi “26 Nëntori”.
Pika tek ky rrethrrotullim është ajo më kritike dhe me realizimin e projektit në bashkëpunim me ndërmarrjen e ujësjellës kanalizimeve evadimi i ujit do të bëhet më shpejt. Projekti përfshin të gjithë rrugën “Egnatia” deri pranë kishës ortodokse. Ujërat do të shkarkohen në det nëpërmjet rrugëve dalëse që të nxjerrin tek rruga e portit. Ky projekt është një nga hallkat ku bashkia ka menduar të zgjidhë problemin e përmbytjeve pasi investimi i menjëhershëm në kanalin e ujërave të larta është një ndërmarrje shumë e vështirë për buxhetin e bashkisë. Gjithashtu në bashkëpunim me UKD do të marrim masa që brenda këtij viti të bëhen inspektime dhe pastrime të pjesshme në kanalin e ujërave të larta që lidh lagjen 7 deri tek hidrovori. Po kështu ndërmarrja e ujësjellësit është pajisur me një makineri speciale e cila bën të mundur pastrimin e kanalave të ujëravë të shiut dhe atyre të  ujërave të zeza.

Përgjatë kodrës ku ngrihet “Vila e Zogut”,  vitet e fundit ka pasur shumë ndërtime. A ka pasur bashkia një plan konkret urbanistik për këtë hapësirë kur ka dhënë lejet e tyre?

Bashkia e Durrësit që nga koha që jam unë kryetar, pra që nga viti 2007 e deri tani nuk ka dhënë asnjë leje ndërtimi në kodër vilë. Në planet tona urbanistike kjo zonë është një zonë e gjelbër ndaj ne në vijimësi do të punojmë për ta rivitalizuar këtë zonë dhe nëpërmjet projekteve tona ta kthejmë atë në një park të gjelbër.

Familjet e komunitetit rom dhe egjiptian vijojnë të jetojnë në kushte të vështira. Deri kur?

Mund t’ju them se ne kemi punuar vazhdimisht në drejtim të përmirësimit të jetesës së komunitetit rom dhe atij egjiptian. Jemi munduar që t’i vijmë në ndihmë këtij komuniteti në lidhje me strehimin e tyre ku në dy fazat e para të banesave sociale kanë përfituar shtëpi 27-familje nga ky komunitet dhe tashmë jemi në fazë aplikimi për 88 apartamente në Shkozet ku sërish do të ketë prioritet strehimi i kësaj kategorie. Përsa i përket problemeve ekonomike, janë të referuara tek skema e ndihmës nga të ardhurat e shtetit dhe Bashkisë. Po bashkëpunohet edhe  me Drejtorinë Rajonale të Punësimit, për punësimet e mundshme nga ky komunitet. Problemet e shëndetit referohen tek Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik sic është rasti i pajisjes me kartë shëndeti. Po kështu fëmijët e këtij komuniteti të cilët janë të braktisur nga familjarët, sistemohen ose në institucion ose në qendra ditore në varësi të Bashkisë ose OJF-ve. Gjithashtu, me projektin e UNDP janë punësuar 4 të rinj rom, ndërsa pranë qendrës komunitare ofrohen kurse për gjuhë të huaj dhe muzike për të rinjtë dhe fëmijët. Komuniteti rom dhe egjiptian janë qytetarë të Durrësit dhe ne kemi detyrim tu përmirësojmë atyre dhe të gjithë qytetarëve të Durrësit sa më shumë cilësinë e jetesës.

Kanalet e ujrave të zeza janë shndërruar në shqetësim serioz për disa zona. A ka një  zgjidhje?

Unë mund t’ju them se ky problem është zgjidhur përfundimisht në plazhin e Durrësit ku në të gjithë vijën bregdetare deri në “Përroin e Agait”  nuk ka më derdhje të ujërave të zeza në det. Në sajë të investimeve që kemi kryer në bashkëpunum me Bankën Botërore të gjitha ujërat e zeza derdhen në kolektorin kryesor që i përcjëll ato në impiantin e përpunimit të ujërave të zeza. Po kështu në periudhën prill-maj fillon puna për rehabilitimin e këtyre kanaleve edhe në lagjen 1 të Durrësit gjë që zgjidh përfundimisht problemin edhe në këtë zonë.  Ky investim do të bëjë të mundur që nga zona e Currilave e deri në port nuk do të ketë më derdhje të ujërave të zeza në det pasi ato do të kalojnë në kolektor. Në këtë mënyrë i japim zgjidhje këtij problemi.

Ministri i Mjedisit Lefter Koka, është shprehur kritik ndaj punës suaj duke thënë se do ishte më mirë sikur bashkia të udhëhiqej nga ish-rivalia juaj Grida Duma. Çfarë ka ndodhur  mes jush dhe Z. Koka?

Nuk kam koment për këtë çështje.

Këshilltarët e LSI kanë dalë shpesh kundër vendimeve tuaja duke ngjallur replika. Pse ka pasur krisje të marrëdhënieve me aleatët? 

Jo nuk është e vërtetë që kanë dalë shpesh kundër vendimeve tona. Është krijuar një keqkuptim nga mbledhja për miratimin e buxhetit ku këshilltarët e LSI-së nuk dolën kundër por kërkuan shtyrjen e mbledhjes që të bëheshin disa ndryshime në buxhet në lidhje me infrastrukturën rurale. Ato pasi u vlerësuan nga ana jonë u reflektuan edhe në buxhet dhe në mbledhjen pasardhëse ata votuan pro dhe ne miratuam buxhetin e këtij viti i cili e theksoj është buxheti më i madh i miratuar ndonjëherë për Durrësin.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]
        
        Loading...
        

1 komente në “Vangjush Dako: Përplasjet me LSI-në janë thjesht keqkuptime”

  1. LORA says:

    Pune te bukra per Durrsin u shtofshin kete vit,Inxhinier.
    Jam e bindur qe je principial dhe luajal; cic-micet nuk u shkojne hic per shtat inxhinjereve.

Lini një Përgjigje te LORA Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *