A duhet Shqipëria ta kthejë shërbimin ushtarak?!

ushtria 7Nga Ben Andoni

Gati një vit më parë, qeveria nxori një VKM, sipas të cilës, shqiptarët duhet të mobilizoheshin në situata të jashtëzakonshme. Lajmi humbi shpejt në morinë e lajmeve politikë dhe atyre të kronikës që e pllakosin për çdo ditë Shqipërinë, por edhe për arsyen se vendimet e duhura për kohën që jetojmë, kanë të njëjtin fat. Shumë syresh e ulën disi rëndësinë duke sjellë kujtimin e zboreve.

Vetëm se këto ditë, flladi i luftës ka ardhur shumë afër Shqipërisë. Dhe, për hir të së vërtetës, kjo situatë ku ndodhet ushtria jonë nuk mjafton, që të na bëjë jetën aq të qetë.

Shqipëria gjendet në një gadishull, që ka qenë shpesh  burim luftërash të përgjakshme të cilat kanë marrë pas edhe kontinentin, por edhe i ushqyer normal në ndërtimin antropologjik sa i përket luftës. Vetë Shqipëria është kthyer në fushë luftërash, dendur dhe sistematikisht është pushtuar dhe liruar thjesht prej hirit të pushtuesve. Përjashtim bëri vetëm Lufta e Dytë Botërore, ku Shqipëria (jo zyrtare) bëri rezistencë dhe fati ishte që Aleatët e futën në gjirin e saj. Ndërkohë që forcat e saj ushtarake ishin shpërbërë turpshëm me kohë. Në manualet e turpit kombëtar ka vend për sjelljen e shumicës së komandantëve ushtarakë shqiptarë gjatë kohës së pushtimit fashist italian. Nuk bien më poshtë ata që bashkëpunuan me forcat gjermane, si instrument i pushtetit lokal të asokohe, ku Shqipëria de jure njihej me status neutral prej Gjermanisë.

Duket se formën e saj të organizuar ushtria shqiptare e drejtuar nga shteti i saj, e tregoi vetëm në fund të viteve ‘40 gjatë incidenteve të Jugut me Greqinë, kur mundi të përballonte agresionin dhe provokimin e fqinjëve mbytur po ashtu në konflikte të mëdha civile.

Historia e ushtrisë shqiptare me Traktatin e Varshavës ka vetëm fytyrën e organizimit strikt dhe një militarizim të frikshëm të gjithë strukturave të saj. Shkëputja prej Bashkimit Sovjetik më 1961 ishte de facto largim prej këtij organizimi të vendeve të Lindjes (vendim që mori jetë dhe de jure më 1968), nuk është se e zbehu forcën e Shqipërisë dhe armatosjen e saj. Kina plotësoi atë vakum me kushtëzime vetëm ideologjike.

Pa u larguar nga tema jonë, shumë kohë më pas, ushtria e Shqipërisë është pjesë e NATO-s, por dukshëm inferiore ndaj potencialeve të vendeve ballkanike veç Kosovës (që ende se ka formuar ushtrinë e saj), Malit të Zi (me ushtri tejet të reduktuar) dhe Maqedonisë kaotike.

Një ide më të qartë për ushtrinë tonë e dha Indeksi Global i Fuqisë Ushtarake (Global Firepower Index) për vitin 2016, ku ushtria shqiptare zinte vendin e 100 me 2.5331 pikë mes 126 vendeve të botës, për të cilat ishte llogaritur ky indeks.

Apeli ynë merr shkas nga fakti se Kroacia po armatoset shumë dhe mendon që ta kthejë shërbimin e detyruar ushtarak, fillimisht në disa muaj, kurse Serbia vazhdon armatosjen e frikshme. Këto dy vende tashmë po ndërmarrin një garë armatimi, që shumë shpejt, duket se do të ndikojë dhe tek shtetet e tjera fqinje.

Paçka se qeveria shqiptare e ndryshoi ligjin për “Shërbimin Ushtarak”, prej kohësh duke hequr detyrimin që çdo shtetas shqiptar mashkull që kish mbushur moshën 18 vjeç duhet të kryente me çdo kusht shërbimin ushtarak, kjo tashmë duket e tejkaluar, pasi Shqipëria ka nevojë të angazhohet shumë më tepër për sigurinë e saj, por edhe për ato të papritura që mund ta presin Kosovën.

Nga ana tjetër, Shqipëria nuk mund të qëndrojë pas kësaj gare armatimi ballkanike, që e prin Turqia, por më shumë se kaq përgatitjet e ethshme të fqinjëve të saj. Ngjarjet e Kosovës, kaosi maqedon, afrimi i Rusisë duket se tashmë e kërkon ushtrisë shqiptare se duhet të jetë numerikisht më e plotë dhe jo vetëm në duar të ushtarëve me pagesë. Paçka se një nga direktivat e NATO-s ishte kthimi i ushtrisë në një status të tillë, duket se vetë ky organizëm, për shkak të paqartësisë së qëndrimit të SHBA-së, do të reformohet shpejt.

Kjo do të thotë se Shqipëria duhet të marrë përgjegjësi më të mëdha dhe të jetë më e lidhur me veten, pasi p.sh. në mungesën e infrastrukturës së saj, policimin ajror ia bën Italia dhe Greqia. Kjo e fundit një shtet që vazhdimisht përcjell probleme me Shqipërinë.

Me pak fjalë, Shqipëria duhet të marrë në konsideratë shërbimin e detyruar ushtarak, jo thjesht se duhet të jetë e përgjegjshme për situatën, por edhe se ka ardhur koha, që një brez, që po vjen, të kuptojë rëndësinë e mbrojtjes dhe sidomos dashurisë së vendit.

Globalizmi po fshin kuptimin e kombit tek të rinjtë, por edhe dashurinë për të, që e shohin shpesh si element, vetëm kur bëhen ndeshjet ndërkombëtare në futboll ose në sfida të tjera sportive.

Shërbimi ushtarak veç elementit ndihës për mbrojtjen e vendit, e përsërisim shërben edhe si element edukativ për jetën. Mu pikërisht atë që se bën dot shkolla dhe shoqëria jonë e përçarë. Mbase ka ardhur koha që qeveritë shqiptare ta kenë në vëmendjen e tyre afrimin e shërbimit ushtarak. NATO, tashmë është e bindur se nuk mund të ndihmojë pa fund kauza, paçka detyrimit organizativ të saj, në rast se ato fillimisht nuk mbrohen nga vetë anëtarët e saj. Ka pak fllad lufte në Ballkan, ndaj bërja e ushtrisë me shërbimin e detyruar, nuk është më një kërkesë e ardhur nga askundi. (Javanews)

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...