Vijat ndarëse Meta-Rama

1 Shkurt 2017, 09:34Politika TEMA

Nga Enkel Demi

Erion Kristo kërkon në faqen e tij që me ndonjë qyfyre të përcaktohet situata politike, të cilën po kalojmë. Erioni ka një shpirt kaq të zhvilluar cinizmi, sa humori i zi i duket i mangët. Kam frikë se do mbetet i pakënaqur nga mesazhet  që i dërgojnë, aq më shumë pas konferencës për shtyp të kryetarit të LSI-së, Ilir Meta. Ky i fundit ka vendosur të sakrifikojë akoma duke qëndruar në qeveri, si u shpreh për “hir të stabilitetit të vendit”. Tani duket sheshit që kurbani i kësaj sakrifice është Ylli Manjani, të cilit iu hap udha të shkojë i lirë tek Ben Blushi, ashtu si rekomandonte portali i Artur Zhejit.

Por, Ilir Meta është një njeri i sheshit të politikës (agora) dhe nuk mund të dalë i zbythur nga një skenë, të cilën e pëlqen shumë ta qëmtojë vetë, ta qëndisë dhe si Penelopa ta zhbëjë po vetë në mbrëmje. Ndaj gazetarëve me kujtesë të shkurtër u risolli ndër mend betejën e tij shumë të drejtë kundër ndryshimeve kushtetuese që kulmoi me një grevë urie në sallën e Kuvendit. Ai kujtoi veprimin e tij të mençur për të bërë aleancë me Partinë Demokratike, megjithëse 71 vota doktori i bëri me “tradhëtinë” e Dritan Priftit. Me po kaq shumë të drejtë Meta kujton sot që ky koalicion atipik liberalizoi vizat dhe mund të çelte negociatat me Bashkimin Europian, nëse partnerët e sotëm të tij nuk do ngulnin këmbë si mushka për Qarkun e Fierit. Meta rikujtoi gjithashtu se 21 janari ishte komplot dhe rebelim ndaj tij, kështu që megjithëse qeveris me Partinë Socialiste nuk tutet të flasë për “horrat dhe banditët e bulevardit”. Ai foli edhe për reformën në arsim duke i përdorur me qëllim fyes emrin e dikurshëm një kolegu të gazetarëve që sot është sipërmarrës. Me një fjalë rreshtoi vijat ndarëse që janë ku e ku të thella me hendekët, janë llogore lufte.Të gjitha këto ishin sfidat që ai kujtonte, por ato të dikurshme, jo sfidat e sotme, pasi sërish me mjaft të drejtë për të e rëndësishme është reforma zgjedhore. Balili është shfaqja që i cingëris nervat Ramës, por në fakt reforma zgjedhore është Thembra e Akilit.

Pa këtë reformë, Ilir Meta dhe LSI-ja që ai drejton, nuk mund të marrin një vendim për koalicionin e ardhshëm. Duket sheshit që me shpirt e me zemër Ilir Meta nuk dëshiron aspak të qëndrojë në këtë aleancë që duket sikur ecën mbi thëngjij të ndezur. Atij dhe jo vetëm ia ka ënda të dalë më vete si parti a koalicion i ri. Por, ligji i sotëm zgjedhor nuk ta krijon këtë mundësi, sepse është ligji bipartizan çon ujë vetëm tek dy partitë e mëdha, PS dhe PD. Me këtë ligj je i dënuar (edhe nëse nuk do) të hysh në aleancë me një nga mamuthët. Kush del nga tufa është i parathënë të humbë. Ky ligj i lejon shqiptarët të votojnë, por nuk i lejon të numërojnë, nëse nuk janë shqiptarë socialistë ose demokratë. Me pak fjalë, ky ligj nuk e çliron dot LSI-në nga vargonjtë e aleancës me PS-në ose PD-në, vetëm në rastin kur Ilir Meta me ndërgjegje do bëjë kurban si bëri Ylli Manjanin pesë deri në gjashtë mandate deputetësh.

Ndaj ai pret këtë reformë që të marrë një vendim. Sërish dhe tragjikisht është në pritje të marëveshjes së mamuthëve si në 2008, kur kishte me vete shumë më pak mbështetës politikë dhe mediatikë. Prandaj, kjo aleancë qeveritare ka për të vazhduar edhe cazë, megjithëse Erion Kristos i duhet ndonjë qyfyre për ta përcaktuar, ndaj në fund po e them dhe unë timen: “Lesh arapi Eriono!” (27.al)

3 komente në “Vijat ndarëse Meta-Rama”

  1. Ata votuan Mosndeshkimin e tyne says:

    Ajo qe I bashkon jane:
    Pasuria
    Korupsioni
    Antidemokrate
    Komuniste
    Dashuria per pushtet

    Qe te dy jane pjelle e Enverizmit

    Ajo qe eshte me kryesore qe I ndan keta te dy dhe me kryesore:

    Koklopa eshte fshatar Skrapari, kurse ky te pakten ka baza qytetarie.
    Njelloj sikur te krahasosh nje vend Islamik pa ‘vese’, alkool, droge,korrupsion moral dhe nje vend perendimor demokratik me te gjitha veset e mesiperme.

    Ne fund te fundit , te dy sjane te interesuar per nje Shqiperi te pavarur dhe demokratike.

  2. cendurimmadhi says:

    Te vlersoshe politikisht nje hajdut me çizme veç militantet tutkun munde ta bejne ,me çpo lexoj I tille qenka edhe Kel djali .Turp 1000 here turp per ty qe e shet veten si gazetar .Per kete kategori njerzish te ze te vjellti. Mero te lutem qendisja nji shkrim ashtu siç din ti .

  3. Soni says:

    PDIU-ne ca e lidh me PS-ne ?? Cdo parti tjeter e majte eshte vlere e shtuar ne koalicion me PS-ne,me PDIU-ne vlere e zbritur

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje