Kreditë e buta, Veliaj: Në pranverë ne do të jemi gati, ja kush do përfitojë

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp

veliajNjë lajm i mirë për familjet në nevojë që duan të përfitojnë nga kreditë e buta. I ftuar në emisionin e mëngjesit në News24 “Koha për t’u zgjuar” me gazetarin Bashkim Hoxha, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj njoftoi se në pranverë do të nisë procesi për dhënien e kredive të buta. Veliaj deklaroi se ndryshe nga disa vite më parë ku kreditë jepeshin në mënyrë korruptive ku përfitonin ministra, zv.ministra apo funksionarë të tjerë të lartë, tashmë kreditë do të jepen mbi kritere të qarta dhe transparente për ata që realisht kanë nevojë.

“Kreditë e buta për strehimin janë një projekt që për herë të parë po rifillon vetëm në bashkinë e Tiranës. E them vetëm në Bashkinë e Tiranës sepse Ministria e Zhvillimit Urban me të drejtë pezulloi projektin e vjetër që menaxhonte në bashkitë për kreditë e buta kur pa që shumica e njerëzve që po i merrnin kreditë e buta e kishin tashmë një shtëpi. Pra këtu kishte korrupsion, ose ishin ministra, zv. ministra, gardistë të 21 janarit, qoka politike, vetë anëtarë të këshillit bashkiak, vetë drejtorë të bashkisë. Kjo nuk ka logjikë. Ndaj dhe Ministria e Zhvillimit Urban e ndërpreu atë projekt”, tha Veliaj.

 Kryebashkiaku u shpreh se Bashkia e Tiranës që në vitin e parë shleu 60 për qind të borxheve dhe rriti trefish të ardhurat duke u siguruar që si ndan njerëzit në atë të nënës dhe atë të njerkës.

 “Me këto të ardhura na rezulton se ne mund ta kemi sot mundësinë që të ushtrojmë disa politika sociale. Ne kemi vënë mënjanë 1 milionë dollarë për të bërë atë amortizimin e kredisë, pra për të hequr përqindjen që vë banka ku gjithsesi duhen paguar këstet e kredisë, por sigurisht në kushte shumë më të favorshme se në rregullat komercialë tregtarë. Kjo është arsyeja pse ne jemi duke bërë një udhëzim se si do të procedohet që të sigurohemi që aplikimet që tashmë kanë ndodhur ndër vite, edhe pse projekti s’ka funksionuar, të jenë ende të vlefshme. Pastaj do të kemi një garë mes bankave se kush do të na japë ofertën më të ulët . Pra që parimi është që me ato para, sa është maksimumi i kredive që ne mund të amortizojmë. Dhe besoj se në pranverë ne do të jemi gati për të filluar këtë operacion. Kryesisht ne do të targetojmë çiftet e reja dhe familjet e reja”, tha ai.

 Kryetari i Bashkisë komentoi dhe situatën për transportin publik, ku prezantoi disa prej risive.

“Kemi disa risi këtë vit. Siç është patenta për qytetarin, ashtu do jetë edhe për kompanitë. Nëse humbet pikë do humbësh edhe mundësinë për të qenë në shërbim të qytetarëve. Futja e disa linjave të reja është një tjetër mundësi. Kur kam qenë i ri zona e Kasharit ka qenë fshat, ndërsa sot nuk është më, ka 20 mijë banorë. Është futur një linjë e re, ndoshta më e mira. Riintegrimi i zonave rurale është tjetër risi. Gjithashtu edhe zgjatja e linjave ekzistuese. Futja e biletës elektronike këtë vit do jetë risia më e mirë. Do ketë shërbim më të mirë dhe transparencë”, tha Veliaj.

 Një tjetër risi do të jetë edhe në çështjen parkimit, ku tashmë pagesa do të jetë elektronike.

 “Brenda muajit shkurt ne do fillojmë pagesën me telefon për parkimin. Është një numër ku do të telefonohet ose dërgohet SMS dhe jepet targa dhe në këtë mënyrë bëhet pagesa elektronike. Parkimi publik nuk ka vetëm të mirën që sjell të ardhura për të paguar, por edhe gjen parkim për qytetarin”,  sqaroi Veliaj.

Share on FacebookShare on Google+Tweet about this on TwitterShare on LinkedInShare on Whatsapp
REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *