REPLIKAT/ Zbardhet sherri mes Shpëtim Idrizit dhe Arta Dades

2 Shkurt 2017, 09:17Politika TEMA

Përplasjet e Arta Dades me partinë aleate në qeveri, PDIU-në, janë thelluar edhe më shumë dhe janë shtrirë edhe në Konferencën e Kryetarëve. Edhe pse dy deputetë socialistë, Artan Gaçi dhe Enkelejda Shkreli kanë bashkëfirmosur me PDIU-në ngritjen e një komisioni parlamentar për vlerësimin e gjenocidit e Çamërisë nga shteti grek, PS dhe LSI e kundërshton fort këtë nismë.

“Shqiptarja.com” sjell debatin e plotë mes Arta Dades dhe Shpëtim Idrizit për këtë çështje, të cilët herë pas here kalojnë dhe në përplasje personale. Rezerva për kërkesën e PDIU-së paraqesin dhe Gramoz Ruçi dhe Spartak Braho, dhe dy javë më pas, palët ende nuk kanë dakordësi për këtë çështje. Në seancën e sotme, kjo kërkesë mund të hidhet në votim për të vendosur si do të procedohet më tej.

Debati:

Ilir Meta –Vazhdojmë me shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për ngritjen e komisionit të posaçëm në lidhje me tragjedinë Çame.

Arta Dade – Faleminderit zoti Kryetar. Të them të drejtën unë nuk e shoh të qartë subjektin, ndoshta është përvojë që nuk e ka pasur ndonjëherë Kuvendi. Unë e kam lexuar, por objekti nuk është i qartë, çfarë do bëjnë deputetët duke mos qenë as historianë?

Besoj se edhe kohë ky parlament nuk ka që të ngrejë tani komisione mbi komisione. Ne do përgatitemi për zgjedhjet, ndoshta mund të mbetet pasi të riformatohet kërkesa për parlamentin që vjen. Nuk besoj se është e udhës që tani parlamenti të përfshihet në çështje që nuk janë emergjente dhe në çështje që mund t’i diskutojë parlamenti tjetër.

Kërkesa nuk më duket e qartë, më duket e një natyre tjetër, nuk kemi pasur komisione hetimore të kësaj natyre dhe nuk e kam të qartë se çfarë do të hetojmë! Si parlamentarë do hetojmë historinë, do hetojmë faktet historike, kundrejt kujt do t’i hetojmë këto gjëra? Normalisht kemi përvoja që Kuvendi ushtron detyrën e vet si institucion mbikëqyrës dhe heton ekzekutivin apo dhe çështje të tjera. Lidhur me këtë unë nuk e kam të qartë se çfarë do bëjë ky komision.

Shpëtim Idrizi – Kjo që tha zonja Dade është çështje vlerësimi. Për zonjën Dade kjo çështje mund të mos jetë e një rëndësie të veçantë …

Arta Dade – Thashë që nuk është emergjente dhe nuk fola për rëndësi të veçantë. Të lutem mos shtrembëroni fjalët e mia.

Shpëtim Idrizi – Atëherë për zonjën Dade mund të mos jetë çështje emergjente, normal, por ne që kemi nja 70 vjet që presim është dhe e ka kaluar çështjen e emergjencës. Kjo është çështje vlerësimi dhe unë nuk kam asgjë me zonjën Dade që e mendon kështu këtë gjë.

Objekti është i qartë dhe është i shkruar këtu. Kush nuk e ka lexuar mund ta lexojë ose mund t’ia lexoj edhe unë. Ky është vullneti i 7 deputetëve, të cilët kërkojnë që të ngrenë një komision të posaçëm…. në rregull, është më kollaj hetimor apo në përputhje në rastet e komisionit hetimor, në mënyrë që të hetojë dhe të evidentojë të gjitha faktet.

Për këtë arsye ne kemi parashikuar që të thërrasim pikërisht në këtë komision hetimor ata që janë gjallë, historianët, ato dokumente që janë në arkivat e shtetit Shqiptar dhe t’i mbledhim. Në rregull, po i referohemi rastit të Tivarit, i cili ishte komision hetimor dhe jam plotësisht dakord që ta bëjmë komision hetimor.

Spartak Braho – E para, nëse do të mbetemi tek ideja se duhet të vijë si komision hetimor, zoti Shpëtim, atëherë kërkesa duhet formuluar sipas kërkesave dhe procedurave që parashikojnë komisionet hetimore. Kërkesa duhet të përgatitet nga juristë. E dyta, është se këtu ka probleme që ndërhyjnë në të drejtën ndërkombëtare.

Kjo do të thotë se komisionet hetimore deri më sot nuk janë marrë me histori të tilla. Edhe komisioni i Tivarit nuk funksionoi, nuk u zhvillua fare, nuk u bë sepse ishte jashtë objektit, megjithatë po ratë dakord me deputetët investigatorë do të jem edhe unë i pranishëm.

Shpëtim Idrizi – Një koment të vogël kam për të bërë. Së pari e falënderoj zoti Braho për gatishmërinë për t’u bërë pjesë e saj. Tani ne kërkesën e kemi bërë me juristë, por edhe një herë tjetër më duhet të sqaroj një fakt. Ne kemi kërkuar komision të posaçëm, Rregullorja e parashikon në nenin 24 komisionin e posaçëm për çështje të një rëndësie të veçantë, dhe ne e kemi trajtuar këtë çështje në vlerësimin tonë si çështje të rëndësisë së veçantë.

Ndërkohë, na thuhet se nuk ka precedentë edhe për çështjet e rëndësisë së veçantë që të bëhet komision i posaçëm. Por është një miks ndërmjet komisionit të posaçëm dhe atij hetimorë. është hetimi i kësaj tragjedie, dokumentimi i saj, meqenëse ka dhe diskutim publik. Thashë se ka dy shprehje të vullnetit të parlamentit të Shqipërisë.

Kjo është e treta. Pra, kemi një ligj të parlamentit të Shqipërisë, i dekretuar edhe nga Presidenti në 1994-ën që e njeh 27 qershorin si dita e gjenocidit kundër shqiptarëve të Çamërisë. Ka dhe një rezolutë të miratuar në 2004-ën që ka hyrë në fuqi në 2012-ën ku e parashikon dhe e lë detyrë edhe për Parlamentin dhe për shtetin shqiptar që të evidentojë, hetojë dhe dokumentojë këtë çështje.

Ilir Meta – Qartë. Mendoj që kjo kërkon një qëndrim politik se çfarë qëndrimi do të keni, me idenë që zoti Idrizi është i hapur për të ndryshuar kërkesën nga komision i posaçëm në komision hetimor.

Gramoz Ruçi – Zoti Kryetar ne tani jemi duke shqyrtuar këtë kërkesë që kemi. Nëse do të na vijë për komision hetimor është një gjë tjetër. Me këtë kërkesë që kemi unë propozova që shërbimi Juridik ta marrë kërkesën dhe t’i çojë një memo Konferencës së Kryetarëve si qëndron nga pikëpamja thjeshtë procedurale dhe juridike. Më pas ne procedurialisht të mbajmë qëndrim. Mirë e ka zoti Idrizi që Parlamenti e ka shprehur qëndrimin e tij politik nëpërmjet një rezolute.

Parlamenti nuk mund të zëvendësojë as Presidentin dhe as Qeverinë, as ministrinë e Jashtme, as komisionin Ndërshtetëror për këtë çështje. Ju lutem një çështje e tillë nuk është thjesht çështje as e zotit Idrizi dhe as e 7 deputetëve që kanë firmosur, as e një partie politike, por është e të tërëve. Duhet të tregoheni shumë të matur për këtë çështje.

Shpëtim Idrizi- Hajde ta çojmë në seancë dhe të shprehen deputet me votë edhe ta mbyllim këtë histori. Ne sikur po bëjmë diskutim formal neni aq e neni kaq, por nëse duhet të ngrihet apo jo, ky është vullneti jonë. Më pas nëse nuk janë dakord hajde ta kalojmë në seancë.

Arta Dade – Zoti Kryetar, unë nuk mund të bie dakord me mënyrën sesi shtrohen kërkesat këtu dhe aq më tepër nuk mund të bie dakord me retorikën. Askush nuk ka të drejtë që t’i veshë vetes së vet autoritete të pa përcaktuara, as nga ligji, as nga Kushtetuta dhe mbi të gjitha nga etika e komunikimit.

Presioni që ushtrohet këtu në Konferencën e Kryetarëve se dikush do vlerësojë qëndrimet e deputetëve dhe madje dhe forcave politike për mua është i pa pranueshëm. Secila forcë politike apo individ i caktuar ka të drejtë të ndjekë qëllimet e veta për të cilën e ka krijuar një parti dhe nuk ka asnjë të drejtë që të imponojë këtu dhe të bëjë komente mbi konstatimet dhe mbi vlerësimet që bëjnë anëtarët e barabartë të kësaj Konference, qoftë ky nënkryetar Kuvendi apo çfarë të jetë!

Për mua është e pa pranueshme regjistri i gjuhës, komunikimi, mënyra se si kërkohet të imponohet. Ne nuk do bëjmë aventura, i përmbahem qëndrimit tim që koha e mbetur deri në zgjedhje nuk na lejon që të merremi dhe të bëjmë një punë të pjekur për qëllimin që ka zoti Idrizi, i cili është shumë i mirë. Por personalisht e refuzoj dhe nuk pranoj që të vlerësojë zoti Idrizi për punën që bëj unë njëherë si individ këtu në parlament dhe pastaj dhe për detyrat e tjera. Faleminderit.

Shpëtim Idrizi – E kam dëgjuar nja 100-të herë zonjën Dade. Zonja Dade unë këtu nuk të dëgjoj më, dëgjo ti tani.

Arta Dade – Ti nuk e vlerëson dot punën time.

Shpëtim Idrizi – As ti nuk më vlerëson dot mua. Zonja Dade nuk të kam fyer dhe nuk të kam folur më shumë se ç’duhet as për ju dhe as për njeri tjetër. T’u referova vetëm në një pikë dhe më the se nuk është emergjente apo jo! Bukuri! Të thashë që për ju mund të mos jetë emergjente, për ne është emergjente.

Edhe unë e refuzoj kategorikisht këtë gjuhë. E ke përdorur edhe përpara 4 vjetëve, e ke përdorur edhe përpara 3 muajve dhe prandaj të thashë që në këtë komision nuk do marrim pjesë vetëm ne të 7-të, por do jenë të gjitha forcat politike. Dhe nëse mendojnë se do kenë kredo le t’i marrin të gjitha forcat politike kredot. Këtë debat e kemi bërë bashkë dhe përpara 4 vjetëve, kur ka qenë rezoluta, e kemi bërë bashkë edhe përpara 2-3 muajve. Gjatë gjithë kohës kam ruajtur etikën me Ju, ruajeni dhe Ju me mua!

2 komente në “REPLIKAT/ Zbardhet sherri mes Shpëtim Idrizit dhe Arta Dades”

  1. udhetari i drejte says:

    Zonja Dade, eshte shume e qarte se kjo çeshtje kombetare nuk eshte kuptuar drejte, aresyet jane te shumta, por te verteten e di vetem ti. Puna juaj.. E ke vertetuar vete me disa qendrime, ne disa kohe dhe ne disa vende, bile edhe me deklarimet e delegacioneve shqiptare qe kane shkuar ne vendin e grekeve. Nje gje dua ti pyes zonjen Dade, meqene se ka qene ministre e jashteme dhe vite e vite me ardhe kryetare komisionit te jashtem:
    Zonja Dade, a te ka shkuar ndermend te shkosh ndonjehere ne krahinen e Camerise, te takohesh “gju me gju” me ata banore autoktone qe quhen greke, por jane shqiptare çame ortodokse dhe qe flasin dialektin me te bukur te shqipoes? Mos u shpreh se nuk ta lejon Kushtetuta dhe as qe nuk ka ndonje pervoje te tille, sepse perfaqesuesit e shtetit Grek te kane ardhur ne mes te Tiranes dhe te kane qortuar rende per te drejtat e minoritetit grek, dhe ashtu siç ti duhet te shkosh ne krahinen e Camerise edhe ata “greket” kane vajtur ne zonat me minoritet grek, por dhe ne Himarre qe nuk eshte zone minoriteti, dhe kane folur me ze teper te larte bile edhe arrogant kunder “jush” dmth kunder shtetit shqiptar, bile edhe duke shpifur, apo nuk eshte keshtu?. Prandaj ty te lejohet te shkosh tek vllezerit tane, çame pavaresisht se jane ortodokse, ata jane me etni shqiptare. Mire, ti nuk ke shkuar, sepse kete e di, por a i ke ngarkuar me detyre apo pyetur ndonjehere ambasadoret e Shqiperise te akredituar ne Greqi, nese kane patur guxim per te shkuar ne krahinen shqiptare te Camerise (por qe nga 1913 e ka rrembyer Greqia), per tu interesuar per te drejtat e minoritetit shqiptar atje? Ne mendjen dhe dijeni time as te ka shkuar nder mend. Atehere pranoni, merrni guximin dhe krijoni nje organizem ligjor qe te merret me pergaditjen e relacionit mbi ngjarjet e tmerrshme te bera nga shteti Grek, ndaj pakices shqiptare ne Cameri dhe ne krahinat e tjera ish shqiptare para 1913 dhe qe sillet brutalisht teper me egersi ndaj shqiptareve banore autoktone atje, nuk u njeh asnje te drejte nga ato qe jane vendosur nga institucionet nderkombetare. Mos u trembni se duke vepruar keshtu nuk do te gjykoheni dhe shteti grek, as nuk do tju perqeshe per çka tjeter mund te kene deklaruara para tyre; nuk e ka kurajon tju padise, sepse eshte i lyer koke e kembe me te padrejtat ndaj pakicave shqiptare autoktone ne krahinat ish shqiptare.
    Besoj se komenti do te shfaqet dhe gjithashtu do deshiroja qe eshe ju z. Dade ta lexonit, se ndofta do te kuptoni me ne fun d se Kushtetuta na ka ngarkuar edhe me detyra te tilla, Udhetari drejte 2 shkurt 2017

  2. Cami says:

    Shpetim Idrizi, doganier, rryshfetxhi, beri parti jo per ceshtjen Came por per te vjele leket e shqipetareve nepermjet horrave e plerave si Vjollca Braho, Kol Hysaj e plot te tjre. Ceshtja Came eshte ceshtje shqipetare dhe eshte ceshtja e te gjithe Shqipteraeve. Hajduti Shpetim Idrizi nuk mund te luaje me me fatin e cameve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje