Rezoluta për genocidin grek ndaj çamëve, PDIU kundër Arta Dades për Presidente: Është dritëshkurtër!

dade-vs-idriziLakimi i emrit të Arta Dades si kandidate e mundshme për presidente në korridoret politike dhe një mirëpritje apriori prej saj nëse do t’i vinte që propozim i tillë, ka evidentuar kundërshtarët e parë të saj. PDIU nuk do ta mbështesë emrin e saj dhe arsyeja është një marrëdhënie e vështirë e deputetes me këtë parti prej më shumë se një viti.

Qysh në zgjedhjet e Dibrës, e më pas në ato të Kolonjës, Dade tha se PDIU po rritet në kurriz të PS­së në mënyrë artificiale. Konflikti më i fundit u regjistruar me kundërshtimin e fortë që Dade i bëri nismës së PDIU-­së për një komision të posaçëm parlamentar për vlerësimin e gjenocidit mbi çamët nga Greqia.

Deklarata e fundit të Dades se do të mirëpriste një propozim për presidente, shoqëruar me akuza të tjera për PDIU­në, u pasuan nga një kundërsulm nga kjo parti. Zëvendësministrja dhe nënkryetarja e PDIU­-së, Vjollca Braho e ka quajtur Daden dritëshkurtër dhe ka thënë se nuk do të bëhet dot presidente me këtë qasje ndaj PDIU-­së.

“Çështja çame dhe ajo kombëtare, janë çështje të të gjithë shqiptarëve pavarësisht faktit nëse e pranon apo jo ndonjë përfaqësues politik, apo kushdo qoftë tjetër! Ndjen keqardhje kur keqkuptimi vjen edhe nga zonja me përvojë në politikë, si znj. Arta Dade, e cila, përmes reagimeve të saj tregoi dritëshkurtësinë për të parë realitetin e ri politik. Ne nuk kërkojmë nga zonja Dade të vijë e të shohë aktivitetet e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, por të paktën të përpiqet të kuptojë përse kjo forcë politike po rritet ndjeshëm në skenën e politikës shqiptare.

PDIU ka treguar gjatë këtyre tre viteve se ka qenë një pjesëtare e denjë e koalicionit qeverisës, duke mbështetur me votat e saj të gjitha reformat që janë ndërmarrë nga qeveria dhe do të vazhdojë të mbështesë çdo nisëm që ndërmerret në të mirë të qytetarëve shqiptare, pavarësisht se nuk ka marrë ende atë që meriton prej saj.

Zonja Dade mund të kërkonte ndjesë që si ish ministre e Jashtme dhe si Kryetare aktuale e Komisionit Parlamentar të Politikës së Jashtme, jo vetëm që nuk ka folur asnjë fjalë për zgjidhjen e çështjes çame, por edhe ka votuar kundër Rezolutës Çame.

Por fatkeqësisht nuk e ka bërë! Dhe sot rishfaqet në skenë si kundërshtarja më e ashpër e atyre 300 mijë çamëve që falë punës dhe përpjekjes së PDIU­së kanë rifituar shpresën për marrë dinjitetin që iu është nëpërkëmbur nga politikanë si znj. Dade.

Të qenit President i Republikës është kulmi i karrierës së një politikani, por Znj. Arta Dade nuk do ta arrijë dot duke sulmuar PDIU-­në sepse ashtu e kanë urdhëruar ata që e kanë frikë rritjen e saj. PDIU është një parti që nuk ka frikë nga sfidat sepse mbështet një kauzë të drejtë dhe këtë e kanë treguar votat që ka marrë në të gjithë Shqipërinë. Këtë do e faktojë edhe njëherë në zgjedhjet parlamentare të muajit qershor ku do të dyfishojë rezultatin e saj. Për të mirën e shqiptarëve dhe të zezën e atyre që janë mësuar ta marrin pushtetin vetëm për ta vjelë!”, reagon Braho.

Edhe kryetari i forumit rinor të PDIU­së, Albano Idrizi ka reaguar për këtë çështje. Ai i ka kujtuar Dades se gjykimi do të bëhet një ditë pas zgjedhjeve të qershorit. “Sërish Arta Dade. Duket se nuk i del e keqja me PDIU­në. Uroj që këto muaj t’i kaloj me mendimin e saj të vjetër. Qytetaret shqiptarë do të flasin sërish me votën e tyre në 18 Qershor. Shkruhemi sërish në 19 Qershor. P.s. E vërteta vonon por nuk harron”,­shkruan Idrizi në rrjetet sociale.

Konferenca e kryetarëve

Nderkohe qe përplasjet e Arta Dades me partinë aleate në qeveri, PDIU-në, janë thelluar edhe më shumë dhe janë shtrirë edhe në Konferencën e Kryetarëve.

Edhe pse dy deputetë socialistë, Artan Gaçi dhe Enkelejda Shkreli kanë bashkëfirmosur me PDIU-në ngritjen e një komisioni parlamentar për vlerësimin e gjenocidit e Çamërisë nga shteti grek, PS dhe LSI e kundërshton fort këtë nismë.“Shqiptarja.com” sjell debatin e plotë mes Arta Dades dhe Shpëtim Idrizit për këtë çështje, të cilët herë pas here kalojnë dhe në përplasje personale. Rezerva për kërkesën e PDIU-së paraqesin dhe Gramoz Ruçi dhe Spartak Braho, dhe dy javë më pas, palët ende nuk kanë dakordësi për këtë çështje. Në seancën e sotme, kjo kërkesë mund të hidhet në votim për të vendosur si do të procedohet më tej.

DEBAT

IIlir Meta –Vazhdojmë me shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për ngritjen e komisionit të posaçëm në lidhje me tragjedinë Çame.

Arta Dade – Faleminderit zoti Kryetar. Të them të drejtën unë nuk e shoh të qartë subjektin, ndoshta është përvojë që nuk e ka pasur ndonjëherë Kuvendi. Unë e kam lexuar, por objekti nuk është i qartë, çfarë do bëjnë deputetët duke mos qenë as historianë?Besoj se edhe kohë ky parlament nuk ka që të ngrejë tani komisione mbi komisione. Ne do përgatitemi për zgjedhjet, ndoshta mund të mbetet pasi të riformatohet kërkesa për parlamentin që vjen. Nuk besoj se është e udhës që tani parlamenti të përfshihet në çështje që nuk janë emergjente dhe në çështje që mund t’i diskutojë parlamenti tjetër.Kërkesa nuk më duket e qartë, më duket e një natyre tjetër, nuk kemi pasur komisione hetimore të kësaj natyre dhe nuk e kam të qartë se çfarë do të hetojmë! Si parlamentarë do hetojmë historinë, do hetojmë faktet historike, kundrejt kujt do t’i hetojmë këto gjëra? Normalisht kemi përvoja që Kuvendi ushtron detyrën e vet si institucion mbikëqyrës dhe heton ekzekutivin apo dhe çështje të tjera. Lidhur me këtë unë nuk e kam të qartë se çfarë do bëjë ky komision.

Shpëtim Idrizi – Kjo që tha zonja Dade është çështje vlerësimi. Për zonjën Dade kjo çështje mund të mos jetë e një rëndësie të veçantë …

Arta Dade – Thashë që nuk është emergjente dhe nuk fola për rëndësi të veçantë. Të lutem mos shtrembëroni fjalët e mia.

Shpëtim Idrizi – Atëherë për zonjën Dade mund të mos jetë çështje emergjente, normal, por ne që kemi nja 70 vjet që presim është dhe e ka kaluar çështjen e emergjencës. Kjo është çështje vlerësimi dhe unë nuk kam asgjë me zonjën Dade që e mendon kështu këtë gjë.Objekti është i qartë dhe është i shkruar këtu. Kush nuk e ka lexuar mund ta lexojë ose mund t’ia lexoj edhe unë. Ky është vullneti i 7 deputetëve, të cilët kërkojnë që të ngrenë një komision të posaçëm…. në rregull, është më kollaj hetimor apo në përputhje në rastet e komisionit hetimor, në mënyrë që të hetojë dhe të evidentojë të gjitha faktet.Për këtë arsye ne kemi parashikuar që të thërrasim pikërisht në këtë komision hetimor ata që janë gjallë, historianët, ato dokumente që janë në arkivat e shtetit Shqiptar dhe t’i mbledhim. Në rregull, po i referohemi rastit të Tivarit, i cili ishte komision hetimor dhe jam plotësisht dakord që ta bëjmë komision hetimor.

Spartak Braho – E para, nëse do të mbetemi tek ideja se duhet të vijë si komision hetimor, zoti Shpëtim, atëherë kërkesa duhet formuluar sipas kërkesave dhe procedurave që parashikojnë komisionet hetimore. Kërkesa duhet të përgatitet nga juristë. E dyta, është se këtu ka probleme që ndërhyjnë në të drejtën ndërkombëtare.Kjo do të thotë se komisionet hetimore deri më sot nuk janë marrë me histori të tilla. Edhe komisioni i Tivarit nuk funksionoi, nuk u zhvillua fare, nuk u bë sepse ishte jashtë objektit, megjithatë po ratë dakord me deputetët investigatorë do të jem edhe unë i pranishëm.

Shpëtim Idrizi – Një koment të vogël kam për të bërë. Së pari e falënderoj zoti Braho për gatishmërinë për t’u bërë pjesë e saj. Tani ne kërkesën e kemi bërë me juristë, por edhe një herë tjetër më duhet të sqaroj një fakt. Ne kemi kërkuar komision të posaçëm, Rregullorja e parashikon në nenin 24 komisionin e posaçëm për çështje të një rëndësie të veçantë, dhe ne e kemi trajtuar këtë çështje në vlerësimin tonë si çështje të rëndësisë së veçantë.Ndërkohë, na thuhet se nuk ka precedentë edhe për çështjet e rëndësisë së veçantë që të bëhet komision i posaçëm.

Por është një miks ndërmjet komisionit të posaçëm dhe atij hetimorë. është hetimi i kësaj tragjedie, dokumentimi i saj, meqenëse ka dhe diskutim publik. Thashë se ka dy shprehje të vullnetit të parlamentit të Shqipërisë.Kjo është e treta. Pra, kemi një ligj të parlamentit të Shqipërisë, i dekretuar edhe nga Presidenti në 1994-ën që e njeh 27 qershorin si dita e gjenocidit kundër shqiptarëve të Çamërisë. Ka dhe një rezolutë të miratuar në 2004-ën që ka hyrë në fuqi në 2012-ën ku e parashikon dhe e lë detyrë edhe për Parlamentin dhe për shtetin shqiptar që të evidentojë, hetojë dhe dokumentojë këtë çështje.

Ilir Meta – Qartë. Mendoj që kjo kërkon një qëndrim politik se çfarë qëndrimi do të keni, me idenë që zoti Idrizi është i hapur për të ndryshuar kërkesën nga komision i posaçëm në komision hetimor.

Gramoz Ruçi – Zoti Kryetar ne tani jemi duke shqyrtuar këtë kërkesë që kemi. Nëse do të na vijë për komision hetimor është një gjë tjetër. Me këtë kërkesë që kemi unë propozova që shërbimi Juridik ta marrë kërkesën dhe t’i çojë një memo Konferencës së Kryetarëve si qëndron nga pikëpamja thjeshtë procedurale dhe juridike. Më pas ne procedurialisht të mbajmë qëndrim. Mirë e ka zoti Idrizi që Parlamenti e ka shprehur qëndrimin e tij politik nëpërmjet një rezolute.Parlamenti nuk mund të zëvendësojë as Presidentin dhe as Qeverinë, as ministrinë e Jashtme, as komisionin Ndërshtetëror për këtë çështje. Ju lutem një çështje e tillë nuk është thjesht çështje as e zotit Idrizi dhe as e 7 deputetëve që kanë firmosur, as e një partie politike, por është e të tërëve. Duhet të tregoheni shumë të matur për këtë çështje.

Shpëtim Idrizi- Hajde ta çojmë në seancë dhe të shprehen deputet me votë edhe ta mbyllim këtë histori. Ne sikur po bëjmë diskutim formal neni aq e neni kaq, por nëse duhet të ngrihet apo jo, ky është vullneti jonë. Më pas nëse nuk janë dakord hajde ta kalojmë në seancë.

Arta Dade – Zoti Kryetar, unë nuk mund të bie dakord me mënyrën sesi shtrohen kërkesat këtu dhe aq më tepër nuk mund të bie dakord me retorikën. Askush nuk ka të drejtë që t’i veshë vetes së vet autoritete të pa përcaktuara, as nga ligji, as nga Kushtetuta dhe mbi të gjitha nga etika e komunikimit.Presioni që ushtrohet këtu në Konferencën e Kryetarëve se dikush do vlerësojë qëndrimet e deputetëve dhe madje dhe forcave politike për mua është i pa pranueshëm.

Secila forcë politike apo individ i caktuar ka të drejtë të ndjekë qëllimet e veta për të cilën e ka krijuar një parti dhe nuk ka asnjë të drejtë që të imponojë këtu dhe të bëjë komente mbi konstatimet dhe mbi vlerësimet që bëjnë anëtarët e barabartë të kësaj Konference, qoftë ky nënkryetar Kuvendi apo çfarë të jetë!Për mua është e pa pranueshme regjistri i gjuhës, komunikimi, mënyra se si kërkohet të imponohet. Ne nuk do bëjmë aventura, i përmbahem qëndrimit tim që koha e mbetur deri në zgjedhje nuk na lejon që të merremi dhe të bëjmë një punë të pjekur për qëllimin që ka zoti Idrizi, i cili është shumë i mirë. Por personalisht e refuzoj dhe nuk pranoj që të vlerësojë zoti Idrizi për punën që bëj unë njëherë si individ këtu në parlament dhe pastaj dhe për detyrat e tjera. Faleminderit.

Shpëtim Idrizi – E kam dëgjuar nja 100-të herë zonjën Dade. Zonja Dade unë këtu nuk të dëgjoj më, dëgjo ti tani.

Arta Dade – Ti nuk e vlerëson dot punën time.

Shpëtim Idrizi – As ti nuk më vlerëson dot mua. Zonja Dade nuk të kam fyer dhe nuk të kam folur më shumë se ç’duhet as për ju dhe as për njeri tjetër. T’u referova vetëm në një pikë dhe më the se nuk është emergjente apo jo! Bukuri! Të thashë që për ju mund të mos jetë emergjente, për ne është emergjente.Edhe unë e refuzoj kategorikisht këtë gjuhë. E ke përdorur edhe përpara 4 vjetëve, e ke përdorur edhe përpara 3 muajve dhe prandaj të thashë që në këtë komision nuk do marrim pjesë vetëm ne të 7-të, por do jenë të gjitha forcat politike.

Dhe nëse mendojnë se do kenë kredo le t’i marrin të gjitha forcat politike kredot. Këtë debat e kemi bërë bashkë dhe përpara 4 vjetëve, kur ka qenë rezoluta, e kemi bërë bashkë edhe përpara 2-3 muajve. Gjatë gjithë kohës kam ruajtur etikën me Ju, ruajeni dhe Ju me mua!

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Rezoluta për genocidin grek ndaj çamëve, PDIU kundër Arta Dades për Presidente: Është dritëshkurtër!”

  1. mira says:

    Vjollca ! Ne se Arta Dade eshte drite shkurter, i bie qe ti te jesh e verber fare. Eksperienca e Dades ne politike nuk krahasohet me eksperiencen tende te fituar prane Zhejit per disa vjet. Ti je e afte jo per politike , por per thashetheme te ulta grashe, per shantazhe ndaj shoqeve dhe shkelqen kryesisht ne tenderat e zhvilluara ne dy institucionet ku punove para ketij postit te fundit. Suksese ne jete !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *