Arena Kombëtare kandidate për Superkupën e Europës

3 Shkurt 2017, 15:21Sport TEMA

Arena Kombëtare është edhe zyrtarisht kandidate për të organizuar finalen e Superkupës së Europës. Impianti modern që po ndërtohet në Tiranë është mes 10 stadiumeve në garë për zhvillimin e ndeshjes së vitit 2019.

Ashtu siç u konfirmua prej prezantimit të projektit nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, synimi është që përveç ndeshjeve të Kombëtares në “Arenën Kombëtare” të zhvillohet edhe një prej finaleve më të rëndësishme të kontinentit.

Kërkesa për të luajtur finalen e Superkupës është depozituar nga Federata Shqiptare e Futbollit në selinë e UEFA-s. Në garën ku marrin pjesë dhjetë impiante nga 9 shtete të ndryshme europiane, Shqipëria ka si rivalë stadiumin e Tuluzës në Francë, impiantin “Florian Albert” në Budapest të Hungarisë, stadiumin e Haifas në Izrael, “Astana Arena” në Kazakistan, impiantin “Ëinsdor Park” në Irlandën e Veriut.

Të tjerë stadiume në garë janë “Hampden Park” në Skoci, “Besiktas Arena” në Turqi, ndërsa Polonia ka hedhur kandidaturat për “Gdansk Arena” dhe “Stadiumin Kombëtar” të Varshavës.

Sipas procedurave, më datë 1 Mars të këtij viti do të zhvillohet seminari për prezantimin e kandidaturave, ndërsa më 6 Qershor UEFA do të vlerësojë dokumentacionin e paraqitur nga federatat që kanë shfaqur interes. Më pas, do të jetë Ekerkutivi i UEFA-s, që në Shtator do të japë vendimin përfundimtar rreth stadiumit që do të presë finalen e Superkupës së Europës në vitin 2019

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje