Për Llallën dhe Lu-në që fut hundët në çështjet e brendshme

3 Shkurt 2017, 12:10Blog TEMA

Nga Ardit Rada

Kryeprokurori i Shqipërisë është kthyer 24 orët e fundit në qendër të lajmit jo vetëm për shkak të akuzave publike nga ambasadori i SHBA, por edhe intervistës së mbrëmshme ku perlat e nxjerra nga goja nuk i lanë radhë njëra-tjetrës.

I shigjetuar nga Donald Lu si një nga personat e investuar kundër Reformës në Drejtësi, Adriatik Llalla nxitoi të viktimizohej duke u qarë në zyrën e Nishanit dje, një studio televizive mbrëmë dhe atë të Ilir Metës ditën e sotme. Në fakt, janë pikërisht këto dy figura të larta të shtetit që e kanë zgjedhur Llallën në postin e rëndësishëm, zgjedhje kjo e bërë gjatë koalicionit PD-LSI.

Adriatik Llalla ka një karrierë të shpejtë profesionale. Nga polic gjyqësor në Lushnje, prokuror në Fier dhe Kavajë, fati i qeshi që të vinte në Tiranë si pjesë organeve të larta të Kryeprokurorisë e duke u finalizuar me postin e kreut të ILDKP dhe më pas atë që mban sot.

Sigurisht që dyshimet për zgjedhjen e tij në një kolltuk kaq të rëndësishëm nuk ia vlen t’i diskutosh kur kihet parasysh se në vendin tonë Kryeprokurori ka qenë dhe është vegël e atyre që e propozojnë.

Kjo fatkeqësisht ka ndodhur gjatë gjithë historisë së Shqipërisë me Drejtorin e Policisë, Kreun e SHISH, atë të KLSH dhe Presidentin e Republikës. Pra, asnjë figurë e lartë në vend nuk ka qenë dhe nuk është i depolitizuar e aq më pak i zgjedhur mbi baza të meritokracisë dhe përgatitjes profesionale.

Një deklaratë e Aleksandër Arvizus pas “21 Janarit” se Berisha është burrë shteti acaroi jo vetëm të majtën, por këdo që vrasjet në bulevard i quante krim shtetëror. Shumë e sulmuan ambasadorin e SHBA-ve si personazh në skenën diplomatike të pozicionuar në krah të një vrasësi përsëritës të popullit të tij, por Arvizu jo vetëm që nuk u shkarkua nga Departamenti i Shtetit, por vijoi të jetë në detyrë edhe 3-4 vite pas 21 Janarit.

A duhej shkarkuar Arvizu, apo deklarata e tij i vinte në ndihmë qetësimit të situatës? Mesa duket paska qenë kjo e fundit dhe çdo gjykim ndaj tij në atë kohë qenka bërë në gjaknxehtësi e sipër apo nga padija e shqiptarit që politikën e praktikon si hobi pa shkëputje nga puna.

Adriatik Llalla nuk është një personazh që gëzon respekt në rrethin e gazetarëve. Ose më saktë, askush nga analistët e panelev televizive nuk e ka përmendur ndonjëherë për profesionalizëm. Dje ka qenë e vetmja ditë e Llallës kur ai u mor në mbrojtje nga disa media jo si etalon suksesi, por si kobure ndaj Donald Lu.

Sulmet në adresë të ambasadorit të SHBA-së nuk nisin me akuzat e djeshme të portaleve se ai po shkel Konventën e Vjenës duke ndërhyrë në çështje të brendshme. Më herët PD ngriti pretendimet se vizita e tij në Grupe Parlamentare shkel sovranitetin. Diplomati që jo rastësish e flet shqipen më rrjedhshëm sesa Llalla dhe gjysma e Parlamenti u përgjigj mbi këtë pretendim se SHBA-të kanë 100 vite që investojnë për ne miliarda dollarë, duke lënë të nënkuptohet se sovraniteti nuk vihet në diskutim kur Shqipëria pluraliste është ngritur me djersën e Amerikës.

Për të gjithë ata që mendojnë se Donald Lu po ndërhyn në çështjet e brendshme, duhet të kuptojnë njëherë e mirë se Reforma në Drejtësi nuk është e jona. Është një projekt i Perëndimit, është një EULEX, janë disa thasë me dollarë dhe euro nga Brukseli dhe Uashingtoni dhe një vigjilencë e ambasadorëve për të mos i lënë më shqiptarët që t’u hedhin hi syve e t’i bëjnë paratë rrush e kumbulla nëpër trajnime dhe broshura. /javanews.al

5 komente në “Për Llallën dhe Lu-në që fut hundët në çështjet e brendshme”

  1. koha jone says:

    KUSH DO TE ISHTE SHQIPERIA PA AMERIKEN , CFARE SOVRANITETI DO TE KISHTE KY VEND , PA NDIHMEN E TYRE . GRUPI I PD JANE TE KORRUPTUAR DHE NUK I KA MBETUR RRUGE TJETER PER TU MBROJTUR , VETEM TE HIDHEN NE SULM , POR KETE HERE PO SULMOJNE NE PORTE TE GABUAR . UROJ QE KY GRUP BANDITESK TE MARRIN SHUME SHPEJT DENIM QE MERITOJNE .

  2. Agron says:

    Frika eshte qe nje grup qelbesirash dhe tradhetaresh do arrijne ta heqin qafe ambasadorin dhe shkaterrojne cdo gje per te rene ne preherin e rusit dhe Serbise. Vetem keshtu ky grup qelbesirash instaluar nga Saliu dhe sahanlepiresit do mund te mbijetoje ! Por mire e bejne deri sa populli rrin dhe ben sehir duke e quajtur gati ore gazmore lehjet e tyre ne parlament!!!E keqja eshte instaluar ne kupole dhe rrenjet i ka shume te thella! Shpresojme qe ambasadori te mos terhiqet dhe qe administrata e tij ne Washington ta mbeshtese pasi per ne shprese tjeter nuk ka !
    Tung

  3. Mazllëmi says:

    Mbetët duke lëpirë, mor të mjerë…!!! Lëpirje, lëpirje, lëpirje…deri në pështjellim zorrësh dhe vjellje…! Arvizu nuk u hoq, jo se deklaratën e bëri për të qetësuar gjakrat, por se ajo ishte vija politike e Amerikës…. (Për rifreskim ju kujtoj vizitën para disa ditësh, të Lu-së dhe ambasadorit të BE-së, në zyrën e Berishës…???!!!)

  4. Shqiptari i ILIRISE. says:

    Cfare sovraniteti kerkon ti mor 7 uje 0.01 kos?
    Gjithe kete reforme e ben Amerika me BE-ne.Me ekspertet dhe parate e tyre.Dhe te gjithe ju mendere e keni pranuar kete fakt.
    Po kur shkoni ne Amerike,beni ndonje foto me zyrtaret apo vidhni ndonje fjale nga ata,pse vini me vrap e mbushni gjithe median?Qe ti tregoni popullit se sa burra te mire jeni e sa u do Amerika.
    Tani kur ajo u thote se c’mut burra jeni,na tregoni “sovranitetin”.
    Ptuuu..!!!
    Flliqesira qe keni 27 vjet qe e rripni dhe terhiqni zvare kete vend.

  5. Gus says:

    Nuk është vetëm një paralajmërim për zotin Llalla por për gjithë klasën e gjyqësorit të korruptuar, për gjithë klasën e majtë dhe të djathtë politike të korruptuar, petët e lakrorit sa po kanë filluar të hapen.
    Është koha për ndryshimin e shumë pritur për një demokraci funksionale dhe të vërtetë.
    Është koha tu themi mjaft fundërrina koha juaj po sos, na lini lini të gëzojmë jeten

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje