Rama: Shqipëria e Kosova, gati t’i përgjigjemi Serbisë nëse cenon 1 centimetër të territorit tonë

kop“Nëse Serbia cenon 1 cm të territorit tonë, Shqipëria e Kosova do të jenë gati t’i përgjigjen”.

Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama në emisionin “Zona e Debatit” të gazetarit Baton Haxhiu, ku ishte i ftuar së bashku me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Kreu i qeverisë shqiptare tha se Shqipëria dhe Kosova janë promotorë të paqes në rajon, por nëse cenohen, do të mbrojnë sovranitetin territorial.

“Shqiptarët, Shqipëria dhe Kosova, janë bashkë për të promovuar paqen, por edhe për të mbrojtur integritetin territorial. Nëse serbët duan të hipin nëpër trena që i çojnë ata prapa në histori, por nuk i prekin asnjë fije floku Kosovës, ne nuk kemi ç’u bëjmë. Por nëse duan të cenojnë një centimetër të territorit tonë, jemi të gatshëm të përgjigjemi”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se provokimet e Serbisë janë shpërfaqje e një ideologjie të prapambetur. “Praktikisht çështja e territorit të Kosovës është mbyllur ditën kur është firmosur pavarësia e saj. Të dy vendet tona janë vendosmërisht krah për krah për të promovuar paqen. Janë krah për krah edhe për të mbrojtur integritetin.

Nuk ka shans që Kosova të cenohet qoftë edhe në një centimetër katror të territorit të saj. Ai mur nuk është se sfidon realisht sovranitetin e Kosovës. Është shfaqje brutale e një ideologjie shumë të prapambetur. Jam i bindur që pavarësisht si do të dalë në fund kjo histori, nuk është e tillë ku pala tjetër duket mirë. Ne jemi në anën e duhur të historisë, dhe e duhura është ana e urës, jo e murit”, tha Rama.

Kreu i qeverisë ka thënë se muri dhe provokimet e Serbisë janë për keqardhje dhe se shqiptarët nuk duhet të bien pre e tyre, por të vazhdojnë rrugën e tyre për të ndërtuar paqen. “Besoj që shfaqja e këtij muri absurd, apo e atij treni absurd, janë shfaqje të një makthi që nuk është i yni – është i fqinjëve tanë. Janë shfaqje që shkaktojnë keqardhje. Janë fqinjët tanë që janë për të ardhur keq që shfaqen në forma të tilla dhe deri në nivelet me të larta kapen për të ndërtuar një politikë që nuk i duhet dreqit, lëre më popullit serb.

Ne duhet të vazhdojmë t’i besojmë rrugës sonë. Këto shfaqje nuk tregojnë se paqja që kërkojmë është e gabuar, por se nuk është e lehtë. Nuk cenojnë dinjitetin e shqiptarëve, as integritetin e Kosovës, as imazhin pozitiv që shqiptarët kanë ndërtuar që nga momenti i parë i ndërtimit të shtetit në Kosovë. Ndaj unë besoj që ka një konsum të tepruar të këtyre ngjarjeve deri në histeri, për të nxitur imagjinatën e një konflikti të mundshëm, që nuk është i yni. Nëse Serbia nuk e njeh Kosovën nuk do të çlirohet nga ky makth”.

Rama “thumbon” Vuçiç: Ishe me ekstremistët dikur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në “Zona e Debatit” ka thënë se kryeministri serb Aleksandar Vuçiç duhet të mos vizitojë ekstremistët në Serbi dhe të mos shqetësohet kë viziton ai në Kosovë. Rama iu përgjigj akuzave të Vuçiç se duke vizituar selinë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, vizitoi ekstremistët.

“Vuçiq të ketë kujdes të mos vizitojë ekstremistët, se pastaj u kujtohet njerëzve se ka qenë me ata. Ndërkohë unë vizitoj miqtë e mi. Ai i quan ekstremistë, ne i quajmë çlirimtarë”, ka thënë Rama, duke folur për komentimin që Vuçiç i bëri vizitës së tij në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Ai ka deklaruar se urdhër arrestet e Serbisë për “çlirimtarët e Kosovës” e vënë në dyshim synimin europian të Beogradit zyrtar, duke theksuar se do të kërkojnë pandalur që ato të hiqen një herë e përgjithmonë.

“Çfarë lidhje ka Beogradi me Europën nëse harron që Ramush Haradinaj është i pafajësuar nga një gjykatë ku është fajësuar ai që rrënoi Ballkanin dhe ish­Jugosllavinë. Shpresoj që javën e ardhshme Ramushi do të kthehet në Kosovë. Ndërkohë që ne do të kërkojë pareshtur që të gjitha shtetet e Europës të fshijnë ato urdhër arreste të Serbisë”, tha Rama.

REMOTE_ADDR:[]
                 Loading...