Babai i Alban Skënderajt: 16 ditët më të vështira të jetës time

Qerim Skënderaj, fjalës i jep peshë dhe emocion. Është i ndjeshëm, ashtu si shumë krijues. Teksa e dëgjojmë e kuptojmë menjëherë se nga ka ngjarë i biri. E kemi fjalën për Alban Skenderaj. Qerimi është babai i tij. Dikur thoshin Albani, djali i Qerimit, por ja që kohët ndryshojnë, talenti trashëgohet dhe prindërit nuk kanë se si të mos ndihen krenar.

68-vjeçari ka lindur në një fshat të Mallakastrës, sot jeton në Itali. Babai e ka lënë pesë vjeç. Në një intervistë për gazetaren Entela Resuli, ai flet për jetën dhe familjen.

-Z. Qerim, si dhe pse e morët këtë vendim për të emigruar jashtë vendit?

 

Vendimin për të emigruar nuk e mora unë. Këtë vendim e morën dy djemtë e mi të mëdhenj në mesin e viteve nëntëdhjetë. Kur mbërritën moshën e punës, as unë dhe as vendi i tyre nuk u ofroi një punë të gjenin veten dhe të ndërtonin të ardhmen. Emigruan dhe e rimbollën pemën e familjes në një tokë tjetër që i pranoi si punëtorë dhe si qytetarë. Aty, në Toscana (Toskanë), në qytetin Pistoia, me histori mbi dymijëvjeçare, bashkia e parë në Itali dhe më gjerë, shpallur kryeqytet i kulturës italiane për vitin 2017, më i populluari me shqiptarë në Itali, vendosën të rindërtojmë çerdhen tonë familjare. Pas dy të mëdhenjve, “ikën” e u bashkuan me ta edhe dy më të vegjlit. Ky vendim i dytë, më bëri të ndihem jetim. Ç’të bëja? Çfarë të prisja më? I futa krahun sime shoqeje dhe iu bashkova vendimit të tyre.

 

-Çfarë ju mungon nga Shqipëria?

 

E para gjë që e vuaj çdo ditë, është shqipja e folur. Më merr shumë malli të flas, të diskutoj e të analizoj në gjuhën tonë të mrekullueshme e shumë të pasur letrarishte. Tani që jam në pension flas vetëm me nipër e mbesa. Bëj gjithçka që t’ua përcjell atyre si pasuri shumë të vyer. E vetmja që na mban bashkë edhe pse të ndarë në çdo cep të globit. Të tjerët, të rriturit, i rrëmben nata pa zbardhur agimi dhe i kthen po nata, kur ka rënë muzgu. Sigurisht që më mungojnë të afërmit, miqtë dhe shokët e rrugës time të gjatë nga fëmijëria e derisa u largova.

 

-Z. Qerim, cila është lidhja juaj me detin? Po më letërsinë?

 

Lidhja ime me detin është në radhë të parë shpirtërore, pastaj edhe fizike. Për mua deti është hapësirë, ngjyrë, ndjenjë, dashuri, dhimbje, frymëzim, mall, çlodhje, mister, frikë, poezi, gjithçka. Deti më ka frymëzuar poezi e prozë nga më të mirat në krijimtarinë time. Pa detin, nuk do të bëja mirë as letërsinë. Të gjitha pushimet vjetore familjare i kam bërë në det.

 

-Kur keni filluar të krijoni dhe çfarë ju frymëzon që të shkruani poezi dhe prozë?

 

Për vete kam filluar të shkruaj që tridhjetë vjeç, ndërsa për publikun në vitin 1991, kur mori jetë shtypi i lirë. Frymëzimin e marrë nga gjithçka që më vibron telat e zemrës. Është motivi që më ngërthen e nuk më ndahet deri sa i shkojë në fund asaj që më urdhëron shpirti. Lëvrojë poezinë, romanin dhe prozën e shkurtër.

 

-Z. Qerim, na tregoni pak për familjen tuaj…?

 

Familja ime u krijua në Vlorë, në fillim të viteve shtatëdhjetë, ku kemi kaluar periudhën më të gjatë të jetës familjare. Tashmë ajo mund të quhet një familje e madhe. Në përbërje të saj janë katër djem, katër nuse (më i vogli, ende është i fejuar), tre nipër, dy mbesa dhe ne çifti i moshuar. Pra, fiks, pesëmbëdhjetë anëtarë. Secili çift ka shtëpinë e vet, por të gjithë më shumë rrimë të bashkuar se të ndarë. Dy djemtë e mëdhenj së bashku me nuset punojnë në një biznes të përbashkët prej më shumë se pesëmbëdhjetë vjetësh dhe vetëm ky fakt flet goxha.

 

Ju keni katër djem, a ju ka munguar një vajzë?

 

Një vajzë për mua dhe time shoqe ka qenë më shumë se dëshirë. Ishte pasion që e kërkuam me ngulm deri tek fëmija i katërt. Kur nuk erdhi, e kuptuam se ky ishte fati ynë dhe e mbyllëm kapitullin me Taulantin që nuk e gjeti dot motrën. Megjithatë, nuset e djemve na e kanë mbushur këtë boshllëk, së paku deri tani. Shpresoj të mbeten të tilla edhe kur të plakemi ca më shumë.

 

-Një nga djemtë tuaj është më i famshëm dhe të gjithë e njohin, e kemi fjalën për Albanin, si është marrëdhënia juaj me të? Ndoshta vite më parë, Albanit i kanë thirrur si djali i Qerimit, ndërsa sot, besoj ju u thonë shpesh, që jeni babai i Albanit. Si ndiheni për këtë fakt?

 

Albani e ka shkruar biografinë e tij dhe do të ishte e tepërt që unë si baba, të shtoja ca fjalë më shumë. Ai është njëri nga katër djemtë, që i dua më shumë se jetën time. Edhe tre të tjerët kanë lidhje të ngushta me artin. Më i madhi, Martini, është piktor dhe zotëron ide të fuqishme për artin në përgjithësi. I dyti, Arbëri, është shumë i talentuar dhe po ta kishin sjellë rrethanat apo fati, mund të ishte shfaqur si kantautor i suksesshëm. Ka shkruar e kënduar një këngë shumë të bukur, që tani për tani nuk dëshiron t’ia bëjë të njohur publikut. I fundit, Taulanti, laureuar në inxhinieri mekanike, është edhe poet i mirë. Ka gati për botim librin e parë me poezi në italisht. Ndërsa Albani, tashmë i konfirmuar si artist me nivel, genin tim për të shkruar bukur e ka shkulur me rrënjë, ndërsa artin muzikor e ka ngjitur ne lartësi të reja, që më mrekullojnë e më bëjnë të ndihem krenar. Do të jepja gjithçka, përfshi edhe shpirtin tim, që t’i shoh gjithmonë të lumtur e të plotësuar.

-Qerim, jeta nuk është vazhdimisht fushë me lule. Besoj edhe ju gjatë jetës keni kaluar momente të vështira. Mund të na tregoni çastet më delikate që keni kaluar në jetë? Si i keni përballuar?

Përgjigjen këtu e ka vetë pyetja juaj në përmbajtjen e saj. Jeta asnjëherë nuk është fushë me lule. As për mua s’ka qenë kurrë e tillë. Vështirësitë kanë qenë prezente në çdo hap. Lodhja ka qenë e skajshme. Orientimi në një botë ku lulëzojnë sëmundje helmbjellëse, tejet i vështirë. Lavdi Zotit, punës së pandërprerë dhe fatit, kemi ndërtuar një jetë modeste që ka si bazë ndershmërinë dhe mirëkuptimin. Në jetën tonë ka pasur edhe çaste delikate që mund të thyheshin në mënyrë të parikuperueshme. Por njëri prej tyre ka qenë tmerrësisht i vështirë. Aksidenti rrugor i Taulantit, futja e tij në koma për gjashtëmbëdhjetë ditë, nuk ishte një dhimbje normale, por një thikë në zemër që rrotullohej e rrotullohej për të na marrë shpirtin. Ishte torturë mbi çdo torturë. Shtrati i spitalit ku qëndronte i lidhur me lloj – lloj tubash për ta mbajtur në jetë, i rrinte ngushtë trupit dhe moshës së tij të re. Nuk e di pse në atë çast m’u duk si shëmbëlltyra e Krishtit. Kam shkruar një poezi shumë të ndjerë për të, që as vetë nuk e lexoj dot. Aty është dhimbja jonë e madhe. Dashuria e pakufishme që i dhamë në momentet më të vështira. U bëmë bashkë të gjithë; prindër, vëllezër, kushërinj, shokë, studentë, kolegë të Taulantit, një stuhi njerëzish që e donin me gjithë zemër dhe këmbëngulnin të mos e kalonte kufirin ndarës. Si prind, e kam ndjerë thellë mbështetjen e tyre. Besimi, optimizmi, dëshira dhe këmbëngulja për të jetuar, e mbi të gjitha, të qenit bashkë në një betejë të vështirë, nuk na lanë të binim, të rrëzoheshim të mundur e të pashpresë. Përkundrazi, fituam të gjithë. Fitoi Taulanti, u bë edhe më i fortë, edhe më i kthjellët, edhe më i sigurt për të marrë e çuar më tej përgjegjësitë e të ardhmes.

 

-Z. Qerim, a jeni i lumtur?

 

Lumturia ime është e lidhur ngushtë me lumturinë e të tjerëve, të familjarëve të mi, të të afërmve, të miqve, shokëve dhe më gjerë. Kur ata janë të lumtur edhe unë jam i tillë. Gjithsesi ndihem krenar për çfarë kam arritur deri tani.

REMOTE_ADDR:[]

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *